E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet demantohen në praktikë

Në Komunën e Novobërdës ligjet nuk ia dolën të zbatohen siç janë dizajnuar – për t’i akomoduar serbët me procesin e decentralizimit.

Në këtë komunë tani duhet me vetëdije dhe sipas marrëveshjes të shkelen ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, vetëm e vetëm që serbët të mund të përfshihen në institucione. Me zgjerimin e komunës pas decentralizimit, në Novobërdë jetojnë 68 për qind popullsi serbe, 32 për qind shqiptare. Këta të fundit, edhe pse minoritet, e udhëheqin Komunën.

Posti i nënkryetarit për komunitete, zëvendës kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe drejtorit të Zyrës Lokale për Komunitete, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale u takon komuniteteve pakicë që janë mbi 10 për qind në komunë.

Në këtë rast, pasi shqiptarët janë pakicë, sipas ligjit, u takojnë këto poste. Por, me këtë rast serbët do të mbeteshin pa përfaqësim fare.

Andaj, sipas marrëveshjes mes Ministrisë së Pushtetit Lokal, Komunës së Novobërdës dhe me këshillë të ICO’së, në këtë komunë do të veprohet në bazë të gjendjes e jo sipas ligjeve.

“Në Novobërdë ka ndodh diçka që nuk ka qenë e paraparë të ndodhë me ligj. Këtu dy të tretat e popullsisë janë serbë. Mosdalja e tyre në masë të mjaftueshme në zgjedhje ka sjellë rezultat ndryshe dhe komuna tani udhëhiqet nga kryetari i komunitetit pakicë këtu.

Në Ligjin për vetëqeverisje lokale parashihet që në komunat, ku ka komunitet pakicë mbi 10 për qind, atëherë duhet ta ketë një nënkryetar nga komuniteti pakicë. Dhe në këtë rast, sipas ligjit, ai nënkryetar duhet të jetë shqiptar”, konfirmon për Express kryetari i Novobërdës Bajrush Ymeri.

Me krijimin e kësaj gjendjeje, emërimet e nënkryetarëve janë stopuar përkohësisht dhe ende nuk është emëruar nënkryetari.

“Ne jemi konsultuar me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe me ICO’në dhe kemi vendosur se, edhe pse nuk u takon me ligj, të emërojmë një nënkryetar serb dhe zëvendëskryesuesin ta bëjmë nga komuniteti serb”.

Kryetari Ymeri tha se për shkak të vullnetit të përgjithshëm nacional për integrimin e komunitetit serb, ka vendosur që edhe pse mund ta bëjë qeverisjen vetë, t’u ndajë drejtori edhe serbëve.

“Kam menduar mirë dhe kam vendosur që të kemi një qeveri funksionale dhe gjithëpërfshirëse. Nga dhjetë drejtori sa do t’i kemi, katra do të udhëhiqen nga komuniteti serb”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Sadri Ferati, është i njohur me gjendjen e krijuar në Novobërdë. Por, ai thotë për Express se zgjidhja ekziston dhe serbët do të kenë mundësi përfaqësimi në institucione.

“Me rëndësi është vullneti i institucioneve për t’i integruar dhe besoj se nuk do të ketë asnjë problem. Kryetari ka të drejtë t’i emërojë dy nënkryetarë. Në këtë rast ai njërin e emëron nga komuniteti serb dhe nuk do të ketë problem besoj”, tha ai.

Edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) i rekomandon kryetarit Bajrush Ymeri që t’i përfshijë serbët në qeverisje, pavarësisht gjendjes së krijuar me votat e qytetarëve të Novobërdës.

Zëdhënësi i ICO’së, Kai Mueller-Berner, thotë për Express se zgjidhja e situatës së krijuar nga rezultatet zgjedhore ne Komunën e posa formuar të Novobërdës është çështje e partive vendore dhe komuniteteve për ta zgjidhur duke u këshilluar mes vete.

“Ekzistojnë një varg postesh e pozitash, edhe në degët ekzekutive edhe në degët legjislative të qeverisjes komunale të cilat mund t’u ndahen anëtarëve të komunitetit serb në Kosovë. Marrë parasysh përbërjen e popullatës në atë komunë dhe synimet e procesit të decentralizimit, ICO’ja mbështet përfshirjen e më shumë serbëve të Kosovës në qeverisjen lokale. Inkurajojmë kryetarin e Komunës që të vazhdojë në atë mënyrë që të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Novobërdës”, tha ai.

Emërimi i zëvendëskryetarit për komunitete dhe i zëvendëskryesuesit në këtë komunë pritet të bëhet me 2 mars kur edhe do të mbahet seanca e Kuvendit Komunal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›