E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtarët e Shqipërisë për kualifikimet e EURO 2012

Leonard Karaj (Panorama Sport)-I njohim thuajse të gjitha. Me disa prej tyre kemi luajtur që në krye të herës. Me të tjerat vetëm pas viteve ‘90-të dhe madje edhe 2000. Por kjo, ca për shkak se shorti nuk ka përplasur me ta ca edhe se federata si ajo e Bosnjës dhe Bjellorusisë janë themeluar vetëm pas ndarjes së ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Nuk mund të konsiderohet një grup i hekurt (të paktën jo nga specialistët e futbollit), por kur vjen puna te Kombëtarja jonë, teorikisht ia dalim vetëm ndaj Luksemburgut, vend jo vetëm me një futboll modest, por edhe gjeografikisht më “vocërrakë” se ne.
Rivalët
Luksemburgu të mahnit me standardin ekonomik dhe infrastrukturën, por për futboll nuk ia thotë shumë. I shtrirë në qendër të Evropës, mes Francës dhe Gjermanisë, në një sipërfaqe prej 2586 km², Luksemburgu numëron jo më shumë se 550 mijë banorë, por me një mirëqenie ekonomikë nga më të lartat në Evropë, mesatarisht 87.995 dollarë për person në vit. Teorikisht, ekipi më i dobët në grup. Bjellorusia duket e largët në emra, por sfida e nëntorit 2007 në Tiranë (2-4) na tregon se futbolli i këtij vendi prej më shumë se 9 milionë banorësh është më rezultativ se i yni. Ekipi që duhet mundur. Bosnjën para 1 dekade e gjysmë e mundnim pa shumë probleme në Tiranë në një ndeshje miqësore, por prej asaj kohe, nëse Kombëtarja jonë ka mbetur thuajse vendnumëro, boshnjakët janë rritur shumë. Aq shumë sa së fundi luajtën ndeshjet ‘play-off’ për në Botërorin afrikan. Vështirë që t’u marrim pikë.
Elitarët
Në fund Rumania dhe Franca, dy skuadra ndaj të cilave veç faktit se mund të përfitojmë ekonomikisht nga e drejta TV, në fushë teorikisht jemi të shpartalluar pa filluar ende loja. Nëse me rumunët jemi ndeshur 15 herë dhe jo më larg se dy vite më parë, ndaj francezëve uronim që të na binin në grup, kjo edhe se përballjet ndaj tyre i kemi me pikatore, vetëm 2 në kohën kur Franca drejtohej nga Mishel Platini.  

Franca
Popullsia: 65.437.000 banorë
Kryeqyteti: Parisi
Themelimi i federatës së futbollit: 1919
Trajner: Rajmond Domenek
Kapiten: Patrik Vieira
Lojtari me më shumë ndeshje: Lilian Turam, 142 ndeshje
Golashënuesi më i mirë: Tierri Henri, 51 gola
Stadiumi: “Stade de France”
Renditja FIFA: 7
Renditja më e lartë: 1 (maj 2001–maj 2002)
Renditja më e ulët: 25 (prill 1998)
Ndeshja e parë: Belgjikë-Francë 3-3 (1 maj 1904)
Fitorja më e thellë: Francë-Azerbajxhan 10-0 (6 shtator 1995)
Humbja më e thellë: Danimarkë-Francë 17–1 (22 tetor 1908)
Pjesëmarrje në botëror: 13 (1930, 1934, 1938, 1954, 1958, 1966, 1978, 1982, 1986, 1998, 2002, 2006, 2010)
Rezultati më i mirë: Kampion bote në “Francë 1998”
Pjesëmarrje në evropian: 7 (1960, 1984, 1992, 1996, 2000, 2004, 2008)
Rezultati më i mirë: Kampion Evrope në “Francë 1984” dhe “Holandë-Belgjikë 2000”
Pjesëmarrje në Kupën e Konfederatave: 2 (2001, 2003)
Rezultati më i mirë: Kampion në 2001 dhe 2003
Yjet e skuadrës: Frank Riberi (Bajern), Patrik Vieira (Man.Siti), Samir Nasri (Arsenal), Mathieu Flamini (Milan).
Eskaletes: Nuk mund ti zëmë besë këtij grupi
“Nuk duhet në mënyrë absolute t’i zëmë besë këtij grupi. Sipas meje është mjaft i ekuilibruar. Do të takojmë Rumaninë, e cila na krijoi jo pak probleme dy vite më parë. Bjellorusia është një skuadër që gjithmonë ka bërë lojëra të mira, sidomos në fushën e saj, ndërsa Bosnja është rritur shumë kohët e fundit. Safet Sushiç (trajneri i Bosnjës) mund të na rezervojë ndonjë surprizë të pakëndshme, kështu që do ishte me vend që të mos e injoronim. Luksemburgu arriti të fitojë para një viti ndaj Zvicrës, pra nuk është edhe aq e lehtë sa duket”, - tha presidenti i Federatës franceze, Zhon-Pierr Eskaletes.

