Kultura shqiptare dhe fataliteti i vetëizolimit*
30/05/2005 1.Historia e kulturës së çdo populli mund të kundrohet nga dy pikëvështrime: së pari, si zhvillim imanent dhe, së dyti, si rezultat i ndikimit të jashtëm aberrativ. Nga kjo ligjësi që ofron në mënyrë e tillë arsyetimi (nëse e pranojmë), nuk bën përjashtim as kultura shqiptare në të gjitha format dhe stadet e veta e më së pari, kulturat shkrimore e parashkrimore, të cilave do t’u referohemi.
Në stadin parashkrimor të kulturës sonë, mund të hamendësojmë veçse hipotetikisht për një model të shenjave kulturore shqiptare, duke u bazuar tek burimet dhe gjeneza e folklorit, që përkon afërsisht me perëndimin e Mesjetës dhe pragun e pushtimit turk. Sistemi i rregullave që udhëheq repertorin e tekstit të kulturës parashkrimore në këtë stad, diktohet nga modeli i baladave që dominonin nga Veriu katolik (me qytete disi më të organizuara se në jug dhe që gjendeshin nën protektoratin e Republikës së Venedikut, siç dëshmojnë dokumentat dhe statutet qytetare), por edhe nga baladat shqiptare me variantet e invariantet në trevat e Jugut ortodoks, reminishencat e të cilave i gjejmë më të sistemuara në folklorin e vjetër arbëresh.
Një makro-njësi tjetër kulturore e kësaj periudhe nis të provokohet në Veri: bashkë me pushtimet sllave të qyteteve e trevave shqiptare, rënies së statuteve, lindin formacionet e para që përcaktojnë një kod etik të ri dhe një model sjelljeje tipike kalorsiake. Nis, më saktë, të konturohet Eposi i Kreshnikëve, si kundërvënie e pastër ndaj hapësirës kanosëse të Tjetrit (shkjaut). Kjo ka qenë makronjësia më e madhe kulturore parashkrimore, e cila pati një evoluim, pasurim e jetëgjatësi më të madhe në kulturën shqipe, duke e ruajtur kodin dhe etikën kalorsiake (si tek eposi bizantin “Digenis Akritasi”) me komunikim të pandërprerë deri në Gegninë e poshtme (Krujë) deri në shekullin XX, pa llogaritur ndikimin e këtij modeli ndër shkrimtarë shqiptarë, si tek Fishta, për shembull.
Me pushtimin turk, si faktor i ndërhyrjes së jashtme në këto tekste kulturore (ikjes së fisnikërisë arbnore në jug të Italisë, kapitullimit të principatave, rënies së qyteteve me statutet e tyre), formësohet dhe ngjizet një tjetër repertor i tekstit kulturor: Kanunet. Kanuni në vetvete paraqet shkapërcimin e etikës kalorsiake dhe demonstrimin e vullnetit legjislativ të vetëdijes së sociumit. Nëse flasim për një parafenomen të Kanunit - atëherë linja e trashëgimisë së tij merr zanafillë ç'prej ligjvënësve antikë me Likurgun dhe Solonin (theksi i etikës stoiciste e spartane të kolektivitetit në Kanun), me të drejtën romake (me raportet e së drejtës individuale dhe kolektive, me theks hapësirën e individuales) - dhe me statutet e qyteteve shqiptare paraosmane (statutet e Shkodrës, Ulqinit, Durrësit, Drishtit dhe Budvës, të cilat ruhen deri më sot). Në ngjashmëri me to, edhe Kanuni krijoi harta të tjera analogjike, duke u zgjeruar sipas simptomash etnokulturore të përbashkëta e duke na dhënë Dinasti ose minirepublika–harta të tëra trashëgimie ku vetërealizohej dinamika e përditshmërisë së gjallë e psiqikës së kombit.
