E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Programi i parë i PD-së u hartua për 8 orë

Arben Imami është një nga pedagogët e parë që iu bashkëngjit lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90, që në ditët e para. Përmes “Gazeta Shqiptare” ai rrëfen kujtimet e ditëve që shkruan faqet e ndritura të historisë së Shqipërisë, rrëzimin e diktaturës dhe instalimin pas afro 50 vitesh të demokracisë në vend. Ish-pedagog i Institutit të Lartë të Arteve, z.Imami rrëfen si u krijua PD-ja mesnatën e 11 dhjetorit dhe frika nëse do të mund ta realizonin pa gjak duke treguar kujdesin maksimal që Shqipëria të hynte në rrugën e demokracisë me kostot më të ulëta. Por si një prej protagonistëve të atyre ditëve, Arben Imami nuk përjashton mundësinë që brenda radhëve të PD-së të kishte dhe të infiltruar nga ish-Sigurimi i shtetit. Z.Imami zbardh peshën e intelektualëve që krijuan thelbin e programit të parë të PD-së që u hartua në godinën që është përballë mensës në Qytetin Studenti mbasi ishin kthyer nga takimi me Ramiz Alinë. U ftuan shumë intelektualë por sipas Imamit ata që erdhën ishin një grup shumë i vogël ndërkohë që programi i partisë u shkrua për 8 orë të cilin nuk arritën dot ta shtypnin të gjithën pasi në orën 16:00 në mitingun e madh të datës 12 dhjetor duhej dhënë lajmi i krijimit të PD-së. Arben Imami aktualisht ministër i Mbrojtjes bën dhe një analizë të gjatë të rrugës 21-vjeçare të PD-së duke përmendur sukseset por dhe momentet e vështira që ajo kaloi ndër vite. Imami ndalet tek largimet nga PD-ja ndërsa kërkon rikthimin e dy ish-themeluesve të tjerë të kësaj partie Eduart Selami dhe Aleksandër Meksi.
Z. Imami çfarë kujtoni nga fillimet e lëvizjes se dhjetorit, si u bashkuat me studentët në 90-ën?
Si pedagog iu bashkova studentëve, ndoshta pedagogu i parë që ju bashkua studentëve, jo vetëm kërkesave të tyre por me frymën e lëvizjes së tyre të tërësi. Ju bashkova sepse ata paraqitnin e kërkonin atë çka ishte më e mira për vendin. Të paharruar janë figurat e të gjithë atyre studentëve në mendjen time, të cilët i prinë lëvizjes së dhjetorit dhe këtu sigurisht figura e paharruar e Azem Hajdarit zë një vend të veçantë.
Si erdhi themelimi i PD-së, cila ishte frika e asaj nate?
Themelimi i PD-së, siç edhe e kam thënë herë të tjera nuk ishte një themelim i parapërgatitur siç mund të kenë qenë themelimet e partive të tjera në vende të tjera të ish-bllokut komunist, por nuk u bë nën konstelacionin e frikës. Ai ishte një themelim i cili u bë nën konstelacionin e guximit, të atdhedashurisë dhe padyshim të një dashurie pa cak ndaj lirisë. E vetmja gjë për të cilën personalisht mendoja ishte nëse do të mund të realizonin këtë ide të madhe pa gjak, pa përplasje, pa konflikt dhe për këtë kemi bërë kujdesin maksimal që Shqipëria të hynte në rrugën e demokracisë me kostot më të ulëta. Ky ka qenë qëndrimi im. Koha do ta gjykojë nëse ka qenë i mirë apo jo.
A kishte të infiltruar nga “Sigurimi i Shtetit” në radhët e PD-së?
Është e kuptueshme që në çdo sistem, dhe jo vetëm në sistemet komuniste, por veçanërisht për sistemet komuniste kjo është paranojake. Sigurisht që “Sigurimi i Shtetit” ishte mekanizmi kryesor, instrumenti kryesor i diktaturës, nuk mund të themi që nuk ka pasur, por për mua nuk ka rëndësi nëse ka pasur apo jo konkretisht. Absolutisht që nuk më shkon mendja tek asnjëri me të cilët unë kam bashkëpunuar dhe me të gjitha ata qindra e mijëra njerëz që e kanë mbështetur lëvizjen. Edhe nëse ka pasur ndikimi real është i pa konsiderueshëm. Megjithatë, duhet të themi që shteti komunist nuk ishte në ditën e tij më të mirë, po kështu edhe “Sigurimi i Shtetit” nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Nuk ishte në kohën e Koçi Xoxes, nuk ishte në kohën e pastrimeve dhe purgave të mëdha të viteve ’70-të. Për këdo ishte e qartë se ai sistem nuk mund të qëndronte, kështu që përpjekjet e sotme për interpretime të historisë mbi bazën e teorive konspirative, besoj se nuk qëndrojnë.
