E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kumbaro: Si përqasa tragjedinë e Trojës me Uraganin

 

ALMA MILE

Tragjedia e gjithë botës është mbledhur në një. Ndodhi në Trojë, por vijon e përsëritet vazhdimisht. Qenia njerëzore është po ajo dhe tërbimi i natyrës po ashtu. Regjisori Arben Kumbaro e ka gjetur shumë aktuale tragjedinë e Euripidit “Gratë trojane”, të cilën e ka vënë në skenën amerikane të Universitetit të Lojolës në Nju Orleans. Vepra që u shfaq nga data 20-28 mars, u prit shumë mirë nga publiku, i cili ka vlerësuar, qasjen që regjisori shqiptar i ka bërë kohëve moderne dhe në veçanti tragjedisë së shkaktuar nga uragani “Katrina”. Në një intervistë, Kumbaro tregon për procesin krijues, punën me aktorët e rinj, sjelljen në kohë të veprës...
Sapo keni vënë në skenën e Nju Orleanit tragjedinë “Gratë trojane”, një variant i përshtatur nga Ellen McLoughlin. Ku ndryshon ai nga vepra origjinale e Euripidit?
Janë dy pjesë shumë të ndryshme me të njëjtën histori e të njëjtët personazhe. Adaptimi i pjesës së Euripidit të McLoughlin është një përpjekje shumë serioze për të sjellë në kohë një nga kryeveprat e dramaturgjisë së antikitetit grek. Vepra dramatike, apo pjesët teatrale të shkruara edhe para 2 mijë vjetësh nuk janë shkruar si të tilla, për t’i vënë në vitrinë dhe për t’jua treguar njerëzve – shiko sa interesant, se si kanë menduar e vepruar qeniet njerëzore, apo paraardhësit tuaj në antikitet.... Kryeveprat e antikitetit grek nuk janë shkruar për t’u vënë në  muze dhe nuk janë vepra muzeale. Ato mbartin ide dhe tema të fuqishme, shumë aktuale për kohën sot dhe mbase fshehin në mënyrë të mistershme një forcë komunikimi e katarsisi, të cilën është e vështirë, apo gati e pamundur për ta gjetur në veprat dhe dramat e teatrit bashkëkohor. Distanca në kohë i ka bërë idetë që ato mbartin, të konvertohen në referenca biblike për njerëzimin.  Kështu mund të thuhet, pa më të voglin dyshim, se “Gratë trojane” është një vepër monumentale kundër luftërave dhe pasojave që ato lënë, duke iu drejtuar çdo kohe e realiteti me të njëjtën fuqi e rezonancë, pavarësisht diferencave kulturore apo historike. Bile ka kritikë që thonë se është vepra më famshme kundër luftës e shkruar deri me sot nga dora njerëzore. Por nga ana tjetër duhet pranuar se veprat e antikitetit kanë një handikap sa i takon  mënyrës, estetikës dhe mjeteve të komunikimit, në raport me njeriun modern. Dhe kjo është mëse normale. Qenia njerëzore ka evoluar në mënyrë radikale në këto mijëravjeçarë dhe mjetet, mënyrat dhe format, me të cilat shprehet ai, kanë ndryshuar gjithashtu radikalisht. Thënë naivisht, spektatori sot, që ulet në të njëjtin gur të një amfiteatri grek si paraardhësi i tij para 2 mijë vjetësh për të ndjekur të njëjtën vepër të Euripidit, mban në xhepin e tij një telefon celular dhe natyrshëm prej andej mund të bisedojë në telefon me një të njohurin e tij në Tokio, apo Las Vegas, që sapo ka parë edhe ai të njëjtën vepër të Euripidit dhe që i komenton për mënyrën e trajtimit të saj dhe qëndrimin estetik, që ka mbajtur regjisori ndaj saj. Kështu pra e quaj krejtësisht legjitime ndërhyrjen në një vepër të tillë për ta përkthyer atë në kohë dhe hapësirë dhe për t’i dhënë të njëjtën forcë impakti tek publiku si para dy mijë vjetësh.
