E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani kërkohet nga Nurnbergu

 

Sulmuesi shqiptar i Karlsruhes, Edmond Kapllani, kërkohet nga skuadra gjermane e Bundesligës 2, Nurnberg, bën të ditur “Nurnberger Nachrichten” të mërkurën. Nurnbergu po kërkon përforcime në repartin ofensiv për merkaton e janarit, ndërsa Kapllani është në listën e lojtarëve që preferohen nga trajneri dhe stafi i kësaj skuadre. “Ne po shqyrtojmë mundësitë për të përforcuar sulmin në merkaton e janarit. Po analizojmë shumë futbollistë dhe një ndër ta është Kapllani”, ka thënë drejtori sportiv i Nurnbergut, Martin Bader. Kapllani në këtë sezon të Bundesligës 1, me Karlsruhen ka luajtur në gjashtë ndeshje, por gjithsej 70 minuta. Ai vazhdimisht është aktivizuar nga fundi i ndeshjeve dhe deri tani nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit. Sulmuesi i përfaqësueses së Shqipërisë ka përvojë të mirë në Bundesligën 2. Në sezonin 2006/07, me Karlsruhen ka shënuar plot 17 gola. Një javë para fundit të edicionit të sipërshënuar ishte shënuesi i parë i ligës, por në fund doli i dyti. Nurnberg pas 12 javëve të zhvilluara në Bundesliga 2 ndodhet në vendin e 13-të me 14 pikë. Ligën e kryeson Mainzi me 24 pikë. Kapllani 26-vjeçar me Karlsruhen ka kontratë deri në verën e vitit 2010. Ai mund të transferohet në formë huazimi në muajin janar. Në Bundesligën 2 aktualisht aktivizohen gjashtë futbollistë shqiptarë: Jahmir Hyka (Mainz), Njazi Kuqi, Fatmir Vata e Ardian Gjokaj (Koblenz), Shqipëron Skeraj (Greuther Furth) dhe Valdet Rama (Ingolstadt).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›