LSI, Rama: “Nuk votojmë ndryshimet për SHISH-in pa u konsultuar me NATO-n”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në ndryshimet e draftit për kontrollin e shërbimeve informative nga Parlamenti nëse këto ndryshime nuk bëhen me ndihmën e konsulentëve të NATO-s. Kështu ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama. Ai nënvizoi se LSI-ja do të votojë ato ndryshime që vijnë vetëm nga konsulentë të NATO-s. Ndërsa nga ana tjetër, Partia Socialiste akuzon kryeministrin Sali Berisha se po kërkon të uzurpojë SHISH-in, duke i bërë thirrje që draftin mos ta përfshijë në axhendën e seancës plenare të datës 22 korrik. Përveç draftit për SHISH-in, LSI-ja ka mbajtur qëndrim kundër PD-së edhe në dy raste të tjera. Për votimin e z. Mehdi Bici për anëtar të Gjykatës së Lartë, LSI-ja ka votuar pro, ndërsa maxhoranca ka hedhur poshtë kandidaturën e tij me shumicë votash. Rasti tjetër, ka qenë mbrojtja nga shkatërrimi e shtëpisë së deputetit socialist, Dashamir Peza në Pezë. Deklarata
“Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka përmbushur me sukses detyrimet në çdo drejtim, siç deklaroi në vizitën e tij në Shqipëri në 28 prill, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen”, - u shpreh Rama, duke nënvizuar se “bashkëpunimi në fushën e shërbimeve inteligjente dhe në luftën kundër terrorizmit është prioritet madhor i NATO-s dhe i Shqipërisë, ndaj dhe çdo ndryshim besoj se do të bëhet në bashkëpunim dhe konsulencë të ngushte me NATO-n, sepse në fund të fundit, të gjitha këto janë detyrime që rrjedhin nga angazhime madhore që ka marrë Shqipëria”.
Drafti
Drafti i paraqitur parashikon shkallën e kontrollit parlamentar të shërbimeve informative të vendit, si dhe përcakton përbërjen, kompetencat, detyrat e mënyrën e punës të njësisë parlamentare për kontrollin e shërbimeve informative të vendit. Kjo strukturë gëzon autoritetin dhe është kompetente për të kontrolluar dhe marrëdhëniet që mbajnë këto shërbime me Kuvendin, qeverinë, ministritë, si dhe me autoritete të tjera shtetërore, organizata apo individë. Të drejtën e kontrollit të këtyre shërbimeve do ta ketë Nënkomisioni Parlamentar për Shërbimin Informativ, që do të jetë pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe që do të ketë jo më shumë se 7 anëtarë. Kryetari, zëvendëskryetari dhe anëtarët e Nënkomisionit zgjidhen nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare me propozimin e grupeve të deputetëve dhe miratohen nga Kuvendi me shumicë votash. Nënkomisioni e ushtron kontrollin nëpërmjet një grupi prej të paktën 3 anëtarësh që caktohen nga radhët e deputetëve të opozitës dhe deputetëve të koalicionit. Përsa u përket kompetencave, Nënkomisioni mund të kontrollojë veprimtarinë e Shërbimit Informativ përsa i përket përputhjes me politikën e miratuar për sigurinë kombëtare, të diskutojë programin vjetor të punës së shërbimit informativ përkatës, të diskutojë raportet për punën dhe veprimet financiare, të diskutojë projektbuxhetin kombëtar dhe projektligjet e tjera që lidhen me financimin e këtyre shërbimeve, si dhe të diskutojë projektligjet dhe ligjet e tjera që lidhen me funksionimin e tyre. Ndërkohë, qeveria duhet të paraqesë për diskutim në Nënkomision programin e punës, raportin e përgjithshëm për punën dhe veprimet financiare të çdo shërbimi të fshehtë, ku përfshihen të dhëna të hollësishme për veprimtarinë e përgjithshme të shërbimit të fshehtë informativ të kontrolluar, për veprimtarinë e tij me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare, sasinë dhe përdorimin e ardhshëm të burimeve financiare për të kryer detyra të veçanta, si dhe të dhënat për numrin e personave nën survejim nga shërbimi i fshehtë informativ i kontrolluar. Çdo katër muaj, shërbimi i fshehtë informativ i kontrolluar raporton në Nënkomision për kryerjen e detyrave të tij. Përveç punës në zyrë, Nënkomisioni mund të autorizojë një grup inspektimi, i cili mund të ndërmarrë një kontroll të paralajmëruar ose jo të mjeteve dhe godinave që përdoren nga shërbimi i kontrolluar në lidhje me survejimin dhe regjistrimin e telekomunikimeve. Ai mund të kërkojë inspektimin e dokumenteve dhe materialeve të tjera dhe të dhënat e shërbimit të kontrolluar që lidhen me kompetencat dhe detyrat e Nënkomisionit.
20 Korrik 2010