E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundershtaret e Rames kerkojne mos kandidimin

11/08/2009  Zbardhet paketa e kundërshtarëve të Ramës me kërkesat për ndryshimet statutore

Ndër pikat e tjera janë dimesnioni parlamentar dhe një pozicionim më majtas i PS-së

Kundërshtarët e Ramës do t’i kërkojnë kongresit të jashtëzakonshëm disa ndryshime statutore. Madje, një paketë e tillë është drejt përfundimit, pasi përfaqësuesit e këtij grupimi janë pothuajse në përfundim të hartimit të këtyre ndryshimeve, si pjesë e platformës që do t’i paraqitet për diskutim këtij forumi, të thirrur më 29 gusht. Veçanërisht në këtë paketë u mëshohet shumë kompetencave dhe pozicionit të kryetarit të partisë. Konkretisht, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare atij i hiqet e drejta për rikandidim. Në këtë mënyrë, grupi i përfaqësuar nga socialistë të njohur tashmë si kundërshtar të kreut socialist Rama do të bëjnë një propozim të tillë, por do të jenë delegatët e kongresit ata që do të mirëpresin apo do ta kundërshtojnë një paketë të tillë ndryshimesh statutore. E nëse paketa anti-Rama nuk do të gjejë mbështetjen e delegatëve, atëherë kundërshtarët e tij do të presin garën e ardhshme për zgjedhjet lokale të 2011-s, ku në varësi të rezultatit të PS-së do të ndërmerren hapat e tjerë për minimizimin e kompetencave të kryetarit Rama, ku në rast humbjeje do të kërkohet largimi përfundimtar i tij.

Përplasja

Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste do të përplasë mes tyre dy grupimet e krijuara tashmë brenda kampit rozë. Këto dy grupime pritet të paraqiten në këtë forum me dy platforma, ku linja zyrtare e kryesuar nga Rama të paraqesë për diskutim dhe miratim vendimet e Asamblesë Kombëtare, ndërsa grupimi tjetër, të etiketuar tashmë si kundërshtarë të kryetarit aktual, të paraqesin një tjetër platformë. Në këtë mënyrë, kundërshtarët e kreut socialist Rama paraprakisht po punojnë për hartimin e një platforme të qartë, mbi të cilën do të përqendrohen në ditën kur forumi më i lartë vendimmarrës do të zhvillojë mbledhje e lajmëruar. Thelbësor është fakti që ky grupim kërkon në mënyrë të vendosur moskandidmin e Ramës, këtu është fokusuar e gjithë paketa me ndryshimet statutore që pritet të kërkojë ky grupim në kongres. Ndër kryesoret, përfaqësuesit e këtij grupimi kërkojnë të ndërhyjnë në statut pozicionin dhe kompetencat e kryetarit, duke saktësuar në të faktin se pas dorëheqjes për humbje në zgjedhje atij të mos i jepet e drejta për të rikandiduar më për këtë post. Njëkohësisht kërkesat për ndryshime statutore lidhen me dimensionin parlamentar, pra për prurjet e reja në parti, ndërkohë që do të kërkohet që përmes ndryshimeve të përcaktohet me ligj që Partia Socialiste të jetë një parti më e majtë, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë filozofinë kreut socialist Rama “përtej së majtës dhe së djathtës”. Por paraprakisht përfaqësuesit e këtij grupimi mësohet të kenë vendosur që të zhvillojnë takime intensive dhe diskutime me të gjithë delegatët, në mënyrë që në kongres të ketë një numër të madh përfaqësuesish, të cilët do të mbështesin një platformë të tillë. Po nëse kundërshtarët e Ramës do të përballeshin me një dështim në këtë forum, pra nëse platforma e tyre nuk do të gjente mbështetje, atëherë u mbetet të presin zgjedhjet lokale të 2011-s. Në rast se PS-ja do të shkojë në një tjetër humbje, atëherë ky grupim do të mund të realizonte largimin përfundimtar të Ramës nga kreu i partisë.

Gara

Gara për kryesimin e Partisë Socialiste vijon të mbahet peng nga pozicioni i kryetarit aktual Edi Rama. Më qartë, vetëm nëse do të kishim një tërheqje përfundimtare nga kreu socialist nga kjo garë do të kishim të tjerër konkurrentë në të, në të kundërt i mbetet vetëm kreut Rama të konkurrojë për këtë post.

Edi Rama

Kreu socialist Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se tashmë është kryetar në detyrë i partisë që drejtoi për 4 vjet. Por nga ana tjetër ai ka lënë të kuptohet qartë se nuk do të tërhiqet, përkundrazi, do të çojë deri në fund projektin e tij dhe për t’u shpjeguar shqiptarëve atë që ndodhi në zgjedhjet e fundit, si dhe për të zbardhur krimin e 28 qershorit. Vetë Edi Rama shfrytëzoi javën e parë, pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, për të pushuar dhe për të kontaktuar në SHBA me kongresmenë, me qëllim bërjen me dije të shqetësimeve të PS-së për manipulimet në këtë proces. Ndërsa me kthimin këtë javë ai pritet të merret edhe personalisht me përgatitjen e kongresit të 29 gushtit. Megjithatë, mbështetësit e linjës zyrtare e kanë të qartë deri diku axhendën në të cilën do të përqendrohet ky kongres. Ndërkaq deputeti Ben Blushi përflitet tashmë si një prej kandidatëve potencialë për postin e kreut të PS-së. Blushi nuk ka artikuluar qartë, por është duke punuar në krye të një grupi për largimin e Ramës.

Arben Malaj

Deputeti Arben Malaj është një prej kandidatëve, i cili ka shpallur publikisht kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Madje, pritet që gjatë kësaj jave Malaj të shpalosë platformën e tij me një aktivitet, kjo gati tri javë para mbajtjes së kongresit, në të cilin do të shpallen dhe do të administrohen të gjitha kandidaturat për kreun e partisë. “Me një grup ekspertësh dhe kolegësh të politikës dhe të ekonomisë unë po punoj për ta paraqitur platformën time në Kongresin e 29 gushtit”, - deklaroi pak ditë më parë në një intervistë deputeti socialist Arben Malaj. Ndërkohë deri tani asnjë kandidat tjetër për kreun e PS-së nuk i ka deklaruar publikisht hapat e tij për konkurrimin e platformave në Kongres. Por në takimin e zhvilluar pak ditë më parë nga kundërshtarët e Ramës, deputeti njëkohësisht kandidati për postin e kryetarit të PS-së Arben Malaj nuk qe i pranishëm në këtë takim, i cili vuri piketat mbi përgatitjet e këtij grupimi përpara kongresit të jashtëzakonshëm.

Kongresi

Statuti i PS-së ka përcaktuar kompetencat e Kongresit të kësaj partie. Kështu, pika 3 përcakton se përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për kryetarë të PS-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre.

Kandidatët për kryetarë të PS-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në Asamblenë Kombëtare të PS-së.

Kandidatët për kryetarë të PS-së paraqesin në Kongres platformat e tyre.

Kongresi vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS-së sipas parimit “një anëtar, një votë” jo më vonë se dy muaj nga data e zhvillimit të Kongresit.

Ndërkohë neni 28 përcakton detyrimet për kreun e partisë, ku pika 2 përcakton se mandati i kryetarit të partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative. Ndërkohë pritet që brenda muajit shtator PS-ja të ketë kryetarin e saj që do ta drejtojë për katër vjetët e ardhshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›