E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kundërshtarë në vitin 1997,por miq në burgun e Peqinit

12/05/2005  Udhëtim në burgun më të madh, aty ku të burgosurit ndjehen më mirë se në burgjet e tjerë

PEQIN - Gjithçka duket që në hyrjen e burgut të Peqinit, i kategorizuar si i sigurisë së mesme dhe të lartë. Rregulli, pastërtia, gjelbërimi janë elementë dallues në portën kryesore të burgut të përuruar në nëntorin e vitit 2003, si rezultat i një financimi të qeverisë italiane. Tabuja mbi burgjet është thyer nga ky sistem, i cili ka garantuar dhe garanton një nivel të lartë sigurie.

Kundërshtarët

Sapo kalon edhe portën e hekurt, do të duhet t’i nënshtrohesh një kontrolli të imtësishëm dhe më pas je përballë 800 të burgosurve, që vuajnë dënimin në këtë objekt të fortifikuar.

Janë në orën e ajrimit dhe kanë zgjedhur aktivitetet sportive të preferuara.

Disa prej tyre përfitojnë nga dielli, ndërsa të tjerët luajnë shah, futboll, qëndrojnë nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe çuditërisht si rrallë herë nëpër burgje nuk janë regjistruar konflikte.

Në burgun e Peqinit vuajnë dënimin 30 grupe kundër njëri-tjetrit, që i përkasin bandave rivale të ’97, por askush prej tyre nuk ka shkaktuar një ngjarje, apo edhe një kërcënim që të sjellë shqetësim për personelin e burgut. Duket se të gjithë janë bashkuar me idenë për të kaluar mirë vitet e dënimit, pavarësisht vendimeve të rënda, që kanë marrë mbi 100 prej tyre.

Të burgosurit

Ditët e fundit, në Peqin ka mbërritur Kateshi, i bandës së Elbasanit, ndërsa të tjerë të burgosur vip janë Sokol Koçiu, Agim Pepa, Arben Grori, grupi i Lul Cakës, grupi i Mandelës, grupi i Taulant Balliut, Dervishi, Xhepaxhiu i Cërrikut dhe shumë emra të tjerë, të cilët vuajnë dënimet e rënda, që kanë marrë nga gjykata shqiptare.

Kushtet optimale të qëndrimit në këtë sistem të burgimit shqiptar janë përkufizuar si një ndryshim si nata me ditën me burgjet e tjera shqiptare.

Shumica e të dënuarve vijnë nga burgu i sigurisë së lartë 302, në Tiranë. Por, edhe pse emrat janë “prototipa”, nga koha e transferimit të tyre nuk është regjistruar asnjë ngjarje dhe nuk ka patur asnjë problem për personelin e burgut.

Sokol Koçiu, i burgosur në Peqin

“Peqini, model i burgjeve në Shqipëri”

Sokol Koçiu, njëri prej vuajtësve të dënimit në këtë burg, e përcakton si një burg nazist, burgun 302 në Tiranë, ndërsa kujton “të këqijat” që ai e të tjerët heqin aty, ndërsa etiketon burgun e Peqinit si model.

“Revoltat dhe grevat e urisë të ndërmarra nga të burgosurit janë tërësisht të justifikuara nëse do të hidhnit një sy nga burgjet shqiptare. Burgu 302 ishte më i tmerrshmi, ku me pak fjalë mund të quhej burgu nazist, ose një monstër e sistemeve të burgimit në Shqipëri. Duke qëndruar atje për një vit, kuptova se në atë burg nuk bëhej fjalë për zbatimin e ligjit, por krijoheshin rregulla imagjinare, që ishe i detyruar t’i zbatoje. Polici ishte komandanti, ai vendoste gjithçka dhe duhet të zbatoje të gjitha urdhrat që jepte ai. Kontrolli hekurave bëhej mbi 10 herë në ditë, aq sa të burgosurit hasnin në një terror psikologjik të paimagjinueshëm. Nuk bëhej fjalë për të drejta, por vetëm për të zbatuar rregullat që komandonin gardianët”, tregon Koçiu. Më pas, ai jep edhe një gjykim për shkakun e këtyre parregullsive, ndërsa nuk ngurron të shigjetojë drejtësinë.

