Përmbytja, verifikim KESH-it, 3 HEC-et e Ministrisë së Energjetikës
14/01/2010 Sekuetro kontratave të shitblerjeve dhe procesverbaleve që tregojnë nivelin e ujit në basene ujëmbledhëse
TIRANE- Situata kaotike që është krijuar nga përmbytjet e mëdha në Shkodër, si dhe kërkesat e vazhdueshme të Partisë Socialiste për hetimin e zyrtarëve të KESH-it dhe Ministrisë së Energjetikës, kanë detyruar kryeprokuroren Ina Rama që të urdhërojë prokurorinë e Shkodrës të fillojë verifikimin e praktikës së ndjekur gjatë monitorimit të nivelit të ujit në kaskadën e lumit Drin. Dy prokurorë të rrethit të Shkodrës kanë qenë dje në mjediset e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ku kanë sekuestruar një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me urdhërimin e hapjes së portave të 3 hidrocentraleve si dhe dokumente të tenderave për shitblerjen e energjisë elektrike në tre muajt e fundit të vitit 2009. Përveç kësaj, drejtuesi i prokurorisë së Shkodrës, Përparim Kullulli, ka urdhëruar dërgimin e dy oficerëve të Policisë Gjyqësore në 3 hidrocentralet: Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës, për administrimin e procesverbaleve që tregojnë rritjen ose uljen e nivelit të ujit minutë pas minute në basenet ujëmbledhëse. Të gjitha këto veprime bëhen në kuadër të verifikimit nëse ka pasur shkelje apo jo në administrimin e ujit në hidrocentrale dhe respektimin e rregullores së vitit 1988. Ekspertët thanë se është tepër shpejt të flitet për shkelje apo persona përgjegjës, pasi verifikimi sapo ka nisur. Në qoftë se gjatë ditëve në vazhdim do të konstatohen elemente të veprës penale, atëherë organi i akuzës do të regjistrojë menjëherë procedim penal për të hetuar personat përgjegjës, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të kenë sjellë krijimin e një situate kaotike, siç është përmbytja e madhe në qarkun e Shkodrës. Lidhur me këtë çështje verifikimet do të shtrihen edhe në Ministrinë e Energjetikës dhe ashtu si te KESH-i do të sekuestrohen dokumente, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve të këtij dikasteri. Ekspertët thanë se në skaner janë vënë edhe deklaratat publike në televizion apo në medie të ndryshme të këtyre zyrtarëve. Ata shtuan se për çdo paqartësi do të marrin në pyetje personat kompetentë, që kanë firmosur urdhrat e ndryshëm, si dhe specialistët e fushës.
Prifti dhe Stojku
Verifikimi i prokurorisë është pritur pozitivisht nga Ministri i Energjetikës Dritan Prifti dhe drejtori i KESH-it Muharrem Stojku, të cilët përpara medieve kanë pohuar se janë të hapur për çdo lloj hetimi dhe se do të vënë në dispozicion të organit të akuzës të gjithë dokumentacionin që kanë. Ata kanë deklaruar se tashmë është detyrë e prokurorisë dhe jo e thashethemeve lart e poshtë që të përcaktojë nëse ka pasur shkelje ligjore apo jo në administrimin e nivelit të ujit në basenet e kaskadës së lumit Drin.