Shqipëria me dy burgje të reja në vitin 2009
TIRANË - Në fillim të vitit 2009 do të nisë puna për ndërtimin e dy burgjeve të reja, investime këto që konsiderohen të rëndësishme në fushën e infrastrukturës së burgjeve në Shqipëri, që pasojnë ato që kanë përfunduar apo po kryhen dhe gjatë këtij viti. Një nga burgjet e planifikuara për vitin e ardhshëm do të ndërtohet në qytetin e Shkodrës, ndërsa tjetri në Fier dhe, sipas projekteve, ato do të ofrojnë parametra bashkëkohorë. Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve thanë dje për gazetën se projektet për ndërtimin e këtyre burgjeve financohen nga Bashkimi Europian, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës së burgjeve në vendin tonë. Sipas të njëjtave burime, secili burg do të ketë një kapacitet për 710 - 730 të paraburgosur dhe të dënuar dhe do të jenë më të mëdhenjtë në vendin tonë. Ndërtimi i burgjeve të reja në Shkodër dhe Fier do të ketë impakt pozitiv në eliminimin e mbipopullimit në burgje e tjera, duke shënuar kësisoj një standard në trajtimin e njerëzve të privuar nga liria.
Policia e Kosovës zbulon një grup të trafikut të heroinës
Policia e Kosovës ka mundur të bëjë sekuestrimin e 3.5 kg heroinë në Gjakovë e Prizren. Në pranga kanë rënë dy persona që dyshoheshin se e trafikonin atë si dhe u sekuestruan municione. Kështu në Gjakovë, pas një sinjalizimi nga ana e qytetarëve, dje hetuesit e Njësisë të Hetimeve Transkufitare, të cilët veprojnë në kuadër të Departamentit kundër Krimit të Organizuar, zhvilluan një kontroll në një shtëpi në Gjakovë. Gjatë kontrollit të kryer u konfiskuan rreth 2 kg substancë narkotike e dyshuar si heroinë dhe një pistoletë e prodhimit “Zastava” të kalibrit 6.35 m. Në pranga ka rënë E. Nagavci, 25 vjeç, nga Gjakova. Dy ditë më parë, më 6 nëntor, rreth orës 18:00, Njësiti Regjional për Luftimin e lëndëve narkotike në Prizren, në fshatin Mushtishtë, në Suharekë, ka bërë kontrollin në shtëpinë e një personi të dyshuar se posedonte lëndë narkotike. Pas kontrollit të ushtruar në banesën e S. J., 28 vjeç, policia ka gjetur një sasi lënde narkotike të dyshuar si heroinë dhe 40 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Sasia e konfiskuar është 1 (një) kilogram e 532 (pesëqind e tridhjetë e dy) gram. Lidhur me të dy rastet janë duke u zhvilluar hetime intensive. Dyshohet se persona të tjerë mund të jenë të implikuar në tregtinë e paligjshme të lëndëve narkotike.
8 Nentor 2008