Interesante është se etika spartane e Kanuneve nuk i është kundërvënë etikës kalorsiake të eposit, më sak, nuk e ka keqdeshifruar atë, sikundërse ka bërë edhe në jug “Kanuni i Labërisë” në lidhje me baladat, këngët lirike, erotike.
2.
Historia e gjuhës dhe historia e gjuhës letrare – thotë shkencëtari semiolog Jurij Llotman – nuk mund të konsiderohen si disiplina të një sistemi të vetëm. Ato si rregull përfshihen zakonisht si pjesët e një shkence të përbashkët – të gjuhësisë historike.
Ndërkaq, historia e gjuhës letrare karakterizohet nga lidhja e pandërprerë me individualitetet e veçanta të shkrimtarëve, si dhe nga karakteri shpërthyes i procesit. Stadi shkrimor i kulturës shqiptare që nis me Buzukun, është gjithsesi “gjuhë letrare”. Po kështu, dhe letërsia e shkruar prej B-ve të mëdha, edhe i shkrimtarëve të tjerë të alfabetit latin, gjer tek De Rada. Megjithatë, të gjithë shkrimtarët e vjetër të letërsisë shqipe, deri tek De Rada – nëse i referohehemi periodizimit të Sabri Hamitit, përveç faktit dokumentar, kurrë nuk kanë patur kurrëfarë roli e ndikimi në një kontekst shoqëror, qoftë edhe brenda për brenda qarkut katolik. Dhe nëse kësaj nuk ia arritën priftërinjtë e ditur katolikë, as ortodoksët me Akademinë e Voskopojës nuk shkuan më larg me theksin e tyre ndaj gjuhës greke. Për çudi, ndikim më të madh duket se kanë patur bejtexhinjtë me larminë e tematikës laike e kryesisht gjendjet ekstatike lirike të poezisë së tyre në Shqipërinë e mesme me bejtet, çka përcaktoi një linjë të pandërprerë trashëgimie me romancat dhe këngët lirike qytetare deri vonë.
Madje dhe Jeronim De Rada, me të cilin fillon letërsia moderne shqipe (romantizmi), duket se ka qenë më i çmuar prej romantikëve të ekzaltuar europianë, të cilët e mbulojnë me lëvdata e komplimenta për “Miloosat” (Lamartini, F. Mistral, A. D. Mysje, V. Hygo), sesa prej poetëve shqiptarë gati të një kohe (Naimi, Çajupi, Fishta, Mjeda). Por edhe këta të fundit ishin në pikë të hallit, ngase misioni i tyre utilitar si rilindas kërkonte tjetër gjë. Atyre u duhej t’i ndërgjegjësonin bashkatdhetarët e tyre se së pari, ata ishin shqiptarë, së dyti, se të jesh shqiptar është një fakt krenarie, së treti, se gjuha shqipe nuk është inferiore, por një “zonjë” dhe së katërti, vetëm pasi të jenë mirëkuptuar të gjitha këto të vërteta në vetëdijen e secilit, do mund të shpresonin për një lexues hipotetik të veprës së tyre. Kjo e shpjegon se pse janë shkruar aq shumë poezi mbi “gjuhën shqipe” nga poetët tanë të shekullit XIX. Megjithatë, i gjithë procesi letrar i shek XX, ka patur një zhvillim të ngadaltë, pa arritur të ndikojë ndjeshëm në ndonjë vetëdijësim për identitet kulturor e as për ndonjë shkallë komunikimi, ndryshe nga sa ka propaganduar ideologjia komuniste.
