E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa fat, Shqipëria humbet në gogla

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - Shqipëria do të përballet me Francën, Rumaninë, Bosnjë-Hercegovinën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun në eliminatoret për kampionatin evropian të futbollit “Poloni-Ukrainë 2012”. Shorti për këto eliminatore është hedhur dje në Varshavë të Polonisë. Shqipëria bën pjesë në Grupin D, që vlerësohet ndër më të fortët. Shqipëria në short ishte pjesë e vazos së pestë, pra në grup ka katër përfaqësuese që vlerësohen më lartë. Me të gjithë kundërshtarët e grupit Kombëtarja është ndeshur në të kaluarën. Rumaninë, Bjellorusinë dhe Luksemburgun i kishte kundërshtarë edhe në eliminatoret për “Euro 2008”. Në ato eliminatore kuqezinjtë mposhtën dy herë Luksemburgun, humbën dy herë nga Rumania, kurse barazuan dhe humbën një herë në përballje me Bjellorusinë. Me Francën, Shqipëria është takuar vetëm dy herë, në kuadër të eliminatoreve për “Euro 1992”. U mposht 1-0 e 5-0. Me Bosnjë-Hercegovinën kombëtarja ka luajtur vetëm dy miqësore. Në maj të vitit 1995 fitoi 2-0, ndërsa në prill të vitit 1996 barazoi pa gola. Edhe me Bjellorusinë e Luksemburgun ka luajtur vetëm nga dy herë, në eliminatoret për evropianin e kaluar. Ndërsa me Rumaninë, Shqipëria është takuar 14 herë, dhjetë herë në ndeshje zyrtare dhe katër herë në miqësore. Rumunët kanë fituar dhjetë herë, Shqipërisë i takuan dy fitore, ndërsa dy ndeshje përfunduan baras.
Kundërshtarët
Franca dhe Rumania janë dy nga skuadrat që në pamje të parë të krijojnë idenë e më të vështirave në grup, por në eliminatoret e botërorit 2010, të dyja këto ekipe shfaqën probleme. Franca u kualifikua pas një pasimi me dorë të Henrisë kundër Irlandës. Ekipi i drejtuar nga Domenek ishte gjithnjë në qendër të kritikave. Rumania, pati gjithashtu shumë vështirësi duke treguar se është një ekip me shumë probleme. Rumunët nuk arritën të kualifikoheshin dhe u renditën të parafundit në grup duke grumbulluar vetëm 12 pikë. Bosnjë-Hercegovina është padyshim një nga skuadrat më në formë. U eliminuan nga Portugalia në play-out, në eliminatoret e Botërorit 2010. Kanë një brez lojtarësh të shkëlqyer si Dzeko, Ibiseviç dhe Pjaniç. Ky ekip u rendit i dyti pas Spanjës në grupin 5 dhe ishte një surprizë e këtij kompeticioni. Bjellorusia është gjithashtu një ekip rritje dhe duhet pasur kujdes. Sezonin e kaluar u rendit e katërta në grup, pas Anglisë, Ukrainës dhe Kroacisë. Kanë një brez lojtarësh të mirë, të udhëhequr nga Aleksandër Hleb. Luksemburgu shihet si skuadra që Shqipëria mund t’i marrë pikë të plota, ndonëse pas eksperiencës me Maltën, nuk mund të vihet bast as për këtë.
Shqipëria
Duhet pranuar se edhe përfaqësuesja shqiptare nuk po kalon një moment të mirë. Jo vetëm sepse vjen pas një edicioni zhgënjyes, por sepse nuk ka më brezin e lojtarëve të katër apo pesë viteve më parë. Në një situatë të tillë, drejtuesit e FSHF-së, por edhe trajneri Josip Kuzhe duhet të vendosin për strategjinë që do të zgjedhin në këto eliminatore. Nëse do të punojnë për të ndërtuar një skuadër solide për edicionin pasardhës, apo nëse do të provojnë të futen në garë për të luftuar për kualifikimin. Me gjendjen aktuale, Shqipëria nuk është gati për ta nisur këtë garë me synimin që të kualifikohet.

Francezët, rumunët dhe boshnjakët nuk e përmendin Shqipërinë
Rivalët nuk na llogarisin fare
Zyrtarët e tri përfaqësueseve më të forta të grupit D: Francës, Rumanisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk e kanë përmendur fare Shqipërinë.
