E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Po përgatitemi për botërorin e matematikës”

30/05/2005  Nxënësi Keler Marku, 17-vjeç: Tashmë, jam i specializuar në një fushë

Keler Marku i Kolegjit Turk, në korrik do të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Matemtikës. Ai vazhdon të studiojë pasi, nga olimpiada në olimpiadë përgjegjësitë rriten

Keler Marku, fitoi medalje bronxi në Olimpiadën Ballkanike dhe së bashkume shokun e tij, Gjergji Zaimi, do të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, pas një muaji. Ai tashmë ka nisur të përgatitet për garën botërore. Olimpiada ballkanike u zhvillua nga data 4 deri 10 maj në Rumani, ndërsa ajo botërore do të zhvillohet nga data 8 deri 19 korrik në Meksikë. Tashmë, përgjegjësia dhe emocionet për dy konkurentët janë shtuar.

Ju e keni matematikën pasion, apo ishte një zgjedhje e rastësishme, në sajë të përpjekjeve dhe shtytjeve të prindërve, apo mësuesve?

Jo apak matemtikën e kam pasion , por sigurisht dhe duhet punuar për të.

Çfarë doni të arrini pas olimpiadës botërore?

Do të dëshiroja të vazhdoja shkollën jashtë shtetit, një universitet në Amerikë për ekonomi, ose ndoshta për matematikë të aplikuar.

Ju përgatiteni posaçërisht për olimpiadën e matemtikës?

Po, sigurisht, ne bëjmë kurse të avancuara me profesorë të Unviersitetit, dhe kjo na ka ndihmuar shumë. Së bashku me Gjergjin, jemi në një kurs, por Gjergji ka nisur përgatitjet dy-tre vjet para meje, ndërsa unë këtë vit. Ndërkohë, ne i japim “mësim”, i bëjmë kurs një tjetër nxënësi, Klevi Xhaxhos, që është në vit të parë.

Po në lëndët e tjera si jeni?

Sigurisht, jam shumë mirë në të gjitha lëndët e shkencave të natyrës, në kimi, biologji. Në Olimpiadën e Fizikës, kam marrë pjesë kur isha viti i dytë, por konkurentët nga vendet e tjera kryesisht ishin në vitin e katërt, pas kësaj nisa të përgatitesha për matematikë.

Si hytë në Kolegjin Turk, pasi dihet që ky kolegj përgatit vazhdimisht nxënës, që marrin pjesë në olimpiada dhe përgatiten për të vazhduar studimet në Universitetet jashtë?

Kur ishim në klasë të gjashtë, së bashku me Gjergji Zaimin, fituam Olimpiadën e Matemtikës dhe të dyve na afroi, na mori Kolegji Turk. Kështu, që nga klasa e shtatë, unë jam në këtë kolegj. Sigurisht që jemi të stimuluar nga Kolegji, për shembull, vjet isha me bursë të plotë, këtë vit me gjysmë bursë, ndoshta vitin tjetër fitoj përsëri bursë të plotë.

Si e ndjeni veten në biseda me bashkëmoshatarët tuaj?

Dakort, unë tani jam i specializuar në një fushë, por kjo nuk ndikon në marrëdhëniet e mia me të tjerët. Ne me shokët nuk bëjmë biseda intelektuale, bëjmë muhabet për t’u argëtuar, për të qeshur dhe mes njëri-tjetrit nuk tentojmë që të tregojmë se sa dimë, apo se kush ka njohuri më të larta.

Shtatë maturantët e olimpiadave

“Do të studiojmë jashtë, po do të punojmë në Shqipëri”

Gjergji Zaimi, Klevi Xhaxho, Andi Beqiri, Olta Tafaj, Jora Xhaxho, Orjada Kula dhe Keler Marku, janë maturantët që kanë fituar në disa olimpiada. Klevi Xhaxho, 15-vjeç, fitues në olimpiadën matematike të Tiranës dhe më tej fitues i medaljes së argjendtë në Olimpiadën Shkencore në Singapor. Motra e tij, Jora Xhaxho si dhe, Andi Beqiraj, Orjada Kulla, Olta Tafaj, që të gjithë fitues të olimpiadave kombëtare në Matematikë, Kimi e Biologji. Jora, Orjada dhe Olta, që të tria maturante, do të studiojnë në Francë, Itali dhe Austri. Kanë aplikuar dhe kanë marrë ndërkohë dhe OK-in pozitiv nga universitetet që kanë zgjedhur. Jora, fituese e vendit të tretë në olimpiadën kombëtare të Biologjisë, ka preferuar të studiojë Mjekësi në Francë. Orjada, fituese e vendit të tretë në olimpiadën kombëtare të Kimisë, do të studiojë Ekonomi në Itali, ndërsa Olta e para e Kimisë në Tiranë dhe në dhjetëshe në rang vendi, ka zgjedhur Austrinë, ku do të vazhdojë gjithashtu për Mjekësi. Megjithatë, secili prej tyre thotë se do të kthehen në Shqipëri për të punuar.

Këtë vit, Kolegjet turke mbushin 10 vjet që nxjerrin maturantë dhe të diplomuarit e të gjithë viteve, do të mblidhen këtë fundviti akademik. Pritet që të marrin pjesë të gjithë, dhe ata që janë shkolluar jashtë, edhe ata që vazhdojnë Universitetet shqiptare.

Kërkesa e vigëlushes nga Durrësi gjen zgjidhje

Merisa Gjoka, gjeniu i fundit i Kolegjit Turk

Kërkesa e Merisa Gjokës, vajza që para dy javësh mbushi 5-vjeç, gjeti përgjigje. Këtë shtator, ajo do të nisi klasën e parë në Kolegjin Turk. Ishte Drejtoria Arsimore e rrethit të Durrësit, e cila i bëri një kërkesë Kolegjit turk, për të pranuar këtë vajzë, të cilësuar nga ekspertët si gjeni. Në disa letra rresht drejtuar Minsitrisë së Arsimit, Kryeministrit dhe Presidentit, ajo kërkonte që të vazhdonte ndonjë kolegj të mirë, mundësisht jashtë shtetit. Megjithëse, jo jashtë, asaj dëshira iu plotësua, duke u shkolluar në një kolegj të huaj dhe me prindërit afër, për vetë moshën e vogël që ka. Merisa Gjoka, është nga fshati Manëz i rrethit të Durrësit. Pa mbushur ende 4-vjeç, ajo nisi të shkruajë e të lexojë rrjedhshëm gjuhën amtare. Si i tillë, rasti befasoi tërë opinionin publik vendas.

Një vit më parë, inspektorët e Drejtorisë Arsimore i bënë një testim, ku vlerësuan njohuritë e saj. Ministri i Arsimit, Luan Memushi, e quajti publikisht fëmija-gjeni dhe i fali një shumë simbolike 1000 euro, një enciklopedi dhe një libër të tij. Por, prindërit e Merisës, do të donin një ndihmë më të qenësishme se kaq. Këto ditë, Merisa iu nënshtrua dhe një testimi tjetër dhe sot, do të regjistrohet në kolegj, së bashku me nxënësit e tjerë që kanë fituar të drejtën, që të hyjnë në këtë shkollë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›