Rumania
Popullsia: 22.215.000 banorë
Kryeqyteti: Bukureshti
Themelimi i federatës së futbollit: 1909
Trajner: Razvan Lucescu
Kapiten: Kristian Çivu
Lojtari me më shumë ndeshje: Dorinel Munteanu, 134 ndeshje
Golashënuesi më i mirë: George Haxhi, 35 gola
Stadiumi: “Stadionul Naţional”, Bukuresht
Renditja FIFA: 38
Renditja më e lartë: 3 (shtator 1997)
Renditja më e ulët: 38 (Janar 2010)
Ndeshja e parë: Jugosllavi-Rumani 1-2 (Beograd, 8 qershor 1922)
Fitorja më e thellë: Rumani-Finlandë 9-0 (Bukuresht, 14 tetor 1973)
Humbja më e thellë: Hungari-Rumani 9-0 (Budapest, 6 qershor 1948)
Pjesëmarrje në botëror: 7 herë (1930, 1934, 1938, 1970, 1990, 1994, 1998)
Rezultati më i mirë: Çerekfinale në “USA 1994”
Pjesëmarrje në evropian: 4 herë (1984, 1996, 2000, 2008)
Rezultati më i mirë: Çerekfinale në “Holandë-Belgjikë 2000”
Pjesëmarrje në Kupën e Konfederatave: Asnjë
Yjet e skuadrës: Kristian Çivu (Inter), Nikolae Dika (CFR Kluzh), Adrian Mutu (Fiorentina), Çiprian Marica (Shtutgart)
Mirçea Sandu: Franca, “armiku” ynë në grup
“Është një grup i kalueshëm. Do të kisha preferuar Kroacinë nga vazoja e parë, por megjithatë edhe Franca është një skuadër që të motivon. Po të shikosh ndeshjet e fundit ndaj saj, ne kemi luajtur mjaft mirë, prandaj besoj se do të bëjmë të njëjtën gjë edhe në këto kualifikime. Përgjithësisht, Franca mund të konsiderohet ‘armiku’ ynë në këtë grup, por unë do të veçoja pak edhe Bosnjën, një skuadër që ka ardhur në rritje dhe mund të kualifikohej edhe për në Botëror. Ekipet e tjera nuk besoj se do të na krijojnë probleme”, - është shprehur presidenti i Federatës rumune, Mirçea Sandu.

