Presidenti, mediatori i krizës politike
Konkluzionet
“Ne arrijmë në përfundimin se bllokimi politik ka paralizuar institucionet në Shqipëri. Kjo situatë nuk e ndihmon popullin shqiptar. Ne presim që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës t’i kërkojë qeverisë shqiptare dhe opozitës që t’i japin fund krizës në vend”. Kështu thuhet në konkluzionet që pritet t’i përfshihen rezolutës që do të miratohet nga Këshilli i Europës. Në mbështetje të procesit të pajtimit ndërmjet partive politike shqiptare i jepet mbështetje Presidentit Topi që të ushtrojë rolin e tij si mediator i krizës, ndaj Asambleja i kërkon Komitetit të Ministrave dhe grupeve të saj politike të ushtrojnë influencën e tyre në partitë politike shqiptare. “Për anën tonë, bashkëraportuesit e Komitetit Monitorues kanë takuar të gjithë përfaqësuesit politikë. Ne do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe presim një veprim të qartë nga Komiteti Monitorues që të kërkojë mbylljen e kësaj situate. Së shpejti pritet që të zhvillojë një vizitë në Shqipëri një grup i gjerë i anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të cilët njëkohësisht janë edhe deputetë të rëndësishëm në vende të tyre”, thuhet në konkluzione. Kjo pritet të jetë dhe përpjekja e fundit për dialog politik nga Europa. Nëse s’do të ketë sukses, Shqipëria mund të përfitojë përfundimisht ndëshkimin e Perëndimit.
#