Kulluri: Janë zbatuar të gjitha procedurat sipas ligjit të pronave
Reagon ministria e Mbrojtjes pas akuzave të deputetit Balla për shitjen e reparteve
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri ka deklaruar se janë zbatuar të gjitha procedurat sipas ligjit për pronat.
Në një konferencë për shtyp sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes Kulluri theksoi se akuzat e deputetit të PS Taulant Balla janë të stisura mbi një material që mund të konsultohet në faqen zyrtare të institucionit.
Gjithashtu sekretari i dikasterit të Mbrojtjes informoi se deputeti i opozitës nuk njeh ligjet në fuqi, në rast të kundërt refuzon të thotë të vërtetën. “Deputeti Taulant Balla refuzon ose nuk mundet të kuptojë sqarimet që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë në vijimësi për procedurat dhe trajtimin e pronave të tepërta të ushtrisë”, vijoi Kulluri.
Megjithatë të ndodhur në këtë situatë, ministria e Mbrojtjes nënvizoi se, “nuk na mbetet gjë tjetër veçse të inkurajojmë deputetin e Partisë Socialiste që në 983 ditët në vazhdim të vazhdojë të informojë ish-pronarët, njësitë e pushtetit lokal apo edhe investitorë të ndryshëm rreth 983 pronave në administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes që janë në proces tjetërsimi”. Në përfundim, ministria e Mbrojtjes ka sqaruar deputetët e opozitës se marrëdhënia me vendet fqinje realizohet nëpërmjet marrëveshje si një vend anëtar i NATO apo pjesë e Partneritetit për Paqe.