Shehi në Vlorë: Asnjë votë për PD dhe barkat e minoritetit
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi i bëri thirrje dje elektoratit të Vlorës, të mos votojë për Partinë Demokratike, duke ironizuar futjen në listën e saj të ish-ministrit të PBDNJ-së, Kosta Barka. Kreu i LZHK-së, kërkoi votat për këtë forcë politike, duke premtuar vëmendje më të madhe për ish-pronarët dhe të përndjekurit politikë. “I bëj thirrje të gjithë votuesve të Vlorës të votojnë për forcat e vërteta dhe patriotike dhe jo për barkat e minoritetit. Mos keqpërdoroni votën e demokratëve që futi një minoritar në listë. Mos votoni listat e PD në Vlorë, por për vlerat e vërteta demokratike që ka sjellë LZHK në Vlorë, që kryesohen nga një ish-pronar, Gëzim Pocari. Brenda Qarkut të Vlorës do të ketë 3 barka, ajo e Berishës, e Ramës dhe vetë Barka”, tha Shehi. Në mënyrë të veçantë kreu i LZHK-së i ka bërë thirrje ballistëve dhe çamëve të votojnë këtë forcë politike. Ndërkohë një ditë më parë, kreu i PDK-së, Nard Ndoka ka prezantuar gjatë një mitingu në qytetin jugor, Qetsorin, personazhin e “Big Brother”, i cili kandidon për këtë forcë politike. Ndoka premtoi politika konkrete për emigrantët. “PDK dhe Poli i Lirisë, janë të vetmet formacione politike që kanë një paketë konkrete stimuluese për emigrantët. Shqipërinë duhet ta bëjmë këtu, duhet ta bëjmë ne. PDK dhe Poli i Lirisë kanë programe të qarta nxitëse dhe stimuluese për të gjithë emigrantët. Ne ofrojmë me programin tonë heqjen 5 vjet të taksave për të gjithë ata që do të rikthehen dhe do të punojnë dhe ndërtojnë bizneset e tyre këtu”,- tha Ndoka.