E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtohet vendosja e “Katerit të Radës” në Otranto

“Ne e kundërshtojmë me forcë vendosjen e anijes në qytetin e Otrantos, ajo duhet të vijë këtu dhe të vendoset në Vlorë”, thotë Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos.

 Në emër të familjarëve të viktimave, Çala kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e shtetit për të sjellë anijen “Kateri i Radës” në Vlorë dhe të shndërrohet në një monument të dhimbjes dhe  kujtesës së shqiptarëve.

Ideja për vendosjen e anijes në qytetin e Otrantos, u hodh  pak ditë më parë nga administrata komunale e qytetit të Italisë. Projekti synon transformimin e relikes së anijes shqiptare, në një vepër arti kushtuar viktimave të tragjedisë. Lidhur me këtë projekt, prej ditës së hënës, në Otranto po zhvillohet një seminar ndërkombëtar me temë emigracionin. Sipas projektidesë së propozuar, vepra do të vendoset në hyrje të portit të Otrantos.

Në tragjedinë e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen “Kateri i Radës” ,me 115 persona në bord, si pasojë e përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”, u mbytën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar. Anija e tragjedisë u nxorr nga deti 6 muaj pas ngjarjes, bashkë me një pjesë të trupave të viktimave, ndërkohë që më pas ajo u vendos në Brindisi ku ndodhet edhe sot. /Start/

                                                                                             2011-12-13 15:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›