E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të akuzuarit e Gërdecit, pa pasuri me vlera minimale

GËRDECI
Nëse pas gjykimit ata nuk paguajnë dot dëmshpërblimet e caktuara nga Gjykata, vlerat pritet të konvertohen në burg

Ende nuk kanë mbërritur në Shqipëri, letër porositë nga disa shtete mbi pasuritë e të pandehurve, dëmi i të cilëve kap shifrën 4 miliardë lekë

TIRANË- Të pandehurit kryesorë të dosjes "Gërdeci", edhe pse nga demontimi i municioneve dhe shitjes së tyre, dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, në letra ata dhe pjesëtarët e ngushtë të familjes së tyre figurojnë të varfër.

Me këtë gjendje ekonomike janë përballur pjesëtarët e grupit hetimor të kësaj dosjeje, të cilët kanë kryer verifikimet e pasurive të tyre për sekuestrim, ku më i pasuri prej tyre rezulton të jetë Mihal Delijorgji me një pasuri të përgjithshme rreth 3 milionë euro.

Por, edhe pasuria e tij dhe e të pandehurve, Fatmir Mediu, Ylli Pinari, Dritan Minxholli dhe Sokol Ngjeçi që akuzohen si përgjegjësit kryesorë të këtij shpërthimi, nuk mjafton për të shlyer dëmet e shkaktuara nga shpërthimi i rreth 400 tonëve barut dhe një sasi jo e vogël municionesh të lehta e të rënda mesditën e 15 marsit 2008 në ish-repartin e tankeve në Gërdec të kthyer në një punishte demontimi, që kapin shifrën e rreth 31 milionë eurove.

Në fund të hetimit, nëse secili prej të akuzuarve, në bazë të përpjesëtimit të shumës që i takon, nuk e shlyen dot dëmin e përllogaritur ndaj tij, mendohet se vlera mund të konvertohet në gjobë.

Të pandehurit, në Shqipëri disponojnë nga një apartament të përbashkët i cili nuk iu është sekuestruar për shkak se figuronin të regjistruar në emër të bashkësisë familjare. Ndërsa, letër-porositë e dërguar në SHBA, Austri e Zvicër për të verifikuar pasuritë e tyre të mundshme, ende nuk kanë mbërritur.

Sipas kërkesës për gjykim, rezulton se përveç vrasjes së 26 personave dhe gjymtimin e më shumë se 300 banorëve të tjerë të zonës për rreth punishtes së demontimit, shpërthimi i saj i ka shkaktuar shtetit dhe banorëve përreth një dëm material që kap shifrën e rreth 31 milionë eurove.

Kjo shumë parash, sipas kërkesës për gjykim, do të paguhet nga 29 të pandehurit e kësaj dosjeje, ku detyruesit më të mëdhenj të këtij dëmi janë të pandehurit: Fatmir Mediu, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli e Sokol Ngjeçi dhe shoqëria "Albademil" si person juridik.

Përveç, dëmit pasuror të shkaktuar ndaj shtetit, këta të pandehur, sipas padive civile të dorëzuar pranë togave të zeza, janë "debitorë" edhe ndaj 19 familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie, të cilët kërkojnë të dëmshpërblehen me rreth 3.2 milionë euro.

Sipas kërkesës për gjykim që tashmë ndodhet në duart e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, mësohet se vlerësimi i dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i barutit dhe municioneve që prisnin të demontohen si dhe të dëmit pasuror të munguar ndaj shtetit nga demontimi dhe shitja e municioneve të lehta e të rënda, është vlerësuar nga ekspertë të ndryshëm të fushave të ekonomisë.

"Nga kryerja e vlerësimit të shkatërrimit të pronës private të 5829 personave (si banesa, biznese, orendi të tyre, ferma bujqësore, bagëti etj) dhe nga shkatërrimi i pronës publike dëmi material kap shifrën e 2.24 miliardë lekë.

