E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet në ferra foshnja e sapolindur

 

SARANDE – Zbulohet e hedhur në ferra një foshnjë e sapolindur. Një çoban ka qenë shpëtimtari i fëmijës, i cili e gjeti atë të braktisur, në fshatin Pllakë, komuna Aliko në Sarandë. Mëngjesin e djeshëm, ai kishte lajmëruar menjëherë kryeplakën e fshatit. Foshnja ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak të temperaturave të ulëta dhe faktit se gjatë lëvizjes ishte lënduar nga gjembat e ferrave. Kryeplaka është munduar ta mbështjellë sa më shpejt me rroba dhe të njoftojë policinë e më pas maternitetin e Sarandës për atë që kishte ndodhur. Mjekët pediatër janë kujdesur për të normalizuar gjendjen e foshnjës, e seksit femër, e cila peshonte 2800 gramë dhe në momentin e mbërritjes ishte me temperaturë 34 gradë. Sipas tyre, mendohet se fëmija të kishte lindur 24 orë para gjetjes, por e ëma e kishte hedhur atë me qëllim vdekjen e foshnjës. Kjo dyshohet, pasi ajo e kishte hedhur në një vend të padukshëm dhe të pambështjellë gjatë orëve të natës. Nga verifikimi i të dhënave nuk rezultonte se fëmija të kishte ardhur në jetë në ambientet e maternitetit. Mjekët dhe infermieret e maternitetit të Sarandës thanë për gazetën se një rast i braktisjes së foshnjës së sapolindur nuk është hasur në këtë rreth që prej 8 vitesh. Policia e qytetit ka nisur hetimet për të zbuluar nënën e foshnjës, të cilës vetëm fati i shpëtoi jetën.                               sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›