Si e keni njohur Berishën, a e shihnit atë si lider që atëherë?
Berishën e kam njohur si mjek, por nuk kam pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me të. E kam njohur edhe si artikullshkruesi i dy artikujve të rëndësishëm të asaj kohe. Ai u afirmua si lider dhe padyshim që kur është zgjedhur si kryetar partie ka pasur dhe votën time.
Si u hartua programi i parë i PD-së?
Programi i parë i PD-së u hartua në godinën që është përballë mensës në Qytetin Studenti mbasi u kthyem nga Ramiz Alia dhe premtuam themelimin e Partisë Demokratike. Azemi dhe unë ftuam këdo që mundëm dhe shumë figura të njohura intelektualësh, por ata që u bashkuan dhe erdhën ishin një grup shumë i vogël. Ka qenë padyshim Azemi dhe një grup studentësh, 4-5 studentë kryesorë të lëvizjes, isha unë dhe Edmond Budina që vinim nga takimi me Ramiz Alinë, ishte Sali Berisha dhe Gramozi, diku nga mesi erdhi Besnik Mustafaj dhe Elsa Ballauri, të cilët kishin vendosur të angazhoheshin në themelimin e forumit shqiptar për të drejtat e njeriut dhe aty vendosëm që të shkruanim një program të cilin ja kishim premtuar njerëzve që ishin në shesh. Vendosëm që të nesërmen në mëngjes në orën 08:00 të shkonim tek shtëpia e Gramozit, meqenëse edhe kushtet ishin më të mira sesa kudo në qytetin e studentëve.
Kush foli për thelbin e programit?
Azemi dhe unë gjetëm Gramozin në shtëpinë e tij, mandej erdhi dhe Leka Meksi, mik i Gramozit, pra një bashkëpunëtor shumë i vyer i asaj kohe dhe mandej erdhi dhe Sali Berisha. Besoj se ne të pestë e kemi shkruar ose kemi folur për thelbin e asaj që do të ishte programi, mandej kemi thirrur plot njerëz të tjerë të cilët na ndihmuan me elementë të ndryshëm lidhur me politikën e jashtme, ekonominë, kartën e të drejtave të njeriut, etj. Gjithsesi, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 pasdite që ishte lënë mitingu i madh i shpalljes së themelimit të PD-së u arrit të shkruhej programi. Fakti është që nuk arritëm ta shtypim të gjithë programin sepse bëhej me korrigjime, arritëm të shtypim vetëm preambulën të cilën e lexoi Azemi, kurse pjesa tjetër e cila ishte pjesërisht e shtypur dhe pjesërisht me shkrimin tim të dorës e lexova unë.
Çfarë do të thotë për ju përvjetori i 21-të dhe a ju përmbajt PD-ja ideve themeluese përgjatë gjithë këtyre viteve?
Një përvjetor është gjithmonë një mundësi për t’ju kthyer një analize, për t’ju kthyer rrënjëve, bazave apo ideve themeluese, aq më tepër kjo është e nevojshme për një parti konservatore. Kështu që padyshim çdo përvjetor është një mundësi për t’ju kthyer vlerave themelore, për t’i shqyrtuar ato dhe sigurisht për t’i shtyrë përpara, për t’i mbështetur ato vlera themelore që janë të lidhura me lirinë dhe të drejtat e personit, me shtetin ligjor, me sistemin demokratik në tërësi. Ky është aspekti politik. Ka dhe dy aspekte të tjera që janë po kaq të rëndësishëm. Aspekti i dytë është orientimi properëndimor, i cili në kohën e diktaturës nuk mund të themi se ishte orientimi themelor për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Me themelimin e PD-së, me krijimin e pluralizmit, përfundimisht dhe pa hezitime ne si komb thirrëm këto vlera perëndimore të kombit tonë dhe ajo ka qenë deklarata më e madhe dhe më e rëndësishme properëndimore e këtij vendi edhe e këtij kombi. E treta, është e lidhur me çështjen kombëtare. Me lindjen e pluralizmit, çështja kombëtare u rigjallërua. Nuk duhet të harrojmë që në programet e PD-së ajo ka qenë një nga çështjet themelore. Me kënaqësi shohim sot se çështja kombëtare nuk është në atë gjendje që ishte përpara 20 vjetëve. Kështu që ky përvjetor, në analizë të fundit do të thotë që në Shqipëri kemi një sistem të bazuar tek liria, kemi një sistem i cili është demokratik dhe funksionon, nuk është një demokraci pa probleme ende, por problemet që janë shfaqur dy vitet e fundit kanë qenë të tilla që nuk kanë mundur ta kapërcejnë sistemin kështu që qëndrueshmëria e këtij sistemi tashmë është provuar. Është një sistem në të cilin të drejtat e njeriut janë të garantuara, shteti ligjor është funksional, kemi një korpus juridik që e mbron qytetarin përballë shtetit. Në elementin e dytë që unë e evidentova, sot Shqipëria është më afër se ka qenë ndonjëherë në jetën e saj, të paktën në këto 500 vitet e fundit me Europën. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk ka asnjë arsye të rëndësishme që ta ndalojë për të qenë kandidate dhe nesër anëtare e BE-së. Çështja kombëtare ka bërë shumë përpara dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe konsolidimi i shtetit të saj është padyshim një nga arritjet më të mëdha në këtë drejtim.
