E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta ne Libi Gadaffi nuk pranon te dorezohet

Kryengritësit kanë shtyrë me një javë ultimatumin ndaj forcave besnike të regjimit në zonën e Sirtes, i paralajmëruar të mbaronte të shtunën me kërcënimin se në rast të mosdorëzimit, do të niste ofensiva ushtarake. Mirëpo, Muammar Gadaffi nuk ka lënë asnjë hije dyshimi se do të dorëzohet. Përmes një mesazhi audio të transmetuar nga televizioni Al Arabija, ai u ka bërë thirrje tribuve në Libi të nisin luftën.
 
«Shndërrojeni Libinë në ferr dhe zjarr, vazhdoni të luftoni edhe nëse nuk e dëgjoni zërin tim. Nuk do të dorëzohemi kurrë, se nuk jemi gra”, thotë Gadaffi në mesazhin e tij, ndërkohë që ende nuk ka asnjë garanci për vendndodhjen e tij. Kryengritësit së fundmi mendojnë se ai nddohet në zonën e qytetit të lindjes, Sirte një nga xhepat e mbetur të rezistencës, por që duket të jetë më i fortifikuar nga sa pritej.

Më herët, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit tha se Gadaffi ndodhej në Bani Ualid, në juglindje të Tripolit. Të dyja këto lokalitete janë bombarduar orët e fundit nga avionët e NATO-s. Edhe i biri i kolonelit, Saif al-Islam ka sfiduar kryengritësit me anë të një mesazhi ku ka deklaruar se fitorja ishte e afërt, pasi njëzetë mijë njerëz të armatosur ndodhen gati për betejë.

Edhe pse u dhanë strehë gruas dhe tre fëmijëve të kolonelit, autoritetet algjeriane nuk do të bëjnë të njëjtën gjë për Gadaffi-n. Sipas gazetës Vatan të Algjerit, koloneli ka dashur të kontaktojë me telefon me presidentin Abdelaziz Bouteflika, por ky i fundit ka refuzuar të flasë me të.

Ndërkohë zyrtarët libianë morën pjesë në një konferencë të nivelit të lartë në Paris, “Miqtë e Libisë”, ku diskutohet për të ardhmen e vendit, pas luftës. Ata kërkuan nga diplomatët perëndimorë vazhdimin e ndihmës sikurse dhe morën këshillat për tranzicionin e ardhshëm drejt demokracisë. Regjimi i kolonel Gadaffi-t do të shënonte 42 vjetorin e tij këtë 1 shtator, por në vend të festimeve të fanatikëve të tij, në Tripoli festohet liria.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›