Kosovë, konflikti PDK-LDK, nis rinumërimi i votave
Pas “betejës” mes LDK-së dhe PDK-së në Kosovë, mbi kandidatin fitues të zgjedhjeve për krerët e komunave gjatë balotazhit, për Prizrenin ka nisur rinumërimi i 1,600 votave të kontestuara. Proces pritet të përcaktojë fituesin për këtë komunë, pas rezultatit të votimit të së dielës nga KQZ-ja 50 me 50 për qind. Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, kanë arritur përqindje të barabartë votash, me 42 vota epërsi për PDK-në. Në orët e pasdites dje nisi procesi i verifikimit. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan ditë më parë, konservimin e pakove të votimit dhe që numërimi i votave me kusht të bëhet në mënyrë publike. Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, tha se për këtë proces është njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike. Por anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Buriani, tha se ende nuk është marrë ndonjë vendim definitiv nëse a do të jenë, apo jo, të pranishëm anëtarët e KQZ-së, gjatë procesit të numërimit të votave të diskutueshme. Fituesi i garës elektorale vendore, për qytetin e dytë më të madh në Kosovë, sipas të gjitha gjasave nuk do të përcaktohet shumë shpejt. Zyrtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor të Prizrenit kanë pranuar, se gjatë futjes së materialit në të dhënat e votimeve në kompjuter, janë bërë disa gabime teknike dhe se fitues për Prizrenin, është kandidati i LDK-së. Por deklaratat duhet të shqyrtohen nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. “Secila parti e përfshirë në proces është ankuar dhe po ofron fakte, prova materiale ose prova të tjera verbale për KZAP-në, nga të cilat mund të arrihet një pasqyrë reale dhe e vërtetë e asaj që ka ndodhur në Prizren”, tha Buriani i KQZ-së. Nga rezultatet paraprake të KQZ-së, në balotazhin e së dielës PDK ka fituar në 10 komuna, LDK në 5, kurse AAK në 3 komuna. Ndërkohë Presidenca e Bashkimit Evropian e ka mirëpritur zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve lokale me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Sipas saj, kjo shënon progres të rëndësishëm për konsolidimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike në pajtim me standardet evropiane. Presidenca e BE-së thotë se ka parasysh efektshmërinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shpreh besimin se KQZ do të vazhdojë të hetojë të metat për të cilat është njoftuar. Ajo thotë se Komisioni Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave ka një rol të rëndësishëm në shqyrtimin e ankesave në pajtim me mekanizmat e vendosur.