Bosnjë-Hercegovina
Popullsia: 4.613.000 banorë
Kryeqyteti: Sarajevë
Themelimi i federatës së futbollit: 1992
Trajner: Safet Sushiç
Kapiten: Emir Spahiç
Lojtari me më shumë ndeshje: Elvir Boliç, 55 ndeshje
Golashënuesi më i mirë: Elvir Boliç, 24 gola
Stadiumi: “Bilino Polje, Zenica”
Renditja FIFA: 48
Renditja më e mirë: 25 (tetor 2007)
Renditja më e ulët: 173 (shtator 1996)
Ndeshja e parë: Iran-Bosnjë-Hercegovinë 1-3 (6 qershor, 1993)
Fitorja më e thellë: Bosnjë-Hercegovinë-Estoni 7-0 (10 shtator 2008)
Humbja më e thellë: Argjentinë-Bosnjë-Hercegovinë 5-0 (14 maj, 1998)
Pjesëmarrje në botëror: Asnjë
Pjesëmarrje në evropian; Asnjë
Pjesëmarrje në Kupën e Konfederatave: Asnjë
Yjet e skuadrës: Miralem Pjaniç (Lion), Zlatan Bajramoviç (Frankfurt), Zvjezdan Misimoviç (Volfsburg), Edin Dzeko (Volfsburg), Vedad Ibisheviç (Hofenheim)
Sishic: “Short i mirë, pretendojmë kualifikimin”
“Ndihemi me fat që nuk ramë në një grup me skuadra si Spanja ose Portugalia. Janë ekipe, me të cilat nuk do dëshiroja të përballesha sërish. Sa i përket grupit mund të them se është i kalueshëm. Bjellorusia e Shqipëria janë pak a shumë skuadra të një niveli, ndërkohë do të kemi disi më shumë punë me Rumaninë dhe Francën. Gjithsesi, ne do të provojmë shanset tona dhe besoj shumë se mund të arrijmë të paktën vendin e dytë në grup, i cili do na çonte në play-off”, - ka qenë ky komenti i trajnerit të Bosnjë-Hercegovinës, Safet Sishiç.
   
Bjellorusia
Popullsia: 9.648.000 banorë
Kryeqyteti: Minsk
Themelimi i federatës së futbollit: 1989
Trajner: Bernd Stange
Kapiten: Aleksandër Hleb
Lojtari me më shumë ndeshje: Aliaksandr Kulshi, 83 ndeshje
Golashënuesi më i mirë: Maksim Romashenko, 20 gola
Stadiumi: “Dinamo Stadium”
Renditja FIFA: 80
Renditja më e lartë: 57 (korrik-gusht 2008)
Renditja më e ulët: 142 (mars 1994)
Ndeshja e parë: Lituani-Bjellorusi 1-1 (20 korrik 1992)
Fitorja më e thellë: Bjellorusi-Lituani 5-0 (7 qershor, 1998)
Humbja më e thellë: Austri-Bjellorusi 5-0 (11 qershor, 2003)
Pjesëmarrje në botëror: Asnjë
Pjesëmarrje në evropian; Asnjë
Pjesëmarrje në Kupën e Konfederatave: Asnjë
Yjet e skuadrës: Aliaksandr Kulshi (Rostov, Rusi), Aleaksander Hleb (Shtutgart, Gjermani), Sergei Kornilenko (Zenit St. Petersburg, Rusi).
Bernd Stange: Besojmë shumë në forcën tonë
“Do të përballemi me skuadra mjaft interesante. Me Rumaninë dhe Shqipërinë kemi luajtur edhe më parë. Ndërsa Franca dhe Bosnja janë dy ekipe me lojtarë mjaft të mirë që të motivojnë shumë. Jam i kënaqur si për lojtarë e mi dhe për fansat që do të kenë rast të shikojnë lojtarë që luajnë për Arsenalin, Bajern Mynihun, etj. Kemi shumë besim tek forca jonë e grupit të lojtarëve. Jam optimist se mund të bëjmë ndeshje të mira. Kualifikimi? Të shikojmë në fillim ndeshjet e para”, - ka deklaruar trajneri gjerman i Bjellorusisë.    
 
