E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbara i letrës

Kumbara i letrës së AAK’së, me të cilën propozohej prishja e koalicionit qeveritar dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nacionale, është Eqrem Kryeziu, Nënkryetar i Parë i LDK’së. Kështu së paku mund të kuptohet nga fjalët e zyrtarëve të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, megjithëse Kryeziu thotë se nuk është as autor as bashkautor i propozimeve.

Partia e Ramush Haradinajt, e cila ka bërë përpjekje të mëdha që t’i shkurorëzojë partnerët e koalicionit qeveritar PDK-LDK, për t’u rikthyer vetë në pushtet, duket se u josh nga bisedat me Eqrem Kryeziun para se të vendoste t’i shkruante letër presidentit Fatmir Sejdiu.

Konsultimet - nga të cilat u hartua letra - janë mbajtur në javën e fundit të nëntorit dhe në dhjetor, pas disa zhvillimeve që lëkundën themelet e Qeverisë së koalicionit të Kryeministrit Hashim Thaçi.

Zyrtarë të lartë të Aleancës, nënkryetari Blerim Shala dhe sekretari për organizim, Blerim Kuçi, kanë biseduar në Prizren me Eqrem Kryeziun, numrin dy të LDK’së. Këtë e ka konfirmuar për Express Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK’së.

Ai ka folur për komunikimin mes dy partive nga të cilat rrodhën propozimet e AAK’së.
“Kontaktet e para me zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë filluar menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve, duke insistuar që bashkë me zotin Eqrem Kryeziu t’i shohim mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Kanë ndodhur disa takime mes udhëheqjes sonë dhe zotit Kryeziu në Prizren dhe kemi menduar se ka hapësirë që të japim propozimin tonë në mënyrë të shkruar. Këtë edhe e kemi bërë”, ka thënë Ramadani për Express, të enjten.

“Letra i është dhënë Eqrem Kryeziut më 5 janar, i cili sipas informatave tona, menjëherë e ka dërguar te presidenti Sejdiu”, ka theksuar ai.

Por, Eqrem Kryeziu, megjithëse nuk e mohon se ka pasur takime me zyrtarë të AAK’së, nuk pranon se ka ndërlidhje mes tij dhe përmbajtjes së letrës.

“Ne kemi pas kontakte. Tema ime ka qenë organizmi i zgjedhjeve në Prizren të Lidhjes për Prizrenin, ku në koalicion ka qenë edhe AAK’ja dhe unë kam shkuar për atë qëllim. Por, ndër të tjera, kanë ra edhe mundësi të tjera, biseda se çka mund të bëhet për Kosovën ose për zhvillimet politike në Kosovë. Por, unë nuk jam autori i asaj letre e as koautor. Kush e ka hartuar atë prej Aleancës nuk e di, por autorësia është totalisht e tyre”, ka thënë ai për Express.

Nënkryetari tjetër i LDK’së, Lutfi Haziri, thotë se nuk ka ditur gjë që kolegu i tij partiak ka biseduar me Shalën dhe Kuçin. “Unë nuk kam qenë në dijeni absolutisht. Por, një lloj komunikimi edhe bashkëpunimi me AAK’në ka ekzistuar prej kohës së qeverisjes LDK-AAK. Por, për këtë punë specifikisht nuk kam qenë në dijeni. Për letrën kam kuptuar më vonë te presidenti Sejdiu, para se të publikohet ajo në media”, ka thënë Haziri.

Për letrën e cila po të pranohej do të duhej nënshkruar nga Fatmir Sejdiu, Eqrem Kryeziu dhe Ramush Haradinaj e Blerim Shala, nuk pati përgjigje deri më 23 shkurt, kur liderët e dy partive u takuan në Presidencë. Sejdiu refuzoi tërësisht ofertën politike të Haradinajt.
“Realisht ne i kemi dhënë hapësirë kohore të mjaftueshme LDK’së për të gjetur formën e bashkëpunimit apo për të diskutuar propozimin tonë. Propozimi ynë nuk ka qenë përfundimtar. Ka qenë subjekt i negocimit. Por, fatkeqësisht, elektorati i LDK’së ka një udhëheqje, e cila është vërtet e ngurtë dhe për bindjen time nuk i kupton rrjedhat politike në mënyrën ma të mirë të duhur”, thotë Burim Ramadani.

Ai hedh akuza të rënda ndaj partisë së tij të dikurshme.

“Është fatkeqësi për elektoratin e LDK’së që ka këtë udhëheqje. Është çështje që kryesisht lidhet edhe me pjesën e bizneseve të udhëheqjes së LDK’së me udhëheqjen e PDK’së dhe definitivisht udhëheqja e LDK’së nuk është në gjendje ta ndërpresë këtë keqqeverisje që po ndodh, duke marrë definitivisht përsipër edhe autorësinë e vet në këtë nivel të rëndë të qeverisjes, korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë”.

Ramadani paralajmëron intensifikim të rolit opozitar të AAK’së, por tani, jo vetëm ndaj PDK’së, si partneri më i madh i Qeverisë. “Pikësynimi ynë i mëtejshëm do të jetë një opozitë dhe një alternativë e qartë ndaj këtij mentaliteti qeverisës që përbëhet nga PDK dhe LDK. Për ne, udhëheqja e dy partive kanë të njëjtin mentalitet qeverisës. Qeverisja e këtij niveli të ulët i ka adresë PDK’në dhe LDK’në”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›