Kultivimi i hashashit, kapet 78- vjeçari
SHKODËR- Një 78- vjeçar është shoqëruar nga policia me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. Rrok Grishaj, 78 vjeç, banues në fshatin Tamarë, është shoqëruar pasi në një parcelë janë gjetur e asgjësuar 480 rrënjë kanabis sativa. Sipas policisë, kultivuesi i bimës narkotike është pikërisht 78- vjeçari Grishaj. Ky nuk është rasti i parë , që të moshuar nga Shkodra përballen me akuzën e kultivimit të bimës narkotike, edhe pse pak mund të besohet se janë ata autorë të kësaj vepre penale. Madje ky fenomen ka tërhequr dhe vëmendjen e gjykatës së Shkodrës, e cila duke i referuar rasteve të sjella për gjykim gjatë viteve të fundit ka konstatuar se nuk dënohen kultivuesit e vërtetë. “Ato që na sillen për gjykim nga prokuroria e policia janë shtetas të moshuar, të sëmurë deri dhe të paralizuar ose dhe gra. Tipik është rasti i Lena Martin Prendi nga fshati Mazrek është dënuar disa here për kultivim bimësh narkotike edhe pse është e moshuar”,- thanë burime nga gjykata e Shkodrës.