E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet nisja e lëvizjes “Blushi” në bazën e Partisë Socialiste

Blushi: “Lëvizja është kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e PS-së”. Deputeti socialist: “Rama, kandidat pa platformë, PS-ja ka nevojë për një reformim të thellë”

Shaban Sulçe
Në ditën e nisjes së fushatës së Edi Ramës për t’u rizgjedhur kryetar i Partisë Socialiste, kundërshtarët dhe zërat kritikë të kreut në detyrë shpallin fillimin e një lëvizjeje të gjerë brenda radhëve të Partisë Socialiste. Lëvizja do të drejtohet nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, i cili deklaroi se kjo lëvizje është kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste. Blushi tha se do të niste një tur takimesh me anëtarësinë socialiste për t’i shpjeguar arsyet se përse Partia Socialiste duhet të bëjë opozitën e saj në Parlament. Ai shpjegoi gjithashtu se kjo lëvizje synon edhe reformimin e Partisë Socialiste, reformim që, sipas Blushit, është i domosdoshëm. “Po, është e vërtetë që do të takohemi me anëtarësinë socialiste. Ne jemi përcaktuar për momentin që flasim kundër bojkotit. Kundër bojkotit si një iniciativë e papjekur politike, si një iniciativë me mbështetje personale dhe me interesa personale, të cilat nuk i shërbejnë forcimit të opozitës. Sigurisht, kemi lënë proces për shkak të deformimeve të Kongresit të fundit dhe nevojën për t’u konsultuar me anëtarësinë e Partisë Socialiste për disa ndryshime në Statut. Pra, për një reformë brenda Partisë Socialiste. Ka shumë arsye për t’u konsultuar me socialistë që mendojnë si ne. Kjo gjë do të provohet në proces, pasi jam i bindur se numri i atyre që mendojnë se nuk ka arsye që Partia Socialiste të dalë nga Parlamenti dhe ka shumë më shumë arsye që Partia Socialiste të reformohet dhe të ndryshojë për të ardhur në pushtet, do të shtohet”, - tha deputeti socialist.

Fushata
Blushi shpjegoi se fillimi i kësaj lëvizjeje nuk është një kundërvënie ndaj nisjes së fushatës për rizgjedhje në drejtimin e Partisë Socialiste nga ana e kryetarit në detyrë, Edi Rama. Megjithatë, deputeti socialist nuk hezitoi që ta sulmonte Ramën duke e cilësuar atë një kandidat pa platformë. Nga ana tjetër ai deklaroi se platforma e kësaj lëvizjeje synon të reformojë PS-në, të bashkojë të majtën dhe të fusë opozitën në institucione. “Absolutisht, Edi Rama shkon si kandidat në bazën e Partisë Socialiste si një kandidat pa platformë. Ndërsa ne kemi një platformë, e cila synon të reformojë Partinë Socialiste, të bashkojë të majtën dhe ta fusë opozitën në institucione. Pra, ne po konsultojmë një platformë, Edi Rama konsulton një ambicie. Ai konsulton një ambicie, ambicien e vet për të mbajtur me çdo kusht kreun e Partisë Socialiste. Ne do të vazhdojmë të konsultojmë idetë tona dhe sigurisht që lufta e njeriut me idenë është gjithmonë në favor të idesë. Ideja fiton mbi njeriun, kjo është e lashtë sa bota dhe ka për të ndodhur edhe këtë radhë”, - vijoi ai.

Situata
Blushi foli gjithashtu edhe për gjendjen aktuale në Partinë Socialiste. Sipas tij, PS-ja gjendet në një klimë jo të mirë, e cila rrezikon ta çojë një pjesë të udhëheqjes së PS-së në marrjen e vendimeve naive ose hakmarrëse. Deputeti socialist tha se shpresonte në qetësimin e kësaj situate dhe në përqendrimin e luftës kundër Sali Berishës, dhe jo mendimit ndryshe brenda partisë. “Sigurisht që ka një klimë jo të mirë brenda Partisë Socialiste, një klimë e cila rrezikon ta çojë një pjesë të udhëheqjes së Partisë Socialiste në vendime naive, apo hakmarrëse. Natyrisht që unë jam i qetë dhe pres që të qetësohen brenda Partisë Socialiste, të gjithë ata që mendojnë që sot nuk është dita për të luftuar Sali Berishën, por është dita për të luftuar ata që mendojnë ndryshe brenda partisë. Këtu ndahemi. Unë jam votuar, të gjithë ne jemi votuar për të shkuar në Parlament dhe për të vazhduar betejën tonë si opozitar, dhe nuk jam votuar për të bërë një betejë të paskrupullt brenda Partisë Socialiste. Nëse dikush ka hequr dorë nga beteja me Sali Berishën për të zgjedhur disa armiq brenda Partisë Socialiste, kjo nuk e çon asgjëkund, përkundrazi, i dobëson ata vetë dhe vetë Partinë Socialiste”, - tha Blushi.

Blushi: Pro protestave, por jo bojkotit në Kuvend

Gjatë prononcimit të djeshëm për mediat, deputeti socialist, Ben Blushi, mbështeti idenë e organizimit të protestave nga ana e Partisë Socialiste, por ai theksoi se ky aksion politik do të ketë më shumë vlera nëse PS-ja do të jetë e pranishme në Kuvend. “Unë besoj që protestat dhe Parlamenti nuk janë dy gjëra që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Mund të jesh në Parlament dhe njëkohësisht mund të bësh protesta për arsye, për ide të caktuara, për të përfaqësuar ata shqiptarë që mendojnë se ka ardhur koha për të protestuar. Arsyeja për protesta opozita ka gjithmonë, por kjo s’do të thotë që të dalësh jashtë Parlamentit. Të dyja bashkë janë pjesë të një aksioni politik, dinjitoz që opozita nuk mund ta neglizhojë”, - tha ai.

Lëvizja, ballafaqim në forumet e PS-së

Sipas nismëtarëve, lëvizja nuk synon dëmtimin e forumeve të PS-së, por zhvillimin e tyre nëpërmjet ballafaqimeve të vazhdueshme të ideve, të cilat do ta ndihmojnë PS-në të rikthehet në rrugën e duhur. “Sigurisht që do të ketë një ditë kur idetë dhe njerëzit do të ballafaqohen brenda Partisë Socialiste, sepse Partia Socialiste nuk mund të ikë dhe t’i largohet detyrimit që ka për të ballafaquar probleme dhe çështje të vetat, edhe të kundërta apo të ndryshme, në forumet e saj. Sigurisht që forumet nuk do të zhbëhen brenda Partisë Socialiste. Aty do të ketë ballafaqim të vazhdueshëm idesh, derisa Partia Socialiste të vijë në shinat në të cilat vota e 28 qershorit ia ka përcaktuar”, - deklaroi Blushi.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›