E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kunati mbetet në qeli, lirohet motra e viktimës



KORÇË – “Nuk do t’jua kthej 100 milionë lekët”. Kjo frazë e ka acaruar çiftin Tanço dhe i ka detyruar të marrin armën dhe të vrasin biznesmenin Marsel Grabocka, i cili ishte vëllai i njërës prej autorëve të krimit. Të gjitha këto të dhëna kanë dalë në seancën e masës së sigurisë, zhvilluar dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është lënë në qeli Niko Tanço, ndërsa bashkëshortja e tij, Vasilika, e cila është motra e viktimës, është lënë në arrest shtëpie. Gjatë marrjes në pyetje të dy autorëve të ekzekutimit të Grabockës, janë dhënë detajet e krimit të rëndë që ndodhi më 5 janar të këtij viti.

Masa
Gjykata e Korçës vendos masën e “arrestit në burg” për Niko Tançon, autorin e vrasjes së kunatit të tij, Marsel Grabocka, ndërsa për bashkëshorten, Vasilika Tanço, u vendos masa e detyrimit të paraqitjes. Në seancën e vlerësimit të masës së arrestit, prokurori i çështjes, Genti Stoja, kërkoi masën “burg pa afat” për dy të akuzuarit. Sipas Akuzës, gruaja kishte ndihmuar bashkëshortin e saj për të fshehur provat e krimit. Por, sipas avokatit mbrojtës, Vasilika Tanço kishte duke larë enët në kuzhinën e të vëllait kur dëgjoi krismën e armës së të shoqit, i cili, teksa ndodhej në oborrin e shtëpisë, kishte vrarë të vëllanë e saj, Marsel Grabocka. Nga sa është thënë në seancë, Marsel Grabocka i kishte marrë çiftit një shumë prej më tepër se 100 milionë lekë të vjetër dhe u kishte thënë se nuk do t’ua kthente më. Kjo ka bërë që mes çiftit dhe biznesmenit të nisë konflikti, i cili përfundoi në vrasjen e këtij të fundit.

Ngjarja
Më 5 janar të këtij viti u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në mënyrë misterioze Marsel Grabocka. Burimet zyrtare të Policisë së Korçës bënë të ditur tri ditë më parë se u finalizua me sukses operacioni "Trekëndëshi", ku u bë i mundur ndalimi i shtetasve Niko Tanço, 40 vjeç, dhe Vasilika Tanço, 34 vjeçe, motra e 30-vjeçarit Grabocka. "Ndalimi i tyre u bë pasi në datën 5 janar, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri tip pistoletë “TT” në banesën e tij shtetasin Marsel Grabocka, 39 vjeç. Nga ana e forcave të policisë Korçë në lidhje me këtë ngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, janë përdorur të gjitha metodat speciale të hetimit, ku si rezultat i kësaj pune, u bë e mundur zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje. Rezulton se motiv i kësaj vrasjeje ka qenë pronësia e përbashkët e një biznesi që shtetasja Vasilika Tanco ka pasur me vëllanë e saj, Marsel Grabocka. Në cilësinë e provës materiale për këtë ngjarje të rëndë është sekuestruar arma e krimit pistolete e tipit “TT”.

