E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura dhe arti çel edicionin e dytë në Akademinë e Arteve



Izaura Ndoj

Bashkëpunimi mes shkollave të formimit të lartë artistik ka sjell në Akademinë e Arteve në Tiranë projektin "Ura nën tri harqe" për tre ditë radhazi. Një seri performancash artistike, ekspozita të përbashkëta, trajnime me protagonistë studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, Tetovës e Akademisë së Arteve janë zhvilluar si një kontribut për një art unik kombëtar me fizionomi dhe strukturë të konsoliduar. Ky është një aktivitet që nisi me një ekspozitë në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore (FAP), përmes një prezantimi të përbashkët të studentëve të arteve pamore, që përcollën këtë ekspozitë nga tre akademitë shqiptare. Ndërkohë që dje ky aktivitet ka vijuar me të tjera organizime, përfshi këtu ligjërata nga studiues e pedagogë, projektime filmash e koncerte të ndryshme. Konkretisht, dje i veçantë erdhi koncerti i studentëve të Fakultetit të Muzikës, Tiranë me repertorin e zgjedhur që përmbante pjesë nga kompozitorë të njohur si Chopin, Puçini, List, Bellini, e kështu me radhë. Por dita e djeshme ishte e veçantë edhe për filmat që u shfaqën nga Atelieri Multimedia, Fakulteti i Artit të Prishtinës por edhe ligjërata e mbajtur nga Pr. Mr Haqif Mulliqi, nën temën “Dialogu në skenarin e filmit”. Dekani i Fakultetit të Muzikës, Sokol Shupo, pohon se ky edicion është i dyti që organizohet. Janë një seri aktivitetesh të përbashkëta, ekspozita, koncerte dhe workshop që kanë qenë të pranishme gjatë këtyre tre ditëve. Sipas tij “Pjesëmarrëse janë tre trojet shqiptare, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, dhe ky projekt është vërtetë një shembull shumë i mirë për të njohur njërit tjetrin, për të shkëmbyer përvojat”. Më tej Shupo tha se “Unë shpresoj se ky projekt të realizohet dhe në fusha të tjera dhe jo të ngel vetëm në kuadrin e një koncerti apo ekspozite. Qëllimi kryesor është ky jemi që jemi një komb dhe duhet të fillojmë të funksionojmë nëpërmjet këtyre bashkëpunimeve dhe është një provojë e mirë për të afruar njerëzit, për ti njohur më nga afër. Gjatë këtyre koncerteve dhe ekspozitave do të ketë dhe një lloj vlerësimi për punët më të arrira”. “U bën shumë kohë qe mes nesh kanë munguar marrëdhëniet institucionale, përvojash në mënyrë që të përmirësohet cilësia. Fakulteti i Tetovës sapo ka nisur ecurinë e tij, Prishtina ka një farë eksperience dhe një provojë të mirë, ne kemi qenë më të izoluar por kemi pasur një provojë më të madhe. Këto bashkëpunime duhet të shtrihen edhe në fushën e mësimdhënies të studentëve dhe të pedagogëve. Kjo do të jetë arritja, një koncert bën bujë si koncert, një ekspozitë bën bujë si ekspozitë dhe janë hapat e para dhe besoj se do normalizohen dhe do ecin më tej këto projekte”. Risia mbi këtë projekt nuk është vetëm në pikëpamjen e formës apo në pikëpamjen e përmbajtjes, njerëzit po ambientohen të bëj ekspozita dhe performanca muzikore së bashku. Risia do të jetë kur kjo strukturë do të arrij të hyjë në thelbin e qëllimit që ka arsimimi, kjo do të jetë një arritje e saktë”- përfundoi Shupo. Ndërsa pedagogu i arteve pamore dhe murator i ekspozitës Ermir Hoxha, ka pohuar se në këtë ekspozitë kanë marr pjesë punimet më të mira të studentëve nga atelie të ndryshme. Sipas tij ekspozita “Ura me tri harqe” prezanton tek publiku mediume të ndryshme te artit. “Ekspozita “Ura me tri harqe” është pjesë e aktivitetit, i cili mbledh punimet më të mira të studentëve të Fakultetit të Arteve Pamore të Tiranës, Akademisë së Prishtinës dhe Fakultetit të Arteve të Tetovës. Janë tre institucione shqipfolëse, të cilët një herë në vit sjellin punimet më të mira të degëve të ndryshme të muzikës, artit skenik dhe pamore për të ndërtuar së bashku aktivitete të ndryshme. Janë rreth 40 studentë që marrin pjesë me 70 punimet e tyre dhe janë në mediume të ndryshme si, instilacione, printime, tezgjah, grafike, video, punime në mermer, piktura vaji, akuarel, piktura murale, mozaikë etj. Ky është edioni i dytë që Akademitë e Arteve mblidhen dhe prezantohen në një mozaik. Një seri performancash artistike, ekspozita të përbashkëta, trajnime me protagonistë studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës, Tetovës e Akademisë së Arteve kanë ardhur këto ditë në aktivitetin “Art në tri harqe”, i cili me larminë e shumë veprimtarive kulturore i shton dhe më shumë gjallërinë jetës kulturore të kryeqytetit. Ky aktivitet me siglën “Art nën tri harqe” do të vazhdojë sot me ligjërata, promovime dhe workshop me titull “Eskili dhe rituali i gjëmës shqiptare” nga Prof. Bekim Lumi. Në sallën Balck Box do të promovohet libri i Fadil Hysaj, “Teatrologji, dramaturgji, regjisor dhe aktrim”- analogji tekstesh.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›