Kampioni i mundjes: Gjithë jeta më humbi nën gërmadhat
nga i derguari yne neGJIROKASTER
Një javë më parë i gjithë vendi u trondit nga lajmi që vinte nga Gjirokastra. Një pallat 5-katësh u shemb në lagjen “11 Janari”, duke zënë nën vete tre banorë të tij, ndërsa të tjerë i shpëtoi fati jetën, por i ka lënë pa strehë mbi kokë. Tani aty kanë mbetur vetëm gërmadha dhe ish-banorë të pallatit, që kërkojnë me ngulm të gjejnë një kujtim të mbetur nga jeta e tyre. Në morinë e kërkuesve nën rrënojat e pallatit të shkatërruar vëren edhe një burrë të shëndetshëm, i cili si të tjerët ka bërë detyrën e eksploratorit përgjatë ditëve të fundit, me qëllim gjetjen e sadopak jete të së shkuarës. “Ai skrepi e ka fajin, sepse prishi të gjitha gjurmët që premtonin se do të gjenim objektet tona”, shprehet Fejzo Aliaj, 57-vjeçari i njohur në Gjirokastër si një ndër korifejtë e sportit të mundjes, disa herë kampion i Shqipërisë me ekipin e Partizanit në vitet ‘70-‘80.
Ku keni jetuar gjatë këtyre ditëve?
Pasi kam qëndruar me familjen në hotel në ditët e para, tashmë jetoj te një prej të afërmve të mi, duke parë se ka kushte më të mira dhe hapësirë, kështu që zgjodha të jem në një shtëpi se sa në hotel. Jo se nuk më pëlqenin kushtet, sepse ato ishin mjaft të mira, por në shtëpi është më ndryshe.
Me çfarë merreni dhe ku punoni?
Jam bletërritës dhe ato që fitoj ia çoj fëmijëve që i kam në shkollë të lartë në Tiranë. Tani që më ndodhi kjo tragjedi, nuk di ku të përplasem të gjej lek për t’ua dhënë fëmijëve që i mbaj në Tiranë. Unë kisha një shumë të konsiderueshme të hollash që i mbaja në shtëpi, por fati e donte që ato të zhdukeshin e së bashku me to edhe një histori e tërë familjeje. Na thanë se nuk njihen të hollat që i kishim aty. Kjo për mendimin tim është e pafalshme. Një tjetër banor i pallatit pësoi traumë dhe shkoi në Greqi, pasi i humbën të 20 mijë eurot së bashku me apartamentin e rrëzuar. Ai i kishte siguruar si emigrant kur ishte për 14 vjet rresht. Nuk ka gjë më të dhimbshme se sa të jesh një familje pa të kaluar, pa histori dhe ky fat na ra neve. Më kanë humbur fotografitë që kisha qysh në fëmijëri, fotot e prindërve të mi, të afërmve dhe trofetë që i kam fituar në vitet ’70, ku kam qenë kampion në mundje me Partizanin apo dhe ekipe të tjerë të vendit. Kjo është një tragjedi e vërtetë.
E keni ndjerë mungesën e pushtetit lokal?
Të them të drejtën nuk e kemi ndjerë, pasi kryetari Flamur Bime na ka qëndruar pranë si dhe përfaqësues të Prefekturës së Gjirokastrës, që me këtë rast dua t’i falënderoj sinqerisht për mbështetjen që na kanë dhënë. Na kanë krijuar kushtet optimale për një qëndrim normal në hotel apo dhe ndihmat që na dhanë në ushqime, veshmbathje etj. Tani mbetet të mësohet se çfarë do të bëhet gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm, se dimër pritet dhe jo behar.
A i jeni drejtuar ndonjëherë kryetarit të bashkisë për shqetësimin e krisjeve në muret e shtëpisë?
Ndonëse ishim 14 familje në pallatin e rrëzuar, asnjëherë nuk bëheshin dy veta për të rënë dakord për një problem, e jo më të mblidhje banorët e të ankoheshe te kryetari i Bashkisë. Për këtë çështje ishte marrë personalisht Sokrat Papadhopulli, i cili kishte takuar përfaqësues të Bashkisë së Gjirokastrës për t’i përcjellë shqetësimin në fjalë, por gjithmonë në kuadrin e fjalëve dhe i vetëm. Kemi neglizhuar duke thënë se në këto raste askush nuk do t’ia dijë.