Përgjatë këtyre 21 viteve, cila ka qenë periudha më e vështirë për PD-në?
Çdo ditë është një ditë e vështirë në politikë, çdo ditë është një ditë me sfida në politikë, çdo ditë është ditë me arritje me suksese, por sigurisht që çdo ditë shtron edhe detyrat edhe mosarritjet e saj. Nuk dua të them që ditët më të bukura kanë qenë ditët e opozicionit ndaj sistemit komunist, padyshim ato kanë qenë ditët më të lavdishme të kësaj partie, por të gjitha reformat që kjo parti në qeverisje ka kryer këta 20 vjet janë reforma të cilat e kanë afruar vendin me ato objektiva që unë përmenda më sipër. Them se ditët më të bukura të PD-së janë padyshim afirmimi i saj me 21 mars të 1991 si një forcë e rëndësishme megjithëse ende në opozitë, por kjo e shpjegueshme për faktin se kishte vetëm 3 muaj aktivitet politik përballë një makinerie 50-vjeçare. 22 marsi i vitit 1992 përfundimisht konsakroi një sistem demokratik dhe pluralist. Hyrja në Këshillin e Europës është ndër ditët më të bukura të PD-së, hyrja në NATO po ashtu dhe padyshim një ditë e madhe për të gjithë ne por edhe për PD është dita e Pavarësimit të Kosovës.
A e ka përmbushur PD misionin e saj, atë për të cilën u krijua në 90-ën dhe çfarë nuk mundi të realizojë përgjatë dy dekadave?
PD-ja me krijimin e saj ndryshoi sistemin. Dolëm nga sistemi mono-partiak dhe u futëm në një sistem pluro-partitist, një sistem i konkurrencës politike, të programeve, të njerëzve, etj. Është një sistem i cili është sfidant në çdo moment. Në këtë kuptim ne çdo ditë duhet të jemi një parti e cila fiton besimin e njerëzve, duhet të jemi një parti e cila punon dhe i shërben qytetarit, punon dhe i shërben vendit dhe i shërben kombit. Kontributi i PD-së është kontributi më i rëndësishëm edhe në raport me partitë e tjera, qoftë të së djathtës, qoftë edhe me partitë aktuale të opozitës, për shkak se mbi bazën e këtij themeli kemi mundur të ecim përpara dhe të realizojmë ato arritje për të cilat folëm më sipër. Pengesa sigurisht që ka, asnjë vend dhe asnjë popull nuk e ka të lehtë rrugën e tij në histori, aq më tepër shqiptarët, por shqiptarët janë një popull i madh për nga vlerat, një popull i cili i ka rezistuar historisë, një ndër popujt më të vjetër në Europë, që me ekzistencën e tij sjell një provë të madhe të qytetërimeve dhe të kulturës botërore. Është ky popull që jo vetëm arriti të mbijetojë, por të sjellë me vete edhe në modernitet vlera themelore të qytetërimit të cilit ai i përket. Në qoftë se ky territor, ky vend, kishte një vend jo të parëndësishëm në Europë deri në shek e 15-të, më pas Shqipëria mbeti në periferi të entiteteve të mëdha politike të kohës dhe kjo padyshim që pati reperkusionet e saj mbi vendin. Shqipëria në 1910 dhe 1912 dhe 1938, mbetej vendi më pak i zhvilluar. Lufta kundër rrethanave të moszhvillimit, rrethanave politike dhe kushteve të tjera të brendshme është një pengesë për ata që merren dhe do të merren me politikë në Shqipëri. Nga ana tjetër elementi i rëndësishëm që duhet ta përmendim është se megjithëse një popull me një tolerancë të jashtëzakonshme fetare, etnike, megjithëse një popull me një konstitucion shpirtëror të qëndrueshëm dhe me një respekt për njeriun dhe vlerat e tij, të shkruara këto në ligjet zakonore të vendit në mënyrën më perfekte ishte një vend që mbas daljes nga një perandori feudale lindore, pati një periudhë nga ‘20-‘24 të konfliktit politik që u zgjidh me një mbretëri që ishte një sistem autoritar i iluminuar. Dua të them që Mbreti dhe Mbretëria kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në krijimin e shtetit shqiptar, por nuk mund të flasim për një sistem pluro-partiak apo për një sistem demokratik. Pastaj 46 vite të një diktature të ashpër, më të egrës dhe më mizores në Europë, padyshim që krijuan një gep nga pikëpamja e përvojave historike të demokracisë dhe të lirisë politike të brendshme. Të dyja këto së bashku janë dy pengesa, për të cilat të gjithë ne duhet të punojmë e duhet të luftojmë në mënyrë që ky vend të mund të zhvillohet në kushte të lirisë.
