E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtarët e Ramës kërkojnë kthimin në Kuvend

14/01/2010  Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së
Kundërshtarët e kruet të PS-së Edi Rama, përfaqësues të lëvizjes për mendimin ndryshe brenda kësaj partie, do t’u kërkojnë forumeve drejtuese të vendosin ndërprerjen e bojkotit ndaj Kuvendit. Kështu, pritet që mbledhja në fundjavë e Asamblesë Kombëtare të përfshijë në axhendën e punimeve të saj pikërisht një kërkesë të tillë. Pavarësisht se ky forum është thirrur për të trajtuar një çështje krejtësisht të ndarë nga vendimi për të kushtëzuar hyrjen në legjislativ, përfaqësuesit e mendimit ndryshe në PS bëjnë me dije, edhe pse jo zyrtarisht, se do t’i kërkojnë këtij forumi, më i larti vendimmarrës mes dy kongreseve, që të hënën e ardhshme të ndërpresim bojkotin ndaj Kuvendit dhe të kthehen në sallën parlamentare. Ky hap, sipas tyre, duhet ndërmarrë duke pasur rolin e rëndësishëm të opozitës parlamentare përballë përmbytjeve në zonat veriperëndimore të vendit. Megjithatë, ky takim do të jetë i fokusuar te dhënia e një përkufizimi konkret se si duhet të funksionojë një shtet ligjor apo se cila do të ishte mënyra më e mirë e funksionimit të marrëdhënieve të institucioneve të drejtësisë me pushtetin politik. Ndërkohë që anëtarët e Asamblesë do të jenë të mirëpritur të japin sugjerimet e tyre mbi një çështje të tillë. Në këtë mënyrë, ende nuk dihet nëse do të lejohet që kjo mbledhje të trajtojë dhe një tjetër çështje që lidhet me qëndrimin e PS-së përkundrejt Parlamentit. Mbetet për t’u parë në vijim qëndrimi i deputetëve pjesë e lëvizjes për mendimin ndryshe, pasi ende nuk dihet nëse do të jetë seanca e radhës që do t’i kthejë ata në Kuvend, duke thyer kështu bojkotin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›