E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro, drejtësia vepron me dy standarde

Avokatët e Kumbaros në Londër: Prokuroria Shqiptare kërkoi burg për atë dhe liri për të tjerët

Avokatët e Ilir Kumbaros, ish-shikasi i arrestuar në Angli për llogari të drejtësisë shqiptare, kanë parashtruar para Gjykatës së Londrës se prokuroria shqiptare po vepron me dy standarde për këtë çështje. Kërkesa është depozituar për të kundërshtuar ekstradimin e tij në Shqipëri, pasi gjykatat shqiptare kanë vendosur masa të ndryshme. “Drejtësia shqiptare po vepron me dy standarde për klientin tonë. është i vetmi i pandehur në të njëjtën çështje me të njëjtat prova që kërkohet masa e arrestit në burg, ndërsa të pandehurit e tjerë janë të lirë, madje ushtrojnë edhe funksione publike”, kanë deklaruar avokatët e Kumbaros. Sipas tyre, duke u bazuar në njëanshmërinë e drejtësisë shqiptare kanë kërkuar që Ilir Kumbaro, ish-drejtori i SHIK-ut në Tiranë në vitin 1995 të mos ekstradohet, pasi i cenohen të drejtat. Ilir Kumbaros iu shua masa e arrestit në muajin dhjetor 2009 nga Gjykata e Lartë, pasi, sipas Kolegjit, që prej 2004-s ajo i kishte humbur efektet e saj procedurale. Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda e konsiderojnë ish-shikasin Ilir Kumbaro një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nisur edhe nga fshehja për një kohë të gjatë në Angli me identitet të rremë. Ai akuzohet për rrëmbim e torturë të trefishtë dhe nisur nga rrezikshmëria e veprave penale që kanë një minimum prej 10 vitesh burg, gjykata ka rivendosur ndaj personit në fjalë masën "arrest me burg", duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Lartë. “Mbi bazën e rekursit të bërë nga mbrojtësit e të pandehurit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin numër 274, datë 2 dhjetor të këtij viti, ka vendosur prishjen e masës së sigurisë për arrestin në burg. Nga materialet e administruara në dosje rezulton se i pandehuri Ilir Kumbaro është larguar nga Shqipëria në vitin 1996. Kërkesa për ekstradimin e shtetasit Ilir Kumbaro nuk u bë deri në përfundimin e hetimeve paraprake në prill të vitit 2008, pasi nuk ishim në dijeni të adresës së tij të saktë. Kishte vetëm dyshime se ai ndodhej në Angli, por asgjë të zyrtarizuar”, thanë burimet nga akuza qendrore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›