Ç’kuptoni me “variant tjetër” të tekstit”?
Në variantin e McLuoghlin janë ruajtur krejtësisht kodet e komunikimit të veprës në antikitet, emrat e personazheve ngjarjeve, ritualiteti, por ka ndryshuar struktura e gjuhës. Është përkthyer narracioni në epokën tonë, duke respektuar unitetin dhe dramaticitetin e ngjarjeve. Janë hequr për shembull personazhe si Menelau apo Athina, që pak ndikojnë në zhvillimin e ngjarjeve, ndërsa personazhi i Helenës është zhvilluar më tepër si për të nënvizuar absurdin mitik të shkakut të luftës së Trojës, si dhe të gjitha luftërave sot në botë. Them se ajo e ka sjellë në kohë me shumë inteligjencë, duke ia përshtatur veprën psikologjisë së publikut sot.
Pse zgjodhët pikërisht “Gratë trojane” për të vënë në skenë?
Në fakt, unë isha ftuar për të vënë një vepër të Antikitetit si një regjisor, që vij nga Ballkani dhe më ishte lënë hapësira e lirë e vendimmarrjes. Zgjodha “Gratë trojane” sepse është një vepër tragjike, posttragjedi.. Nju Orleansi, qyteti ku unë realizova produksionin, njihet në botë për dy gjëra. Është qyteti ku lindi dhe u zhvillua muzika xhaz. E dyta është tragjedia e uraganit “Katrina”, që ndodhi para disa vitesh. Ka qenë me të vërtetë një ngjarje tragjike, ku gjetën vdekjen mbi 3 mijë vetë dhe pothuaj i gjithë qyteti u përmbyt e u shkatërrua.
Është pikërisht kjo arsyeja pse zgjodha këtë vepër. Vetë reagimi i publikut pas shfaqjes më bind përfundimisht që zgjedhja ishte mëse e drejtë. Shfaqja është pritur shumë mirë. Arti teatral nuk i bashkon njerëzit vetëm gjeografikisht. Ai i bashkon ata edhe në historinë e tyre. Spektatori amerikan kur ulet në teatër të shohë Euripidin, ndjen sikur ka në karrigen ngjitur spektatorin e para 2 mijë vjetëve. Ata shohin e ndjekin të njëjtën histori.
Cilat janë fijet lidhëse mes tragjedisë antike dhe atyre moderne, si në rastin e uraganit “Katrina”, apo luftërat ballkanike të shek. XX?
Një nga gjërat e pakta që nuk ka ndryshuar në logjikën e njerëzimit në mijëvjeçarë është mekanizmi me të cilën funksionon lufta dhe mënyra se si reagojnë ata më pas, duke e konsideruar atë një absurditet i keqkuptimit njerëzor. “Gratë trojane” merret pikërisht me logjikën absurde të luftërave njerëzore dhe pasojat që lënë ato. Kjo vepër është vënë mijëra herë në botë dhe me shumë sukses. Mund të përmend vënien e saj në Dublin, Londër, Tokio dhe sigurisht në atdheun mëmë të saj, Greqinë, si dhe së fundmi në Shqipëri. Shfaqe për të cilat unë kam lexuar artikuj e analiza para se ta vija. Kjo më ka shtyrë që shfaqen ta lidh kryekëput me vendin ku ajo do shfaqej dhe njerëzve të cilët ajo do ju drejtohej. Aktualizimi i saj ka qenë qëllimi im kryesor. Po ju përmend vetëm një detaj. Në fund të veprës Euripidi flet për një tjetër tragjedi natyrore, siç është tërmeti duke hequr një paralele midis fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga luftërat njerëzore. Unë e kam zëvendësuar imazhin e tërmetit me atë të Uraganit. Në fund të shfaqjes kam vendosur ventilatorë të fuqishëm në skenë që imitojnë erën dhe mbi platformë vërshon një sasi e madhe uji, realisht si për t’ju kujtuar nju-orleanësve fatkeqësinë që ju shkaktoi uragani para katër vjetësh. Impakti ishte me të vërtetë befasues..
A janë të pranishme në këtë variant, vajet e korit të grave...?
