E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kunder dialogut Mustafa Te zgjedhim me ke bisedojme

Lideri i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Isa Mustafa kundërshton ashpër rifillimin  e bisedimeve me Serbinë, pas ngjarjeve që kanë ndodhur në veri me 25 korrik të këtij viti. Për më tepër ai e quan absurd uljen në tryezën e bisedimeve me shefin e delegacionit të Serbisë Branisllav Stefanoviç i cili ka dalë në përkrahje të strukturave paralele në veri gjatë zhvillimeve të fundit atje.

“Duhet të zgjedhim se me kënd ne do të bisedojmë, sepse është absurde që përfaqësuesi jonë të bisedojë me njeriun i cili bashkëpunon edhe i organizon strukturat kriminale në veri të Kosovës, përkrah mbylljen e rrugëve dhe shprehet që ai territor është territor i Serbisë. Në këtë rast duhet ta ruajmë dinjitetin”-tha Mustafa.

Mustafa tha se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet sërish për çështjen e bisedimeve me Serbinë dhe të marrë një vendim të ri nëse duhet të vazhdohet ato apo të ndërpriten pas zhvillimeve në veri.

“Zonja Tahiri po vepron në bazë të vendimit që ka marrë nga shumica që është aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, ne mendojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të marrë vendim tjetër të rishikojë vendimin dhe që marrja apo mospjesëmarrja e bisedimeve të jetë një rezultat i vendimit të ri. Sepse, kanë ndryshuar rrethanat nga 25 korriku”-theksoi ai.

Mustafa tha se Kosova nuk duhet të hyjë me çdo kusht në bisedime me Serbinë. Madje sipas tij, Serbisë duhet t’i vihet kusht që së pari të heqë dorë nga strukturat paralele dhe krimi i organizuar në veri.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›