E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarajevë, themelohet komision për krimet e luftës në ish-Jugosllavi



Ka nisur fushata për themelimin e Komisionit rajonal “KOMRA”, i cili pretendon të nxjerrë të vërtetën për viktimat e luftës gjatë viteve 1991-2001 në territorin e ish Jugosllavisë. “KOMRA” do të ketë selinë në Sarajevë dhe do të përbëhet nga 20 anëtarë, të cilët do të jenë nga Bosnja, Kroacia, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Sllovenia. Udhëheqësi i Zyrës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, Bekim Blakaj, ka thënë në një konferencë për gazetarë se komisioni KOMRA, do të ndihmojë që të ndërpritet “praktika e mosndëshkueshmërisë të kryesve të veprave dhe që t’i kthehet dinjiteti familjeve dhe viktimave”. Në Kosovë figurojnë ende mbi 1800 të zhdukur, ndërsa në tërë rajonin rreth 17 mijë.

Serbi
Hetim ndaj ish-ministrit, kontratë për satelit përgjues ndaj Kosovës

Prokuroria e Beogradit akuzon ish-ministrin e Mbrojtjes të Federatës serbo malazeze Prvoslav Daviniç për abuzime me detyrën. Ai akuzohet në lidhje me një kontratë që ka firmosur në Paris në 2005 me një firmë izraelite për përdorimin e një sateliti përgjues, me vlerë 45 milionë eurosh. Daviçin, në atë kohë ish-ministër i Mbrojtjes serbo-malazeze, ( e cila u zhduk pas shpalljes së pavarësisë nga Mali i Zi në 2006) akuzohet se ka nënshkruar një kontratë me shoqërinë izraelite “ImageSat” pa autorizimin e nevojshëm. Marrëveshja kishte të bënte me përdorimin e një sateliti përgjues që do të mbikëqyrte kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës, e cila në atë kohë ende nuk kishte shpallur pavarësinë. Kontrata nuk u realizua asnjëherë, dhe për këtë ImageSat ndërmori një nismë ligjore kundër Serbisë.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›