Pa dyshim. Kori është thelbi jetik i tragjedive antike. Ato nuk mund të ekzistojnë pa praninë e korit si element estetik dhe strukturë narracioni. Ndërsa sa i takon vajeve, “Gratë e Trojës” është njohur ndryshe në historinë e teatrit botëror, si vepra unikale e vajtimit dhe vajtojcave. Rituali i vajtimit është skeleti i kësaj vepre. Në fakt është një vepër pa fabul, pa një strukturë klasike, fillim, pikë kulmore dhe fundzgjidhje. Fare mirë, atë çka ndodh në fund të veprës, mund ta vendosësh në fillim dhe kjo nuk e ndryshon atë. Kjo gjë e bën atë të vështirë në vënien në skenë dhe përbën sfidë për çdo regjisor. Një nga gjërat e veçanta të kësaj shfaqjeje është pikërisht puna me korin. Kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me kompozitorin e njohur James Walsh. Gjetëm një gjuhë të përbashkët dhe them se ia dolëm mbanë të përkthejmë intonacionet e korit të antikitetit grek, në ritet e bluzit amerikan dhe intonacionet e kulturës muzikore të Nju Orleansit. Veç kësaj shfaqja është e shoqëruar nga instrumentistë dhe orkestër live, që i jep shumë ngjyrë dhe forcë.
Keni punuar me një grup studentësh, sa ju ka favorizuar, apo “penguar” ky fakt?
Nuk përbën asnjë pengesë. Edhe në produksionin e Tiranës, pjesa më e madhe korit ishin studentë. Entuziazmi i tyre është shumë frutdhënës në kësi lloj punësh. Padyshim nuk do ishte keq të kisha një aktore më të madhe në moshë për Hekubën, por nga ana tjetër kjo më ka shtyrë për të kërkuar rrugë të reja përqasjeje me veprën. Nuk është hera e parë që unë kam punuar me pretendime profesionale me studentë. Pastaj, këtu gjithçka me shfaqjen ka të bëjë me standarde profesionale. Skenografia, kostumet, produksioni dhe postproduksioni. Gjithçka është mëse profesionale. Standardet e organizimit të punës dhe kërkesat janë me të vërtetë për t’u pasur zili. Vetë shitja e biletave dhe salla e mbushur plot, deri natën e fundit, e tregoi më së miri këtë gjë.
Sa ndryshojnë ata nga studentët shqiptare nisur nga formimi që ata marrin në shkollë?
Bëhet fjalë për të tjera standarde. Megjithatë mund të them se studentët janë njëlloj në të gjithë boten. Ata janë veçse të mrekullueshëm.
Ju ndërkohë jepni edhe mësim në universitet, ku konsiston lënda juaj?
Jap një cikël leksionesh dhe orësh praktike, për shkrimin dhe zhvillimin e një vepre të re dramatike. Aty nuk marrin pjesë vetëm studentë të teatrit, por edhe të letërsisë e gjuhës angleze. Secili nga ata duhet të dorëzojë në fund të programit një vepër dramatike të re, e cila lexohet në publik. 
Ndërsa jeni larg, sa po i ndiqni zhvillimet kulturore në Shqipëri?
E lexoj pothuaj përditë të gjithë shtypin. Po më thoni cilat janë ngjarjet kulturore, që ju kanë bërë më shumë përshtypje juve që jeni atje? Mos e keni fjalën për ngjarjen me ministrin e Kulturës? Në fakt, edhe kjo një ngjarje kulturore është... Mbase në fakt bëri shumë më tepër bujë se të gjitha shfaqet që vihen në opera dhe teatër, të marra së bashku. Këto janë paradokset e shoqërisë shqiptare sot. Është interesante se këto ditë ka ardhur në Shqipëri një grup xhazi amerikan, ndërsa këtu sapo ka filluar dhe do vazhdojë për dy javë rresht festivali më i madh i xhazit në botë. Nju Orleansi është djepi i xhazit dhe bluzit, qyteti, ku muzika nuk është kënaqësi dhe perceptim estetik i jetës. Muzika këtu është jeta vetë, apo mënyrë të jetuari...