“Drejetësia është ajo që çalon më shumë për të sjellë edhe ngjarjet që ndodhin në qelitë e paraburgimit. Prokurori është ai që ka në dorë edhe pëqrfundimin e dosjes së një të burgosuri dhe, nëse ai e përfundon shpejt, atëherë i burgosuri do të ketë mundësi të marrë vendimin nga gjykata për t’u transferuar në burg, në të kundërt qelia e ngushtë, që ndahen me më shumë se 5 persona, do të vazhdojë të jetë banesa edhe për shumë kohë. Kjo ndodh në shumicën prej komisariateve të vendit dhe Ministria e Drejtësisë nuk reagon përballë ngjarjeve, duke mos penalizuar fajtorët. Zbatimi i të drejtave të paraburgosurve nuk ekziston në zbatimin e afateve, por edhe të burgosurve, të cilët presin të zbatohet ligji. Ky është problemi më i madh në drejtësinë shqiptare”, vijon Koçiu.

Më tej njëri prej të burgosurve VIP, këmbëngul të thotë edhe disa fjalë të mira për Burgun e Peqinit, krahasuar me të tjerët.

“Burgu i Peqinit është kthyer në një model të ndryshëm nga ajo që kemi parë në burgjet shqiptare. Ndryshimet janë thelbësore dhe fillojnë që nga personeli mjaft korrekt deri te drejtuesit. Komoditeti dhe mundësitë që na jepen për të qenë të integruar të paktën në komunitetin ku jetojmë është atmosfera që kemi gjetur. Biblioteka, mundësitë e argëtimit, sporti dhe shumë aktivitete të tjera kanë sjellë një imazh krejt tjetër nga ai që kemi jetuar. Peqini është një model i burgjeve shqiptare dhe kjo sjell një fije shprese për të ndryshuar imazhin e krijuar”.

Hamit Kosta, drejtori i Burgut të Peqinit

“Problem i vetëm, mungesa e një gjykate në Peqin”

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë dhe të mesëm në Peqin tregon se prej dy vjetësh nga përurimi i burgut nuk ka patur asnjë gërvishtje dhe ambientet janë në kushtet e tyre optimale. “Rreth 800 të burgosur, banorë të kësaj godine të fortifikuar, administrohen nga mbi 400 efektiva dhe problemet nuk kanë ekzistuar. Duket se të burgosurit janë pajtuar me idenë se kanë burg për të bërë, duke u ndërgjegjësuar se kohën që duhet të kalojnë brenda qelive duhet ta kalojnë në më të mirën e mundshme. Burgu mbetet i tillë edhe në kuptim, por të drejtat e të burgosurve këtu janë të zbatueshme”, shprehet Kosta. Më tej, ai rendit ekzistencën e ambienteve të këndshme të burgut, si dhe efektin e tyre.

“Biblioteka, spitali, objektet e kultit, kuzhina, disa fusha ajrimi janë një mundësi integrimi social të kategorive të ndryshme të të dënuarve. Burgu i Peqinit, i ndërtuar nga qeveria italiane jo vetëm me kushtet që ofron është një mundësi për riedukim, por edhe stafi i kualifikuar në vazhdimësi sjell edhe rezultatet optimale që kemi arritur gjatë kësaj kohe. Krijimi i hapësirave që të burgosurit të angazhohen si në aktivitete të ndryshme sportive, ashtu edhe drejt studimit ka evituar ndoshta edhe ato që ndodhin zakonisht nëpër burgjet e tjera, konfliktet, revoltat dhe grevat e urisë. Kjo formë do të vazhdojë në të ardhmen, duke arritur qëllimin e integrimit social të të gjithë banorëve të kësaj qyteze të veçantë”, shprehet kryegardiani i Peqinit.

Për Kostën, mungesa e një gjykate të Shkallës së Parë në Peqin, është një problem jo i vogël që ka nevojë për zgjidhje.

“Problemi që ne hasim dhe që ka kosto jo vetëm për përsonelin, por edhe për shtetin, është mungesa e një gjykate të shkallë së parë dhe të Apelit në Peqin. Me krijimin e tyre evitohen sorollatjet e të burgosurve, rreziqet për ndonjë arratisje të mundshme të tyre dhe gjithashtu evitohet një kosto e madhe që kanë transferimet për seancat gjyqësore. Krijimi i gjyqësorit, është një propozim që është depozituar tashmë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›