Lorik Cana: Iki nga Marseja, dua Bajernin
Lorik Cana pritet të largohet nga Marseja në fund të sezonit. Këtë e ka pohuar vetë mesfushori i përfaqësueses shqiptare, i cili ka thënë se me shumë mundësi do të largohet nga klubi francez në fund të këtij sezoni dhe se skuadra e tij e ardhshme mund të jetë Bajerni i Mynihut. “Ka shumë mundësi që ky të jetë sezoni im i fundit te Marseja. Do të doja që të fitoja një trofe të rëndësishëm këtë sezon me ekipin tim dhe do të luftojmë deri në fund për këtë”, ka thënë për “Vizion +”, kapiteni i Marsejës. Mesfushori shqiptar ka disa oferta, por atë e josh më tepër Bajerni i Mynihut. Kampionët e Gjermanisë interesohen prej kohësh për yllin e Kombëtares shqiptare dhe ka shumë gjasa që ai në verë t’i bashkëngjitet yjeve si Riberi (ish-marsejez), Toni dhe Klose. “Kam pasur gjithnjë oferta, madje muajt e fundit interesimi i klubeve prestigjioze evropiane është rritur ndjeshëm. Gjatë kohëve të fundit ka shfaqur një interes të madh edhe Bajerni i Mynihut, skuadër e cila më pëlqen shumë dhe shpresoj që të mund të vesh fanellën e saj së shpejti”, ka thënë Cana. Përveç klubit bavarez, për 25-vjeçarin nga Kosova kanë shfaqur interes edhe skuadra të tjera evropiane, si Arsenali, Reali i Madridit, Roma, Napoli dhe Evertoni. Drejtuesit e këtij të fundit, pak ditë më parë i bënë një ofertë prej 12 milionë eurosh Marsejës për Canën, por klubi francez e refuzoi atë. “Do të jetë e vështirë që Marseja të pranojë ofertën e fundit të ardhur për mua nga Evertoni. Me sa di unë, klubi anglez ka ofruar 12 milionë euro për kartonin tim, por Marseja kërkon shumë më tepër. Edhe unë ndërkohë preferoj një klub elitar”, ka shtuar Cana. Mesfushori francez i Bajernit, Frenk Riberi, duket se po bën negociatorin me drejtuesit e skuadrës bavareze, me qëllim që Cana të transferohet në verë në këtë skuadër. Riberi dhe mesfushori shqiptar kanë raporte të shkëlqyera mes tyre dhe këtë e ka pohuar vetë Cana, por ky i fundit nuk ka dashur të japë detaje, nëse futbollisti francez, po luan ndonjë rol aktiv për transferimin e shqiptarit te skuadra e Bajernit.
Jetmir Halilaj