Pasioni mesdhetar i Arben Kumbaros
Me pasionin mesdhetar, me dëshirën pafund për ta çuar diçka deri në fund në mënyrë të shkëlqyer, regjisori shqiptar i la pa fjalë kolegët amerikanë të Universitetit të Lojolës në Nju Orleans. Kishte aq shumë ide në kokë, saqë skenografit i duhej shumë mund për të realizuar imagjinatën e shqiptarit, që më shumë se çdo artist i çdo kombësie tjetër e ka ndierë pranë aromën e luftës. Nga data 20-28 mars, regjisori Arben Kumbaro ngjiti në skenën e Loyola University, në Nju Orleans një nga tragjeditë më të famshme të antikitetit grek. Bëhet fjalë për “Gratë trojane” të tragjedianit të madh grek, Euripidit, sipas një versioni të adaptuar nga dramaturgia amerikane Ellen McLaughlin. Një version, i cili e sjell tragjedinë greke më afër në kohë, e përshtat me gjuhën bashkëkohore të teatrit, për të ardhur më afër publikut bashkëkohor, i cili nuk jeton më në epokën e teatrove të gurta, por të teknologjisë së përparuar. Veçse logjika, ajo që lidhet me luftën ka mbetur e njëjta. Ndaj dhe regjisori heq paralele mes veprës së shkruar në vitin 415 përpara Krishtit me kohët moderne, duke iu referuar rajonit të nxehtë ballkanik, por edhe tragjedisë shkatërruese të uraganit “Katrina”. “Ndërsa punonim për të ndërtuar produksionin e “Grave Trojane”, Arbeni shpesh u ndesh me kushtëzimet tona. Për shembull, ne nuk mund të lejonim zjarrin në skenë. Si skenograf më është dashur shpesh të shqetësohesha nga problemet që i dilnin atij. Vizioni i tij dramatik për Trojën pas lufte, apo Nju Orleansin pas përmbytjes, ishte domosdoshmërisht i nevojshëm të ndiqej pas. Do të ishte një proces i vazhdueshëm kompromisi. Ai ia doli shumë mirë mbanë me këtë rrugëtim. Duke shtyrë vazhdimisht limitet e sigurisë, kohës dhe buxhetit, ai garantoi një seri vlerash të interpretimit dhe mënyrës të së treguarit të historisë, të cilat tingëlluan fuqishëm. Shfaqja jonë ishte e suksesshme”, - kështu shprehet Geoffrey Hall, ass/prof., realizuesi i skenografisë së shfaqjes “Gratë trojane”. Më tej, ai shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin e mëtejshëm, duke shpresuar në më shumë kohë dhe më shumë para, për të eksperimentuar të gjitha idetë krijuese, që sipas tij ndodhin shumë rrallë në teatrin amerikan.

