Tiranë, bien në pranga dy “mashtruesit”
TIRANE – Bie në pranga ushtari që vodhi me anë të mashtrimit llogarinë bankare të kolegut. Policia e kryeqytetit pohoi dje se është arrestuar 25-vjeçari Elton Nazëri, ushtar profesionist, mbi të cilin rëndonin 28 muaj burg dhe një gjobë dy milionë lekëshe dhënë në mungesë për të disa muaj më parë. Duke u hequr si kolegu i tij, ai kishte përfituar në një nga degët e bankës plot 810 mijë lekë të vjetra. Po kështu bëhet e ditur se dje është arrestuar edhe 53-vjeçari Ibrahim Xhameta, i dënuar në mungesë me 8 muaj burg dhe dy milionë lekë të vjetra gjobë për falsifikim dokumentesh. Ky duke shfrytëzuar një prokurë të pavlefshme si dhe duke falsifikuar një firmë të vëllait të vdekur në vitin 1997, plot 10 vjet më vonë shet një sipërfaqe toke, e cila ishte pronë e familjarëve të tij. f.m