Ndër Rilindasit tanë dhe njëkohësisht ndër të gjithë ideologët tanë të hershëm e të rinj, nuk ka patur devizë të identitetit shqiptar më të qartë e më të saktë për vetëdijen shqiptare, sa sa vargu i Pashko Vasës “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht shqyptaria”, çka përkon me kulmin e vonuar të filozofisë nacionaliste kësoane të Ballkanit, të përpunuar nga romantikët gjermanë në të hyrë të shek XIX. Por ajme! edhe në këtë rast, jehona e përndezur e lëvizjeve të suksesshme nacionaliste, vinte si kofini pas të vjeli. Gjithësej, dobia e këtij pathosi ambivalent, prej një intelektuali ambivalent drejtuar një kombi ambivalent, rizgjoi më së mbrami një vetëdije po ambivalente, e cila i mëshonte, sipas rasave, herë njërit element të përbashkët e herë një tjetri, karshi hapësirës kanosëse të Tjetrit. Shqipëria – një bashkësi etnokulturore me strukturë trenare (religjionet) dhe me një identitet të vetëm (gjuha), fillon të komunikojë për herë të parë mesvedi vetëm në dhjetëvjeçarin e dytë të shtetit të saj të parë, në kohën e Mbretnisë. Iluministët shqiptarë, idealistët e vërtetë që janë rrekur për të ndërtuar modelet utopike të një Shqipërie me një profil kompakt, autentik e vetidentifikues, e kanë parë realizimin e mundshëm të kësaj utopie kryesisht tek Gjuha Shqipe dhe kultura e kësaj gjuhe, tek krijimi i një kulture dhe letërsie unike, ku të pikëtakohen të gjithë elementet me tendenca centrifugale. Duke kërkuar e synuar qendërzimin në një identitet të fortë gjuhësor e kulturor, inteligjencia shqiptare e fundit të shekullit XIX dhe ajo e gjysmës së parë të shek XX, gjakonin për kah disiplinimi i kaosit dhe anarshisë së faktorit kulturor e religjioz (tre qarqet), mendor, social e ideologjik (struktura etnopsikologjike e zakonore, klasore, pasionet politike), ata ishin edukatorët e një nacionaliteti të ri që do t’i prezantohej botës si njësi etniko-shtetërore me strukturë shpirtërore trenare, shumësi dhe identitet njëherësh, ku pikëtakime fatlume të ndryshueshmërive do të ishin – zhvillimi gradual dhe shpërthyes i mikro dhe makro-njësive kulturore.
3.
Të ashtuquajturit vite ’30, janë vitet e sintezës së gjithçkaje të krijuar më parë në kulturën shqiptare. Qëllimisht nuk po them letërsisë, pasi letërsia, edhe pse zinte vendin qendror, tashmë ishte vënë nën kontekstin e përgjithshëm të një vlerësimi e interpretimi kritiko-estetik, krahasues e klasifikues dhe gjëllinte përfundimisht në suazën e shkencës së letërsisë, duke përfshirë pothuaj gjithë llojshmërinë e zhanreve deri tek publicistika dhe përkthimi me rrjetin e fuqishëm e cilësor të botimeve, revistave, gazetave, almanakëve, antologjive shkollore dhe folkloristikës, e cila ç’prej botimeve nëpër revista, u botua në serinë “Visaret e Kombit”. Kësisoj, krahas zhvillimit dhe fqinjësimit të zhanreve të tjera, lulëzimit dhe hyrjes në skenë të sprovave të para gjuhësore, antropologjike, filozofike, sociologjike, ekonomike, etj., letërsia filloi ta shohë veten tanimë gjithnjë e më ngushtë me status e kontekst kulturologjik mbarëshqiptar, çka dhe ishte ëndrra e vërtetë e intelektualëve shqiptarë të kohës.
Kultura shqiptare kurrë nuk e kishte parë veten më të çlirët, më pa komplekse, më autentike dhe më ëndërruese e të gjallë se në këto vite. Ky “boom” i vërtetë e aq premtues vinte duke u konsoliduar me kontributet përplot dashuri të intelektualëve tanë shkolluar jashtë. Kurrë nuk ka patur në historinë kulturore shqiptare një etje, mall, dashuri e përkushtim ndaj gjuhës shqipe dhe nocionit të papërlyem të fjalës “atdhe” se sa në këto dekada shqetësimi të vërtetë, për të themeluar një vetëdije shqiptare reflektuese, racionale e vetëkritike, një ethe për të pastruar vetëdijen e shqiptarit nga ndryshku mendor, për ta aftësuar atë përballë një kahu tjetër civilizmi që s’duhej të kish më gjë të përbashkët me ndryshkun e shekujve të shkuar.