Çfarë ju është premtuar për akomodimin tuaj?
Na ka thënë kryetari i Bashkisë, Flamur Bime, se do të na akomodojë në apartamente, që do të paguhet qiraja nga shteti. Por kjo do të ndodhë së shpejti, megjithatë ky nuk është problemi kryesor tek ne. Bime na premtoi se pritet që qeveria të japë fonde për shtëpitë, por dua të theksoj se ne nuk kërkojmë shtëpi, por lekë, pasi po të na jepen lekët, i blejmë vetë shtëpitë ku dhe si të duam ne. Ky është jo vetëm mendimi im, por i të gjithë banorëve që humbën shtëpitë. Veç kësaj ne kemi humbur lekët tona aty, sepse i kishim brenda. Kush do të na i paguajë ato? Presidenti Topi tha se vlerësimi i shtëpive do të bëhet me çmimin më të lartë për metër katrorë që ekziston sot në treg dhe ne jemi në pritje të tij. Jemi tërësisht të mendimit se ne na duhen lekët dhe jo apartamentet dhe kjo u vendos dje në mbrëmje, kur jemi mbledhur mjaft prej banorëve duke kërkuar të hollat, pasi ne i blejmë vetë shtëpitë. Unë p.sh. nuk dua shtëpi në Gjirokastër, por në Tiranë dhe ato lekë që të më dëmshpërblejë shteti, unë do t’i përdor për të blerë një shtëpi atje, sepse fëmijët i kam në shkollë aty. Dikush këtu ka hedhur propozimin se i duhen lekët për të shkuar në Greqi për një jetë më të mirë dhe kjo është një gjë krejtësisht normale. Por e them me bindje se të gjithë janë dakord të marrin vetëm lekët.
“Prej 6 ditësh në hotel, në konvikt nuk ka kushte të mira”
GJIROKASTER - Prej gjashtë ditësh 6 prej familjeve të dëmtuara janë strehuar në hotel. Një prej tyre është dhe ajo e Ibrahim Brahos, 63-vjeçarit i cili në pallatin e tragjedisë jetonte bashkë me 7 anëtarët e tjerë të familjes.
Si ju duken kushtet në hotelin në të cilin qëndroni prej një jave?
Jemi mirë dhe sinqerisht nuk kemi ndonjë ankesë, sepse kushtet janë për së mbari dhe nuk mungon asnjë gjë. Edhe rrobat, të cilat na mungonin, sepse apartamenti u shkatërrua, na i kanë siguruar. Unë dua të falënderoj Kryqin e Kuq që na ka qëndruar pranë si dhe pushtetin lokal që përherë na ka përkrahur. Pas dy ditësh do të shpërngulem në një shtëpi me qira, sepse siç na thanë, qiranë do të na e paguajë Bashkia dhe Prefektura.
Sa veta banonit në apartamentin që u shkatërrua?
Në shtëpi me sistemin 2 plus 1 banonim plot tetë vetë. Unë së bashku me gruan dhe vajzën si dhe djali me nusen dhe fëmijët. Kishim hapësirë të konsiderueshme, megjithëse tetë persona nuk mund të rrinin në 120 metra katrorë. Megjithatë në katin e parë ku banonim kishte mundësi të bënim ndonjë shtesë për t’u zgjeruar, por ç’e do, ndodhi kjo që ndodhi dhe as shtesë nuk gëzuam dhe as katandi nuk trashëguam, sepse siç thonë e mori ferra uratën. Ikën të gjitha dhe nuk ngeli asnjë gjë, asnjë kujtim familjar, kjo po na vret pa masë.
Sa familje qëndroni në hotel?
Kur kemi ardhur që ditën e parë ishim gjashtë gjithsej, ndërsa mesa kam dëgjuar afro gjysma e tyre kanë ndërmend të largohen drejt Greqisë tek të afërmit e tyre, për të siguruar një jetë më të mirë. Do të doja dhe unë të shkoja, por jam i moshuar dhe veç të tjerave, kujtimin që kam këtu, nuk mund ta shuaj dot. Na thanë në fillim të qëndronim në konvikt, por nuk pranuam se në konvikt kushtet ishin më të vështira se sa në hotel dhe vendosëm të gjithë së bashku të 14 familjet të qëndronim në hotel dhe disa prej tyre tek të afërmit.