Paraqitet si kosovar, arrestohet shqiptari i dënuar

TIRANË - Arrestohet nga agjentët e krimeve të policisë në Rinas një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte dënuar nga Drejtësia italiane. Erjon Rexha, që sipas policisë së kryeqytetit është i dënuar me 10 vjet burg për akuza të trafikut të drogës, në kuadrin e organizatës kriminale dhe falsifikim dokumentesh, është ndaluar mëngjesin e djeshëm në Aeroportin e Rinasit. Policia bëri të ditur se i ndaluari ishte dënuar nga Gjykata e Romës në Itali në vitin 2006. Rexha është paraqitur me emër të rremë si shtetas kosovar, teksa vinte në Rinas me linjat ajrore nga Anglia. 32-vjeçari ishte i pajisur dhe me një travel dokument me atë emër. Ka qenë intervistimi dhe këmbëngulja e oficerëve të policisë që mundësuan identifikimin e Rexhës dhe gjetjen e urdhrit të kërkimit ndërkombëtar për të. Rexha është siguruar në ambientet e izolimit në Komisariatin e aeroportit “Nënë Tereza” dhe për arrestimin e tij është njoftuar Drejtoria e qarkut Vlorë dhe autoritet italiane. Nuk bëhet e ditur nëse Rexha do të ekstradohet në Itali, apo do të shlyejë dënimin e dhënë në vendet e vuajtjes së dënimit këtu në Shqipëri.

I ikën postbllokut të RENEA-s, kapet me armë shoferi

RRËSHEN - Një i ri është vënë në pranga nga forcat RENEA pasi është kapur me armë pa leje. Policia e Lezhës ka bërë të ditur dje se ka ndaluar një 28-vjeçar, pasi nuk i është bindur policisë për të ndaluar. Burimet bënë me dije se forcat RENEA, të cilat ndodheshin në një postbllok, i kanë bërë thirrje Tom Vukajt, 28 vjeç, që të ndalonte, por ai nuk u është bindur atyre dhe ka shtuar shpejtësinë e automjetit tip “Iveco” kamionçinë me targa KR 2118 A, me të cilin udhëtonte. Sipas policisë, duke u larguar ai ka hedhur nga dritarja e automjetit një thes në të cilin rezultoi se kishte një automatik model 56 me një krehër me 3 fishekë, model 56, të cilët i mbante pa leje. Mësohet se 28-vjeçari Vuka u kap dy ditë më parë në qytetin e Rrëshenit, në vendin e quajtur Ura e Fanit dhe në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua arma e zjarrit, së bashku me kamionçinën tip “Iveco”. Policia gjithashtu tha se dosja me materialet në ngarkim të 28-vjeçarit Vuka i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të policisë së rendit publik”.

Gara për parakalim, dy makina përfundojnë në Lanë

TIRANË - Gara për të parakaluar ka çuar në Lanë dy makina. Aksidenti pa pasoja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Tiranë. Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 07:30, në Unazën e Tiranës, përballë Gjykatës së Apelit. Dy automjetet, njëra me targë TR 7227 H, tip “Renault” dhe tjera me targa të huaja Sg 144 305, kanë qenë duke ecur në Unazë, kur në një moment të dyja makinat kanë dalë nga rruga duke përfunduar në Lanë. Policia thotë se shkak ka qenë mos respektimi i rregullave të qarkullimit, pasi kanë tentuar të parakalojnë njëra-tjetrën. Aksidenti fatmirësisht nuk ka shkaktuar të lënduar te drejtuesit e automjeteve, por janë dëmtuar stolat dhe pemët buzë Lanës. Vetë aksidenti dhe më pas përpjekja për të nxjerrë automjetet nga shtrati i Lanës ka shkaktuar rëndim të trafikut për gati 30 minuta. Policia e qarkullimit rrugor thotë se trafiku u rëndua jo vetëm në dy krahët e Unazës, por dhe të linjës Qendër-Uzina e Autotraktorëve.

Atentat me armë në Shkodër, zhduket autori i plagosjes

SHKODËR – Një person mbeti i plagosur pasditen e së mërkurës, pasi u qëllua me armë zjarri në një lokal në Shkodër. Burime të policisë njoftojnë se shtetasi Zamir Spahija ishte në shënjestër të atentatit, në një lokal në lagjen “Iliria”, pranë Urës së Bunës. I plagosuri është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ndodhi për shkak të një grindjeje të çastit mes autorit dhe personit të dëmtuar nga ngjarja. Personi, i cili ka qëlluar me armë, u shpall në kërkim nga policia.

20 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›