E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtia e shtrembëruar midis së majtës dhe së djathtës

Ndriçim Kulla 

Eshtë diskutuar shpesh  pyetja nëse tashmë njerëzit janë të lodhur me dikotominë e majtë/ e djathtë. Ka ajo ende një plus valence, politike, që i ofron të djathtës dhe të majtës institucionale arsyen e ndjekjes së tyre, pavarësisht përmbajtjeve ideologjike? Apo në një tjetër kuptim, ato janë thjesht forma organizimi të menaxhueshme në funksion të zgjedhjeve?    Ka mjaft shembuj në të dy krahët, ku personazhe politikë të njohur ndihen të përjashtuar nga loja e politikës konkrete, pikërisht për shkak të pavarësisë së mendimit të tyre në kuadrin e skemave të paracaktuara të politikës aktuale, që nëse do t’i referoheshim modelit shmitian (të konsiderimit të kësaj dikotomie në raportim mik-armik), rezulton i ngjyrosur me një “armiqësi” relative, pasi diversiteti i roleve dhe pozicioneve, e madje dhe antagonizmi i thekur, në realitet është thellësisht i gënjeshtërt dhe i maskuar; madje, përkundrazi, paraqitet si një solidaritet absolut i prirë vetëm drejt qëllimit të ndalimit të hyrjes në lojë të “forcave” të reja në politikë. Kjo është e ashtuquajtura “armiqësi” shmitiane në politikën tonë. Kush guxon të kalojë “kolonat e Herkulit”, të vendosura nga po ky konformizëm frymëzënës i dy partive kryesore, sulmohet menjëherë nga censura politike, që në fillim vepron si provokatore e vërtetë, derisa arrin më në fund ta vendosë në vështirësi kundërshtarin.
Janë të gjitha këto qëndrime ato që kanë detyruar një masë të madhe njerëzish të distancohen nga partitë përfaqësuese të së majtës dhe së djathtës, sepse ato nuk arrijnë më t’i përcaktojnë qartësisht çfarë i dallon, ose pse thjesht ato vetë nuk njihen më në këto identitete. Kjo është arsyeja themelore e asaj që sot quhet “krizë e përfaqësueshmërisë”. Ajo që jetojmë sot është kundërshtia e shtrembëruar midis së majtës dhe së djathtës. E majta dhe e djathta duken si rrugëhumbura në gjetjen e identitetit të tyre, sepse qoftë njëra qoftë tjetra kërkon të fitojë terren në hapësirat socio-ekonomike të tjetrës; Por ajo çka sot tek ne po ndodh në thelb nuk është vetëm kriza e kategorive të së majtës ose të djathtës, as shtrimi i urgjencës së ekzistencës së një qendre: përkundrazi është “përmbysja” e asaj politike, që konfirmon të jetë produkti i kundërt i asaj për të cilën u mendua në fillim. Politika jonë e ditës e muajit, apo e vitit, duhet të organizojë bashkë-ekzistencën në Polis, e jo të organizojë “luftën” e të gjithëve kundra të gjithëve. Ja, përpara “falimentimit” të kësaj lloj politike, jo të falimentimit vetëm të identiteteve të së djathtës dhe së majtës tradicionale, gjendet sot kategoria e politikanit  tone. Ndaj detyra jonë është e dyfishtë: të ruajmë fillin e rolit tonë publik e në të njëjtën kohë të rithemelojmë politikanin, jo si një identitet të humbur të përkatësisë së tij politike. Lind kështu një çështje që ka të bëjë me bazat programatike, mbi të cilat mund të strukturohet një forcë e re politike?
Përballë krizës së sotme, ajo që mund të na nevojitet është qëndresa kulturore; pra, lipset të qëndrojmë më parë në nivelin kulturor, e më pas në konkretizimin e këtyre vlerave në politikë. Shtrohet, në këtë kuptim, çështja e gjetjes së formave alternative, si në ambientin politik ashtu dhe atë meta-politik. Për sa i përket formës së parë mund të marrim në konsideratë sugjerimin e Alen de Benua, një politologu të njohur francez i ambientit të djathtë. “Mendimi im i pandryshuar”, -shkruan ai, - “është se iniciativat politike duhet të ndërmerren njëherësh, por në radhë të parë në nivelin lokal, në mënyrë që të ringjallim raportet sociale e për të krijuar hapësira të reja publike në një nivel sa më afër njerëzve, për të vazhduar më pas në nivelin mbi-nacional, i vetmi që mund t’u bëjë ballë sfidave planetare aktuale, me objektivin për t’i rregulluar efektet e globalizimit dhe për krijimin e një bote multipolare.
