Masakra e Durrësit, Withers mesazh për familjet e policëve
TIRANË- Ambasada amerikane në Tiranë ka përcjellë sot mesazh ngushëllimi për familjet e 4 policëve rënë në krye të detyrës, në aksionin për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti.
Ambasadori John Withers i ka dërguar ngushëllimet ministrit të Brendshëm Bujar Nishani.
"Mësuam me shumë keqardhje vdekjen në krye të detyrës të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari. Vdekja e këtyre oficerëve të devotshëm të policisë, gjatë kohës që ata kryenin detyrën e tyre, dëshmon dhe një herë për sfidat e mëdha dhe punën e rrezikshme me të cilën përballen zbatuesit e ligjit"- thuhet në mesazhin e Withers.
Ai përcjell më tej ngushëllimet e thella gjithë nëpunësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar.
"Në këtë moment dhimbjeje, lutem përcillni ngushëllimet tona më të thella tek familjet e heronjve të rënë",- përfundon mesazhin e ngushëllimit Ambasadori i SHBA në Tiranë. John L. Withers II.