LUKSEMBURGU
Popullsia: 502.000 banorë
Kryeqyteti: Luksemburg
Themelimi i federatës së futbollit: 1908
Trajner: Guj Hellers
Kapiten: Xhef Straser
Lojtari me më shumë ndeshje: Xhef Straser, 90 ndeshje
Golashënuesi më i mirë: Leon Mart, 16 gola
Stadiumi: “Zhozi Bartel”
Renditja FIFA: 128
Renditja më e lartë: 93, (prill 1996)
Renditja më e ulët: 195 (gusht 2006)
Ndeshja e parë: Luksemburg-Francë 1-4 (29 tetor 1911)
Fitorja më e thellë: Luksemburg-Afganistan 6-0 (26 korrik 1948)
Humbja më e thellë: Luksemburg-Angli 0-9 (19 tetor 1960) dhe Angli-Luksemburg 9-0 (15 dhjetor 1982)
Pjesëmarrje në botëror: Asnjë
Pjesëmarrje në evropian: Asnjë
Pjesëmarrje në Kupën e Konfederatave: Asnjë
Yjet e skuadrës: Xhef straser (Grashoper, Zvicër), Mario Mutsh (FC Metz, Francë), Zhil Betmet (Frajburg II)
Guj Hellers: Kënaqësi të  luash me Francën
“Është një grup ku pjesën më të mirë të ekipeve i njohim. Me Shqipërinë dhe Bjellorusinë kemi luajtur edhe më parë. Ashtu sikurse edhe Rumania është një skuadër me të cilën kemi luajtur. Mund të them se surprizë është vetëm Bosnja, me të cilën nuk jemi ndeshur, ndërsa përballja me Francën do të jetë një kënaqësi më vete. Për ne të gjitha ndeshjet janë të vështira. Skuadra është ende e re, por nëse ndaj Francës dhe Bosnjës do t’i quaja të humbura që në letër, ndaj Shqipërisë dhe Bjellorusisë do të provojmë të marrim rezultat”, - ka pohuar trajneri i Luksemburgut, Guj Hellers.

EURO 2012
Kalendari përcaktohet në kryeqytetin e Luksemburgut
Përfaqësuesit e të gjitha federatave anëtare të Grupit D kualifikues për EURO 2012, përfshi trajnerin e Shqipërisë, Josip Kuzhe dhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka, do të mblidhen në Luksemburg më datë 19 shkurt 2010. Aty do të përcaktohet kalendari i plotë i ndeshjeve, bazuar në datat e disponueshme që ka përcaktuar UEFA. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, Shqipëria nuk ka preferenca në mënyrën sesi do të luhen ndeshjet e këtij grupi. Për më tepër sipas tij, Kombëtarja jonë nuk mund të jetë përcaktuese në këtë kalendar.  "Kalendari do përcaktohet në kryeqytetin e Luksemburgut më datë 19 shkurt. Nuk ka ndonjë gjë specifike nga ana e jonë dhe nuk besoj që ne do të jemi faktorët kryesorë në ndikim të hedhjes së shortit, ku edhe nëse luajmë ndeshjet e para jashtë fushe, nuk do të ishte shqetësuese. Për ne të gjitha ndeshjet janë njëlloj, po aq të vështira sa duken edhe në letër, ndaj si t’i luash në fillim si t’i luash në fund, pak rëndësi ka. Ndërsa nga pikëpamja e të drejtave televizive, në një këndvështrim të parë mund të them se vetëm Franca ka diçka, kurse skuadrat e tjera asgjë”, - ka përfunduar prononcimin e tij Duka, lidhur si me kalendarin dhe me të ardhurat që mund të ketë Federata Shqiptare e Futbollit nga kualifikimet e këtij Evropiani.
10
ndeshje do të luajë Kombëtarja jonë për kualifikimet e EURO 2012, përkatësisht nga dy ndeshje me secilën skuadër të Grupit D (vajtje-ardhje), ku është shortuar ekipi ynë përfaqësues.
  
Data e ndeshjeve të programuara nga UEFA do të jenë si më poshtë:
a) 3-4 dhe 7 shtator 2010
b) 8-9 dhe 12 tetor 2010
c) 25-26 dhe 29 mars 2011
d) 3-4 dhe 7 qershor 2011
e) 2-3 dhe 6 shtator 2011
f) 7-8 dhe 11 tetor 2011
Ndërsa datat e mëposhtme janë rezervuar për ndeshjet “play-off”, që do të zhvillojnë 8 skuadrat që do renditen të dytat në grup:
a) 11-12 nëntor 2011
b) 15 nëntor 2011

Burimi: Albania-sport.comE Hene, 08 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›