Pikërisht në këtë kontekst, duhet kundruar edhe pathosi kulturor, thënë më sak, lëvizja kulturore e viteve ’30. Debatet dhe polemikat proverbiale të Konicës, Fishtës, Nolit, Merxhanit, Zavalanit, Krist Malokit, Koliqit, Kutelit, Bulkës, S. Rizës, J. Rotës etj., kishin në thelb të njëjtin shqetësim: kërkimin e shenjës. Edhe më të shquarit, tashmë klasikët më të padiskutueshëm të modernitetit tonë letrar, Kuteli, Poradeci, Koliqi dhe Mekuli, janë vërtetimi më i mirë i kësaj paradigme.
4.
Kur vështrojmë përpara, shohim rastësinë. Kur shohim prapa – këto rastësi bëhen për ne ligjësi! Dhe prandaj historiani sheh gjithnjë veçse ligjësi, sepse ai nuk mundet të shkruajë atë histori e cila nuk ndodhi. Nga ky pikëvështrim, historia, në të vërtetë, është njëra prej rrugëve të mundshme. Rruga e realizuar është në të njëjtën kohë humbja e rrugëve të tjera. Gjithë kohës diçka përftojmë - dhe gjithë kohës diçka humbim. Çdocili hap përpara është humbje... Dhe ja, këtu ndeshemi me domosdoshmërinë e artit.
Nëse citojmë babain e semiotikës, Juri Llotmanin, Arti”... na jep aventurën e rrugëve të papërfunduara, d.m th., të asaj që nuk ndodhi... Dhe historia e së pandodhurës është madhështore dhe shumë e rëndësishme. Arti është prore mundësia për të përjetuar të papërjetuarën, e kthimit prapa për ta riluajtur dhe ribërë sërishmi. Arti është përvoja e asaj që nuk ka ndodhur. Ose e asaj që do të ndodhë”.
Ajo çka ndodhi me “boom”-in kulturor të viteve ’30, është një rastësi (e dikurshme) e shndërruar në ligjësinë fatale të historisë shqiptare. Gjithë sa ndodhi më vonë, me natën komuniste dhe shkatërrimin e strukturës etnopsiqike, etnokulturore të shqiptarit, zhdukja, jo vetëm e njerëzve që inaguruan “kohën e artë” të letërsisë e kulturës tonë, por edhe e shenjave që lanë ata dhe zëvendësimi i këtyre shenjave me propagandë, sllogane, rituale që gradualisht sillnin dezintegrimin e personalitetit dhe, më së mbrami, “qethja e gjuhës” shkurt, si rekrut dhe tredhja graduale si e jeniçerëve, dëftejnë se ç’prej fundi përposh, thellë e përthellë vetëdijes sonë plazmike, rron arketipi i pavetëdijshëm i vetëshkatërrimit nacional deri në kufijtë e fikjes, prore pa e mbërritur fikjen. Periodiciteti me të cilin shfaqet në historinë e shqiptarëve, të bën përnjëmend të dyshosh mos vallë në kodin tonë duhet kërkuar me ngulm e gjetur ai tumor i padukshëm që jep therje e konvulse paralajmëruese e ne nuk ua vëmë veshin, por që mandej behin mu në momentet më të paparashikueshme? Mos duhet të jemi më të ndjeshëm ndaj zërit të Kasandrës dhe, nisur, së paku nga përvoja aq e shumtë e poaq e hidhur e shkretimit total që solli gjysma e kuqe e shek XX ndër ne, ta shohim atdheun të lirë tek gjuha dhe–pandashëm–tek kultura e kësaj gjuhe?
