Meta: Status minatorëve dhe ligj për Moshën e Tretë
LSI do të miratojë ligjin “Për statusin e minatorit”, ndryshe nga parti të tjera që e rrëzuan dy vjet më parë. Kreu i LSI, Ilir Meta zhvilloi dje mitingje elektorale në Përrenjas dhe Peqin të Qarkut të Elbasanit. I shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë, fillimisht kreu i LSI ka vizituar tregun ushqimor të Përrenjasit, ku është takuar me shumë tregtarë, të cilët kanë shprehur shqetësimin për mungesën e një tregu të mirëfilltë për të shitur prodhimet e tyre. Më pas, Meta është ndalur në mitingun e madh në Përrenjas, ku ka prezantuar Planin për Veprim dhe kandidatët e LSI në këtë qark. Duke marrë fjalën në mes të një entuziazmi të pjesëmarrësve, Meta u shpreh se “është kënaqësi të jem sot këtu, të kërkoj votën tuaj, që të fillojmë së bashku me 29 qershor të nxjerrim Përrenjasin dhe Shqipërinë nga kriza ekonomike, që e ka futur keqqeverisja dhe keqmenaxhimi i Kryeministrit në largim, Sali Berisha në mënyrë që me 29 qershor të fillojmë me Planin tonë për Veprim, për të nxjerrë bujqësinë nga kriza dhe për të filluar programin tonë të punësimit për të miratuar statusin e minatorit. Më pas, Meta u shpreh se sot po kujtohen shumë parti për statusin e minatorit, por dy vjet më parë ishte LSI ajo që paraqiti në parlament projektligjin për statusin e minatorit. Ata që kërkojnë vota me statusin e minatorit e rrëzuan, por ne do ta miratojmë këtë projektligj pasi ka të bëjë me një kategori të devotshme, të shoqërisë sonë që ka sakrifikuar dhe vuajtur shumë dhe nuk kane marrë vlerësimin dhe shpërblimin e merituar nga shoqëria dhe nga shteti. Gjithashtu tha Meta, ne do të miratojmë ligjin për moshën e tretë, të cilin vërtet e rrëzoi parlamenti i Sali Berishës, por do ta miratojë parlamenti i 28 qershorit, që do të krijoni ju dhe gjithë shqiptarët progresistë me votat tuaja. Eshtë një projektligj qe do të ndihmojë 350 mijë pensionistë në të gjithë vendin qe nga shërbimi shëndetësor falas, rimbursimi i ilaçeve, transporti falas vetëm me dokumentin e pensionistit. Meta theksoi se kandidatët e LSI nuk do të jenë thjesht kukulla për kryetarët, prandaj Lëvizja Socialiste për Integrim është e vetmja forcë politike, që ka qenë kundër listave të mbyllura.