Rama: Komitet qeveritar për Rrethinat
Aristir Lumezi
“Do legalizojmë zonat informale përmes Komitetit të Zhvillimit të Rrethinave”. Ky ishte premtimi që kreu socialist u dha dje banorëve të zonave informale. Nga Bathorja, Rama u shpreh se pas 28 qershorit do të realizojë brenda një kohe të shkurtër atë që nuk bëri dot qeveria e Berishës, legalizimin e banesave pa leje, duke ngritur për këtë qëllim, Komitetin e Zhvillimit të Rrethinave. Këtë deklaratë kreu socialist e bëri në nisjen e turit të tij derë më derë, ku pritet të takojë një numër të madh qytetarësh, duke u prezantuar atyre programin e PS-së dhe premtimet që qeveria e re kërkon të realizojë. Në Bathore, Rama është ndalur në shtëpinë e një ish-luftëtari të UÇK-së, familja e të cilit është vendosur pikërisht në këtë zonë periferike të Tiranës. Në njësinë numër 8 në rrugën “Besa”, Rama është ndalur dhe ka folur me banorët pikërisht për legalizimin e banesave të tyre, nga një premtim në letër në një realitet, që siç tha Rama do të bëhet vetëm nëpërmjet socialistëve. “Ne do të ngremë edhe një fond të veçantë për të transformuar infrastrukturën e këtyre zonave. Jo vetëm infrastrukturën fizike që ka të bëjë me rrugët, kanalizimet, ujësjellësit, por edhe infrastrukturën sociale”, u shpreh kreu socialist. Legalizimi i banesave, një premtim i pambajtur i Berishës, tha Rama, është një nga dështimet më të mëdha të qeverisjes aktuale. Kryesocialisti e konsideroi mashtrim edhe deklaratën e Kryeministrit Berisha për përdorimin e letrave me vlerë për legalizimet. “Sali Berisha rishfaqet për të bërë të njëjtin premtim të 18 vjetëve, ndërkohë që kishte 4 vjet në dispozicion për t’i legalizuar shtëpitë. Është rishfaqur me një rrenë të re me letra me vlerë, ndërkohë që të gjithë shqiptarët e dinë fatin e letrave me vlerë, gjithë shqiptarët e dinë se çfarë kanë pësuar në të shkuarën me letrat me vlerë dhe të gjithë e dinë se tani është koha për ta mbyllur këtë faqe të historisë 18 vjeçare të premtimeve e zhgënjimeve dhe për të hapur një faqe të re”, u shpreh Rama. Legalizimi i ndërtimeve pa leje jo vetëm në Bathore por edhe në të gjitha zonat informale, garantoi kryesocialisti, do të çlirojë kapitale të bllokuara, do t’u japë zhvillim këtyre zonave por dhe do të integrojë banorët në qytetet ku janë vendosur. “Duke bërë legalizimin ne jo vetëm do t’u japim juve mundësi që këtë pasuri të patundshme ta keni të regjistruar dhe të mund të merrni kredi nëpër banka për të hapur një biznes të vogël, e për të mbështetur studimet e fëmijëve tuaj”, tha Rama. Rama premtoi se qeveria e tij pas 28 qershorit do të jetë pranë qytetarëve ashtu siç ka qenë edhe në opozitë. “Kështu do të bëj edhe nesër, do të vij këtu si kryeministër i vendit për t’ju dhënë mundësi që të keni në krah shtetin, ata që qeverisin, të cilët do të jenë më shumë se asnjëherë tjetër shërbëtorët tuaj”, theksoi kreu i socialistëve.