Gjysmëkultura, më e rrezikshme se vetë padija
Nëse do të propozoja se ç’mund e ç’duhet të bëjë një ministri Kulture, zakonisht përgjigja është se nuk i takojnë asaj shumë nga gjërat që propozohen. Atëherë, ndofta është më mirë ta shtrojmë ndryshe çështjen. Kush duhet të përgjigjet për një sërë mungesash shumë të rëndësishme kulturore që vihen re në shoqërinë shqiptare dhe të cilat askush nuk po merr mundimin t’i trajtojë si probleme?
Kur themi se duam të hyjmë në Evropë nuk mbajmë parasysh se ç’humnerë e ndan mendësinë shqiptare nga ajo e qytetarit evropian. Mendësi do të thotë mënyrë të menduari, mënyrë sjelljeje, mënyrë qëndrimesh ndaj vetes e të tjerëve. Në shoqërinë shqiptare, duke nisur nga ata që qëndrojnë në krye e deri te masat e gjëra të popullsisë, vihen re aq shumë gjëra të gabuara, sa këtu nuk di nga t’ia nisësh më parë. Dhe të gjitha kanë të bëjnë me një kulturë të caktuar. Le të shohim qëndrimin ndaj vlerave morale. A po kultivohet sot ndershmëria, atdhedashuria, trimëria, solidariteti, besnikëria, etj., apo po bëhet e kundërta? A nuk duhet një mobilizim përpjekjesh, një koordinim veprimesh mes institucioneve, shoqërisë civile, komuniteteve fetare për të ndërmarrë një përmbysje të një mendësie të mbrapshtë që, në vend të na çojë drejt progresit, na shpie pas? Dhe a s’duhet të jetë në ballë të kësaj ndërmarrjeje, me një shqetësim të thellë e të vazhdueshëm, një Ministri Kulture, me në krye titullarin e saj? Për ta konkretizuar ca problemin, po përmendim posaçërisht për ministritë tona të kulturës një nga dukuritë që, fatkeqësisht, vërehet kudo, qoftë në institucione shtetërore, qoftë në ato private: hyrja e kulturës së gjysmëkulturës. Gjysmëkulturë në vetë politikat kulturore. Në këto, së pari, mungon një strategji afatgjatë e afatshkurtër, me prioritete, me bashkëpunim, me transparencë, duke pasur në qendër të vëmendjes jo gjërat e bujshme, si paradat e miseve, por mbi të gjitha ato forma e mjete që shpien në edukimin e shëndetshëm të njerëzve me vlera njerëzore, me shije të mirë, me dije të sakta për vendin e botën, me një cilësi jete që të mos na bëjë të dallueshëm për keq nga bota ku synojmë të hyjmë. Por, trajtimi i këtij problemi themelor, i zbërthyer në përbërës konkretë, kërkon tjetër hapësirë. Këtu po përmend vetëm përgjegjësinë e paktë që kanë ndier ministritë tona të kulturës për të qenë në rojë të kulturës në kuptim të ngushtë, e cila përdhoset vazhdimisht, si nga organi kryesor i shtetit, ashtu edhe, sidomos, nga mediat tona, që, shpesh, i përcjellin publikut dije të pasakta, gjuhë të pasaktë dhe edukim të gabuar, rezultat i gjysmëkulturës, më e rrezikshme se vetë padija.