E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngëtarja kosovare Adelina Ismaili çmend zviceranët

 

Meshkuj që shtyhen për të filmuar, pastaj valle rrethore që vazhdojnë gjithë natën. Kjo ishte atmosfera e krijuar natën e përurimit të një lokali të ri nate në Zvicër. Surpriza e madhe që administratorët kishin përgatitur për të ftuarit ishte këngëtarja e famshme kosovare, Adelina Ismaili, e cila me hiret e saj ka çmendur gjithë publikun mashkullor që mbushte ambientet e pub-it. Kjo ngjarje nuk i ka shpëtuar vëmendjes së medias, e cila i ka kushtuar kronika e faqe gazetash, mes të cilave dhe gazeta më e madhe “24 orë” (“24 heures”), ku e quajnë këngëtaren kosovare një “seks simbol”. “Ka kaluar mesnata në W-Club. Adelina Ismaili, ylli i muzikës kosovare, dikur Miss, ngjitet në skenën nën ritmet e tambureve dhe trumbetave. Kërcimtarët nisin të lëvizin në pistë. Ca më tej, burrat që rrinin të ulur në karrige, u çuan të gjithë në këmbë. Dikush thërret me zë të lartë, të tjerë duartrokasin. Të gjithë nxitojnë të nxjerrin nga xhepat telefonat celularë, sigurisht për të filmuar”, shkruan në të përditshmen zvicerane “24 heures”, në rubrikën “Jeta e natës”, gazetari Laurence Arthur. Më tej ai përshkruan se si në heshtjen gati religjioze të vendosur, “bomba seksuale” vërtitet në ritmet e një beli-dancing (kërcim beli), duke mërmëritur këngë me nota të ëmbla, në shijen e melodive turke. Por më së shumti është tradita ballkanike që këngëtarja e re ofron. Mbi skenë, dy agjentë sigurie nga Kosova vigjilojnë.
Në mbrëmjen e hapjes së W-Club, trioja e administratorëve është disi në tension, aq më shumë prej pranisë së Ismailit dhe sigurisht entuziazmit të njerëzve. “Nuk do të ketë probleme sigurie”,- siguron James Bekim Lohaj. Çdo gjë ndodh sipas porosive të tij. Ai premton se nuk do të jetë thjeshtë një mbrëmje ballkanike, por më shumë se kaq. Me gjithë praninë e të dërguarve të kanaleve televizive kosovare dhe faktit që në parking, targat tregojnë për praninë e një klientele të pasur zvicerane, argëtimi nuk ishte maksimal. “Është nata e parë dhe ne kemi pasur disa vështirësi organizative”, - shpjegon Avdi Ramushi. Çka të bën përshtypje është fakti që pjesa më e madhe e të pranishmëve janë burra dhe shumica e tyre në moshë të pjekur.  Të veshur me kostum e kravatë, publiku është i larmishëm e i paparashikueshëm. Në pistë meshkujt nuk vihen në rresht. Duke i mbajtur duart njëri-tjetrit ata formojnë një rreth dhe ndjekin ritmin me hapat e lehtë, një herë në të majtë e një herë në të djathtë. Zinxhiri zgjatet nga kërcimtarët që i shtohen dhe që ndjekin rrotullimin. Quhet tallava. Muzika gjatë mbrëmjes është e balancuar mes flokut dhe ritmeve tekno. Kërcimet duken se nuk do të mbarojnë kurrë e po kështu edhe nata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›