5.
Kanë kaluar mëse 10 vjet ç’prej se ligjërisht, thonë, gjuha konsiderohet e “çpranguar”. Megjithatë, ajo që e krijon gjuhën, - vetëdija gjuhësore–vazhdon të jetë po ajo, e pranguar, e cunguar, e tredhur. Vetëdija e kastrimit të përgjithshëm gjuhësor mbetet po ajo që ka qenë: tentativat e saj i kapim lehtë, bie fjala, në integrimin e autorëve shqiptarë në programe mësimore dhe politikën diskriminuese të teksteve shkollore e universitare ndaj tyre, ndër botime antologjish që prezantojnë letërsinë shqipe brenda e jashtë vendit, në strategjinë e izolimit hermetik të vlerave kulturore gjithëshqiptare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni-Diasporë dhe, së mbrami, në heshtjen dhe mosrehabilitimin ende të disa prej figurave më të fuqishme të letërsisë sonë, që janë edhe njëkohësisht mediume gjuhësore të shqipes. Nuk është hedhur dritë mbi kërdinë e madhe që është bërë me punën intelektuale të veprave të sekuestruara nga diktatura, - me dhjetëra e dhjetëra fjalorë e gramatika të shqipes, që gjithashtu i janë sekuestruar priftërisë katolike.
Jam i sigurtë se strategjia që ndjekin sot institucionet dhe dhjetëra organizata shtetërore e gjysmështetërore, të fryra cit më cit nga po ato personazhe gjakatare të diktaturës, synojnë që krimi i bërë ndaj gjuhës dhe letërsisë, thënë më gjerë, kulturës shqipe, jo vetëm të mos kujtohet, jo vetëm të mos merret në shqyrtim, porse të thellohet me të gjitha mjetet, e njëjta paradigmë veprimi siç ka qenë në pikun e enverizmit.
Triumfi i modelit ideologjik stalinist në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë, e ndërpreu përfundimisht modelin e strukturimit trenar të shoqërisë shqiptare me pikëpuqjen e vetme në identitet: kulturën shqiptare.
Ne do të na duhet një punë e idealizëm po aq, në mos më i vështirë se i intelektualëve shqiptarë në fillim të shek XX, për t’iu rikthyer vazhdimësisë së projektit të tyre ideal, pikërisht duke ringritur e rivlerësuar, pra, duke i mëshuar kësaj tradite, duke e lënë shkretë periudhën komuniste 50-vjeçare e duke u ndalur veçse në tre-katër stacione të rëndësishme dhe për t’u lidhur mandej me letërsinë e pas viteve ’90. Rimishërimi i kulturës së viteve 30’ në kulturën dhe letrat e brezit të viteve ’90, është rigjetja e formulës. Ky është mendimi im i ngulmët. Kështu, dhe arti e letërsia shqiptare do të përjetonin historitë e famshme të atyre që nuk ndodhën ose atyre që do të ndodhin.
6.
Modeli komunikativ kulturor që dominoi pas Luftës së Dytë e deri në vitet ’90, shkoi krejt në të përkundërt me utopinë e idealistëve rilindas dhe inteligjencien shqiptare të viteve 30-të. Kultura shqiptare u ndëshkua për të të ardhur keq – pikërisht në momentin e një boom-i kulturor, mu në pragun e shpërthimit, kur sapo hynte në komunikim me recepientin e saj. Përveç dezintegrimit të vetëdijes kombëtare e kulturore, kjo periudhë gjysmëshekullore stalinizmi në Shqipëri solli edhe një të keqe të madhe: tëhuajësimin e përllogaritur nga gegnishtja dhe tradita letrare gege. Përsëri, komunikimi kulturor brendashqiptar, prirej drejt një izolacionizmi e racizmi të ri, tashmë politik. Shkëputja e komunikimit me traditën e begatë të letërsisë së shkruar në gegnisht, tash mund të quhet thuajse e pariparueshme, në një kohë kur të gjithë nxënësit e studentët tanë janë në gjendje të përfshijnë në trutë e tyre gjithë hapësirën e gjuhëve europiane, përveç, natyrisht, gegnishtes.