Ndërsa për sa i përket projektit të rithemelimit të politikës, politologu i famshëm italian Mario Reveli, në një libër të njohur të vitit 2007 ka propozuar katër meta-vlerat që do të shërbenin për këtë ristrukturim. Në thelb, ato nuk janë katër vlerat themelore për rindërtimin e së majtës apo së djathtës, a të një identiteti që mund të bjerë në konflikt me identitete të tjerë. Ato janë parësisht katër nyjet themelore që duhet të shpleksen, nëse duhet të ndërtohet një paradigmë politike, përreth të cilës të krijohet mundësia e ndarjes për çështje dytësore. Pra, janë katër vlerat - kornizë të kategorisë së Politikanit. Lipset, pra, të kthehemi përsëri e të parashtrojmë “çështjet finale”, nëse duam të imagjinojmë një mekanizëm që na lejon të organizojmë diversitetet tona për {“çështje jo finale”] në një ambient jo destruktiv. Kjo është detyra e politikës. Të ndërtojë një ambient në të cilin diversiteti të ketë mundësi të përballet pa u shkatërruar, d.m.th. pa shkatërruar ambientin në të cilin qëndrojmë. Pra, janë pikërisht këto vlera themelore ose “çështje finale” që duhet të parashtrojmë e të bashkëndajmë, për t’u përballur paskëtaj brenda kësaj kornize.
Dhe në fakt këtu bëhet fjalë për alternativa të vështira: të zgjedhësh midis “forcës” dhe mospërdorimit të forcës. Pra, për të stabilizuar kështu si vlerë të parë tabunë e “forcës”,  e çka do të thotë të braktisësh idenë e vjetër të politikës. Është e detyrueshme, kështu, çfarëdolloj mundësie për ta zhdukur dimensionin destruktiv të politikës tonë, qoftë kundra monopolizimit brenda saj, qoftë kundër konformizmit midis saj. Fortësisht e lidhur me këtë vlerë, është edhe theksimi i parimit të përfshirjes kundër parimit të përjashtimit (të motivuar nga Karl Shmit, i cili e themelonte politikën nga kategoria mik-armik), d.m.th. stabilimi i parimit të reciprocitetit, të konsiderimit të këndvështrimit të tjetrit. Është një vlerë dramatikisht evidente sot në të gjitha nivelet, por që duhet të mbulojë tërësisht edhe të gjitha format e politikës. Në këtë sens, imperativi i politikës sonë nuk është të organizojë homogjenët, d.m.th. forma e organizimit politik, që tani e tutje duhet të jetë domosdoshmërisht dhe strukturalisht, heterogjeniteti, besimi dhe bashkëpunimi midis të ndryshmëve, ndërtimi kështu i bashkëjetesës, që bën bashkëdiversitetet. Nëse jetojmë në një botë, që përmban në vetvete mjaft “botë” të tjera të vogla, por që në tërësi kanë valencën e tyre ekonomike dhe politike, atëherë duhet medoemos të imagjinojmë përfaqësinë politike dhe forma të organizimit të politikës që të respektojmë këto struktura. Kjo bëhet akoma dhe më urgjente nëse mendojmë se zëri i antipolitikës shqiptare ka filluar të bëhet shumë më i fortë, pikërisht pse partitë janë izoluar të përfaqësojnë veç veten dhe ambientin përreth vetes, sipas rastit, nëse ngjitet ky apo ai politikan dhe zbret një tjetër; duke e lënë kështu një pjesë të rëndësishme të shoqërisë pa zë dhe të prirur të gjejë vetveten me alternativa të tjera. Mirëpo, nëse do të donim t’i administronim këto dy vlera të sipërpërmendura, si themeluese të një politike të re, pra nëse duam të administrojmë alternativën midis përdorimit të forcës (si mjet i padrejtë) për të ndjekur qëllime të drejta dhe racionalitetit, shoqërizuar me parimin e përfshirjes kundra përjashtimit, lipset të vendosim edhe dy vlerat udhëheqëse të kësaj qeverisjeje apo administrim parimesh, të cilat janë: parimi i maturisë ose përgjegjshmërisë kundra parimit të efikasitetit të menjëhershëm ose të cakëzuar nga legjislacioni dhe deçizionizmit të skajshëm, shoqërizuar nga kuptimi i limiteve të kulturës së limiteve kundra vullnetit për pushtet. Janë këto dy meta-vlera që duhet të theksojmë, aq më tepër që zgjedhja midis vendimmarrjes së fortë dhe përgjegjshmërisë është e hollë dhe shpesh e pështjelluar në politikën tonë. Kur përkundrazi, në ambientin aktual do të nevojitej një mekanizëm i përgjegjësimit kapilar, të cilin mund ta garantojë vetëm një pjesëmarrje cilësore, e kualifikuar territoriale; E kjo vlerë nuk duhet të jetë vetëm e politikës, por e të gjitha formave të organizimit social, ekonomik e intelektual; pasi do të krijonte bazën për ndërtimin e bashkëjetesës civile, aq të nevojshme për shoqërinë tonë. Veçse kjo nuk do të mjaftonte, po të mos mbizotëronte edhe kultura e limiteve, veçanërisht e sjelljeve personale të personazheve të politikës shqiptare, një terren ky mjaft i vështirë për t’u ndrequr. Stjuart Hill kërkonte vërtet “thjeshtësi, skepticizëm dhe imagjinatë”, por kjo e pleksur me interesat partiake, madje dhe ekonomike, moleps gjithçka. Pasi nuk bëhet fjalë vetëm për të hapur çështjen morale në të dyja krahët; lipset edhe teorizimi i mënyrës së sjelljes së politikanit. E këtë na e përcakton pikërisht kjo kulturë e limiteve, ose kultura e të arsyetuarit së bashku, në ambiente kolektive, duke kultivuar më tepër pasionet e ëmbla sesa interesat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›