E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajduti qëllohet me sëpatë teksa vidhte

11/08/2009  Vëllai i pronarit të lokalit e qëllon 47-vjeçarin në kokë, arrestohen të dy

Në Kashar, vendi ku ndodhi ngjarja, u gjetën edhe një palë paterica

TIRANË- Një 47-vjeçar, që shkoi për të vjedhur lokalin, u qëllua me sëpatë nga vëllai i pronarit. Dje në mesditë specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasve Selim Kamberi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, dhe Përparim Madani, 47 vjeç, lindur dhe banues në Tropojë, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tyre u bë sepse mbrëmë dyshohet se në ambientet e një lokali të ndodhur në Kashar shtetasi Përparim Madani ka shkuar me synim për të vjedhur, por vjedhja është konstatuar nga shtetasi Selim Kamberi, vëllai i pronarit të këtij lokali, i cili e ka goditur në pjesën e kokës me sëpatë autorin e vjedhjes. I dëmtuari Përparim Madani është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndësuar shëndetësore. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një lopatë dhe një palë paterica. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm do t’i kalojnë prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë për veprat penale të plagosjes së rëndë, me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, parashikuar nga neni 88/b i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Selim Kamberi dhe të vjedhjes së mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 134 dhe 22 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Përparim Madani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›