Gjithashtu, stalinizmi i tipit shqiptar e pasuroi historinë e moskomunikimeve kulturore edhe me ndërprerjen e komunikimit me letërsinë shqipe në Kosovë, diskomunikim i cili sot na paraqitet në trajtën e Murit në mes, edhe pse nuk është më gjallë Enver Hoxha, edhe pse nuk ka më Millosheviç. Ndërkaq, ne nuk arrijmë asnjëherë të kemi dije mbi librat që botohen në Kosovë, mbi aktivitetet kulturore, mbi premierat, veprat shkencore, periodikët letrarë apo të përditshmet politike. Por, po përballemi edhe me një problem tjetër, kusuret e të cilit do t’i vuajë dhe shkenca e letërsisë. Përgjatë këtij 15 vjeçari, në “Historinë e Letërsisë shqiptare” nuik është shtuar asgjë e re. As nëpër auditoret e universiteteve tona. Brezi më i ri i shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës, i përfshirë në këtë Histori të Letërsisë Shqiptare, ka qenë asokohe në brezin e 30–35 vjeçarëve, ndërkohë që mosha e tyre sot ka kapur 40–45 vjeç, është rritur natyrshëm korpusi i veprave dhe rëndësia e pozicionimi brenda për brenda letërsisë. E njëjta gjë mund të thuhet për “klasikët e gjallë”, Ali Podrimjen me shokë. A është kjo një nga format e indiferencës, mosdashjes për komunikim?
Me këtë strategji të moskomunikimit qëndrojnë në kulturën tonë jo vetëm zhvillimet dhe dinamika kulturore në raport me pjesët (Kosova, Maqedonia, Mali i Zi) që e gjenerojnë këtë kulturë, por edhe brenda për brenda Shqipërisë, sipas boshtit Qendër-Periferi. Kjo mënyrë e braktisjes në gjendje natyrore të komunikimit, bëhet truall i begatë për “guerrile letrare” pa asnjë identitet të fortë kulturor.
Tek ne gjallon akoma makina e vjetëruar e “standardit letrar”, e cila në mungesë të një përtëritjeje, sulmohet dhe ironizohet dhe nëse ajo nuk riaftësohet për të shprehur gjithë dinamikën e energjisë së shqiptarëve si një komb në zgjim të madh, ajo do të bëhet pengesë serioze në shprehjen e shpirtit dhe psikës kombëtare.
Së fundi, në Shqipërinë postkomuniste, identiteti dhe shkalla e komunikimit rrezikojnë, ashtu sikundërse janë të braktisura në gjendje natyrore, të gëlltiten nga format e përçudshme të artit masiv globalist, gjerkur fytyra e brishtë e këtij identiteti të tretet në detin e kokakolizmit, bluxhinsit dhe mekdonalizimit të përgjithshëm. Atëherë, nuk ka pse merakosemi më për komunikimin. Shteti nuk ka për ta ndjerë fare, sepse shtetarit tonë, politikanit tonë, i duhen gjithsej-gjithsej 100-200 fjalë për të tjerrë ligjërimin e mërzitshëm, atij nuk i duhen më shumë fjalë se kaq. Rezistenca është detyrë e artistëve, e atyre që nuk mund ta kalojnë jetën dhe të vërtetat e qenieve të tyre me leksikun prej 100-200 fjalë të shpëlara, e atyre që e kanë ndjeshmërinë ndaj fjalës dhe kulturës. E atyre që pikërisht tek fjala, kultura dhe komunikimi kulturor ka të vetmin kuptim qenia e tyre.
* Ligjerate e mbajtur ne Akademine e Shkencave te Kosoves