Ndërkohë, shtetit i është shkaktuar një dëm tjetër material që kap vlerën e 1.32 miliardë lekë nga dëmtimi i pasurisë së administruar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.

Ndërsa, në aspektin e dëmit material dhe jo material, të ardhurat e planifikuara për buxhetin e shtetit nga kontratat e firmosura për demontimin e municioneve i kanë shkaktuar shtetit një dëm material të rëndësishëm në vlerë 421 milionë lekë",-thuhet në kërkesën për gjykim.

Sipas përllogaritjeve të kësaj shume, rezulton se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit nga të pandehurit Mediu, Delijorgji, Pinari, Minxholli dhe Ngjeçi kap shifrën e rreth 4 miliardë lekë lekësh të reja dhe konvertuar në euro kap shifrën e rreth 31 milionë eurove. Sipas akuzës, nëse gjykata pas shqyrtimit gjyqësor vendos t'i deklarojë fajtorë të pandehurit, ata do të dënohen me burg dhe me gjobë.

Kjo gjobë, do të jetë e përpjesëtuar nga dëmi i shkaktuar si pasojë e shpërthimit, dhe nëse kjo gjobë nuk paguhet atëherë ndaj tyre do të konvertohet pagesa e gjobës në ditë burgu.


PRETENCA

Prokuroria, 25 vjet burg për mikun e Altin Dardhës


TIRANË- Prokuroria e Tiranës, pas rishqyrtimit të procesit gjyqësor nga themeli ndaj shtetasit Gëzim Kasemi i ekstraduar dy vite më parë nga Italia, përfundoi dje fazën gjyqësore dhe në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata dënimin e tij me 25 vjet burg.

Sipas konkluzioneve të akuzës, i pandehuri Kasemi rezulton se ka konsumuar veprat penale të "vrasjes me dashje"; "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje", të kryera në bashkëpunim me shtetasit Agron Balliu dhe "kreun" e bandës shtetasin Altin Dardha në shkurt të vitit 1998.

Ka qenë mesdita e datës 25 shkurt 1998, kur i pandehuri Kasemi bashkë me Balliun dhe Dardhën kanë organizuar një atentat për ekzekutimin e një prej kapove kryesore të Beratit gjatë trazirave të vitit 1997, shtetasin Burhan Tomori. Burhani kishte vrarë disa muaj më parë babain e Altin Dardhës, dhe ky i fundit vendosi të hakmerrej.

Dardha, së bashku me shokun e tij Altin Isufi, dhe të dënuarin me 25 vjet burg Agron Balliu dhe të pandehurin Gëzim Kasemi, kanë gjetur Burhanin në një lokal pranë stadiumit "Tomorri" në Berat, jo më shumë se 100 metra nga komisariati i policisë.

Dardha, ka qëlluar mbi 150-herë me një mitraloz të lehtë mbi viktimën, duke vrarë aty edhe 3-persona të tjerë. Ndërkohë, gjatë largimit në drejtim të Skraparit, Dardha ka qëlluar pa shkak mbi shtetasin Sali Kumani, në lagjen "Uznovë", duke e lënë të vdekur.

Më pas, Dardha së bashku me Kasemin dhe Balliun kanë rrëmbyer makinën fuoristradë të tipit "Toyota" e cila ishte në pronësi të shtetasit Riza Qosa. Disa kilometra më tej, Dardha ka marrë peng inspektorin e policisë, Ferdinand Kalemi së bashku me mjetin e tij të policisë.

Operacioni i ndjekjes së Dardhës është drejtuar nga ish-komisari i Beratit, tashmë i vrarë, Gani Malushi. Komisar Malushi me efektivat e tij, arriti të shpartallonte bandën e Dardhës duke kapur të gjallë pas një shkëmbimi të fortë zjarri shtetasit Agron Balliu dhe Gëzim Kasemin, ndërkohë që Altin Isufi mbeti i vrarë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›