E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i video-përgjimit, Prifti dorëzon në Prokurori laptopin



TIRANË - Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, është paraqitur dje për të dytën herë në Prokurorinë e Tiranës. Ora shënonte 13:00 kur Prifti, me një laptop në dorë, ka hyrë në ambientet e Prokurorisë, ku është takuar me drejtuesin e Njësisë së Task-Forcës, Dritan Reshka dhe me prokurorin Gentian Osmani, dhe ka dalë prej andej në orën 13:30. Sipas burimeve nga Prokuroria, Prifti ka paraqitur dje mjetin me të cilin ka realizuar përgjimin, pra laptopin. Po ashtu, Prifti ka plotësuar një formular dhe vetë ai deklaroi se ishte për një çështje teknike. Prokuroria mohon në mënyrë kategorike se Prifti kishte dorëzuar të tjera regjistrime. Prokuroria e Tiranës ende nuk ka marrë një përgjigje nga amerikanët për ekspertët dhe arsyeja përse kanë vendosur për ekspertë të huaj ka qenë se në Shqipëri nuk ka të tillë shtetërorë, por vetëm privatë, që mund të korruptohen ose mund të paragjykohen. Ai tha se ekspertët e huaj do të paguhen nga Prokuroria shqiptare dhe Ambasada ose Drejtësia amerikane thjesht do të bëjnë rolin e ndërlidhësit. Nga ana e Prokurorisë janë marrë të gjitha dokumentet nga METE për hidrocentralin që ishte objekt i bisedës midis Priftit dhe Metës, ndërsa janë marrë dokumente edhe për objektin e Albpetrolit.

20 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›