Punë pasionante
“Është shumë mirë kur ke një artist të ftuar si Arben Kumbaro, nga një pjesë tjetër e botës, e ndryshme nga e jona, që sjell një këndvështrim tjetër të së parit të gjërave. Studentët mësuan një mënyrë tjetër të së punuarit dhe mund të dëshmojnë pasionin artistik që ka Arben Kumbaro. Në fillim të procesit ishte një lloj përshtatjeje e studentëve, të cilët nuk ishin mësuar me perceptimin mesdhetar e pasionant të së punuarit. Kjo formë pasionale rrëmbeu procesin e punës dhe frymëzoi publikun, i cili doli nga shfaqja me një eksperiencë të re”. Georgia Gresham, drejtuese e Departamentit të Artit Teatral dhe Dansit, Universiteti i Lojolës, Nju Orleans
 
Për tragjedinë “Katrina”
Produksioni i Arben Kumbaros sjell një perceptim therës, duke zbuluar Nju Orleansin, nëpërmjet vajtimit antik për një qytet të humbur. Zoti Kumbaro kishte krijuar një produksion thellësisht tronditës, në të cilin kishte zbuluar nga pjesa e Euripidit shumë jehona të Nju Orleansit të shkatërruar e të ndjekur nga rrënimi i mbrojtësve të tij. Nuk është e lehtë të udhëheqësh një grup aktorësh të rinj në prezantimin e një prej pjesëve më të vjetra të teatrit në botë. Por regjisori ia doli me sukses. John Biguenet, dramaturg, shkrimtar, profesor pranë Universitetit “Robert Hunter”

Shfaqje tronditëse
“Prania e Arben Kumbaros në Universitetin e Lojolës ishte një eksperiencë frymëzuese për studentët dhe pedagogët tanë. Ai është një artist i ftuar me një kreativitet të shquar, entuziast, inteligjent dhe me zemër. Mënyra pasionale e punës së tij është ngjitëse dhe e fuqishme. Rezultati përfundimtar ishte një produksion tronditës dhe i fuqishëm i “Grave trojane”. Çdo njeri i përfshirë në këtë projekt u ndje më pas, një qenie më e mirë, sepse Arbeni ndau talentin e tij me ne”. Patrick Gendusa, ass/prof/producent/menaxher, regjisor/aktor

Sukses i padiskutueshëm
“Produksioni i tragjedisë “Gratë Trojane”, me regji të Arben Kumbaros, ishte një ngjarje teatrale dhe sukses i padiskutueshëm. Profesori Kumbaro mjeshtërisht e udhëhoqi grupin e aktorëve të rinj drejt një produksioni me ngarkesë emocionale, i ndihmuar nga një zgjedhje inteligjente e skenografisë. Universiteti i Lojolës dhe komuniteti i Nju Orleansit ishin të nderuar të kishin mes tyre një artist ndërkombëtar dhe kaq të talentuar”. Elizabeth Schiro-Parent, profesore teatri dhe kostumografe, Universiteti i Lojolës 

Troja, historia e ricikluar në shekuj

Historia është po ajo. Euripidi e shkroi si një qëndrim qytetar ndaj kasaphanës që athinjotët bënë në qytet-shtetin e Melosit, pasi e pushtuan atë. Ishte viti 415 para Krishtit. Por ngjarja nuk mbaron aty. Ajo riciklohet në shekuj, ndoshta me të tjera emra e në të tjera vende, por fundi është i njëjti: shkatërrim. Pas mësymjes shumëvjeçare të akejve, Troja ra. Qyteti i lavdishëm i Priamit është kthyer në hi. Burrat janë vrarë të gjithë, ndërsa gratë janë kthyer në skllave. U kanë rënë në short, kapedanëve të luftës e ndërsa presin të marrin rrugën pa kthim, gratë, me në krye Hekubën, mbretëreshën plakë, vajtojnë fatin e zi, humbjen, gjëmën, të vdekurit dhe robërinë që i pret paskëtaj. Janë Hekuba, Kasandra, Andromaka.., dikur gratë e fuqishme të Trojës. Por është edhe Helena, që në variantin e Ellen McLaughlin, ka më shumë hapësirë, ndërsa mungojnë Athina, zonja e luftës dhe Menelau, burri i fyer, që sipas autores nuk ndikojnë në tensionin dramatik të ngjarjes.

Nën ritmet e bluzit

Po të ndodhte në një nga skenat e Ballkanit, ndoshta do të dukej e çuditshme, por në Nju Orleans, në atdheun e xhazit dhe bluzit, kjo është mëse normale. Kolona zanore e veprës :Gratë trojane” është kompozuar nga mjeshtri James Walsh, i cili është mbështetur në traditën e bluzit amerikan. “Kam pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me kompozitorin e njohur James Walsh. Gjetëm një gjuhë të përbashkët dhe them se ia dolëm mbanë të përkthejmë intonacionet e korit të antikitetit grek, në ritet e bluzit amerikan dhe intonacionet e kulturës muzikore të Nju Orleansit. Veç kësaj shfaqja është e shoqëruar nga instrumentistë dhe orkestër live, që i jep shumë ngjyrë dhe forcë”, - tregon Arben Kumbaro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›