“Jam relativisht i kënaqur me shortin. Ne mund të kualifikohemi në evropian. Është vështirë të flitet paraprakisht, por vlerësoj se Franca është favorite e grupit”, ka thënë trajneri i Rumanisë, Rozvan Luçesku. Trajneri i Bosnjës, Safet Sushiç, ka thënë se përfaqësuesja që ai drejton do të luftojë për pozitën e dytë. Edhe ai e ka vlerësuar Francën favorite të grupit. “Nuk ka grup të lehtë, por jam i lumtur që i kemi ikur Spanjës, Holandës dhe Portugalisë. Franca është favorite në grupin tonë, ndërsa ne do të luftojmë për vendin e dytë”, ka thënë ai. Drejtori teknik i Përfaqësueses së Francës, Zherard Hulier, ka thënë se grupi D është i volitshëm për “gjelat”. “Rumania është kundërshtar i fortë. Këtë e ka dëshmuar edhe në kualifikimet për botëror. Bosnjë-Hercegovina me Safet Sushiçin në krye është gjithçka, por jo kundërshtar i lehtë, ndërsa për përfaqësuesen e Bjellorusisë nuk jam i njoftuar. Marrë në përgjithësi në short kemi kaluar mirë”, ka thënë Hulier. Përfaqësuesja e Shqipërisë është në pritje të kualifikimit të parë në një kampionat evropian apo botëror, por duket se fati nuk e ka ndihmuar as këtë herë.
Precedentët e Shqipërisë.....
...me Rumaninë
13.10.1946, Tiranë (K.B)
Shqipëri-Rumani  1-0
25.05.1947, Tiranë (K.B)
Shqipëri-Rumani  0-4
02.05.1948, Bukuresht (K.B)
Rumani-Shqipëri  0-1
23.10.1949, Bukuresht (K.B)
Rumani-Shqipëri  1-1
29.11.1949, Tiranë (M)
Shqipëri-Rumani  1-4
05.10.1950, Bukuresht (M)
Rumani-Shqipëri  6-0
18.04.1971, Bukuresht (L.O)
Rumani-Shqipëri  2-1
26.05.1971, Tiranë (K.E)
Shqipëri-Rumani  1-2
29.10.1972, Bukuresht (K.B)
Rumani-Shqipëri  2-0
06.05.1973, Tiranë (K.B)
Shqipëri-Rumani  1-4
25.03.1987, Bukuresht (K.E)
Rumani-Shqipëri  5-1
28.10.1987, Vlorë (K.E)
Shqipëri-Rumani  0-1
20.09.1988, Kostanca (M)
Rumani-Shqipëri  3-0
06.09.2006, Tiranë (K.E)
Shqipëri-Rumani  0-2
21.11.2007, Bukuresht (K.E)
Rumani-Shqipëri  6-1
BILANCI: 15 ndeshje: 2 fitore, Shqipëria, 1 barazim, 12 fitore Rumania. Golavarazhi: 9-42
....me Francën
17.11.1990, Tiranë (K.B)
Shqipëri-Francë  0-1
30.03.1991, Paris (K.B)
Francë-Shqipëri  5-0
Bilanci: 2 ndeshje; 0 fitore, 0 barazim, 2 humbje; Golavarazhi: 0-6
....me Bjellorusinë
2.09.2006, Minsk (K.E)
Bjellorusi-Shqipëri 2-2
17.11.2007, Tiranë (K.E)
Shqipëri-Bjellorusi 2-4
Bilanci: 2 ndeshje; 0 fitore, 1 barazim, 1 humbje; Golavarazhi: 4-6
....me Bosnjën
30.11.1995, Tiranë (M)
Shqipëri-Bosnjë  2-0
24.04.1996, Zenika (M)
Bosnjë-Shqipëri  0-0
Bilanci: 2 ndeshje; 1 fitore, 1 barazim, 0 humbje; Golavarazhi: 2-0
....me Luksemburgun
13.02.2002, Luksemburg (M)
Luksemburg-Shqipëri 0-0
02.06.2007, Tiranë (K.E)
Shqipëri-Luksemburg 2-0
06.06.2007, Luksemburg
Luksemburg-Shqipëri 0-3
Bilanci: 3 ndeshje; 2 fitore, 1 barazim, 0 humbje; Golavarazhi: 5-0Burimi: Albania-sport.comE Hene, 08 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›