Si ka ndryshuar PD gjatë këtyre 21 viteve?
Partia Demokratike nuk mund të jetë përditë partia e lavdishme e opozitës anti-komuniste. PD-ja duke i mbajtur të gjalla vlerat e anti-komunizmit, padyshim është një parti e cila pohon dhe kur pohon, pohon lirinë si koncept themelor të sistemit, pohon lirinë e individit dhe të drejtat e tij, pohon lirinë e tregut dhe shumë vlera të tjera të lidhura me demokracinë. Kështu që PD kur është një parti në qeverisje, detyra themelore e saj është që të qeverisë. Po të shprehemi në një mënyrë pak më të figurshme, nuk mund të jetë më poezia e ‘90 – ‘91-it, por duhet shkruar një prozë inteligjente, e mençur, e qëndrueshme dhe e dobishme. Ky lloj ndryshimi për aq sa ka ngjarë është një ndryshim i domosdoshëm dhe pozitiv, duke pasur parasysh garancinë dhe garancia për vlerat nuk qëndron vetëm në një parti, por qëndron në të gjithë shoqërinë. Ky grupim politik, kjo parti politike është një garanci sepse është e mbështetur dhe e themeluar në këto vlera. Dua të theksoj se themelet e të gjithë revolucionit fiskal të viteve të qeverisjes së PD-së janë mbështetur mbi idenë e lirisë. Kjo është një garanci.
Gjatë viteve PD pati shumë largime, cilat ishin arsyet?
E vërteta është që në këtë parti ka pasur lëvizje dhe kjo duhet parë si pjesë e historisë sonë dhe duhet reflektuar për të gjithë këtë. Ka pasur disa konflikte të rëndësishme dhe këto janë të shpjegueshme pasi PD u nis si një front i madh anti-komunist dhe sigurisht që ishim të gjithë të një mendje lidhur me rrëzimin e komunizmit, por lidhur me rrugët dhe metodat e ndërtimit të demokracisë ka pasur dhe diferenca pikëpamjesh. Por, ajo që është e rëndësishme është fakti që në këtë parti nuk ka pasur konflikte për karrige, ka pasur konflikte për ide dhe për parime. Ishte e shpjegueshme për shkakun që thashë më sipër. PD ishte një parti krejtësisht e re dhe pa asnjë lloj përvoje, pra edhe ato gabime të PD-së janë bërë nga të gjithë ne për shkaqe të mungesës së përvojës. E rëndësishme është se në vitet 2000, PD-së dhe kur them PD-së e kam fjalën për të gjithë ne, gjetëm forcën që të bashkohemi rreth disa parimeve themelore që ishin të përbashkëta. Diferencat për shkak të kohës dhe të eksperiencës së krijuar ishin kapërcyer dhe unë këtë e shoh si një fitore të madhe të Partisë Demokratike.
Pse kaq i vështirë rikthimi i Meksit dhe Selamit, a duhet të jenë dhe ata pjesë aktive e PD-së?
Nuk mendoj se ka pasur ndonjë vështirësi ndaj Meksit dhe Selamit, janë thirrur gjithmonë dhe në një parti të gjithë janë të thirrur për të kontribuar. Sigurisht nuk shikoj asnjë vështirësi në këtë çështje.
Me programin e saj, PD-ja duket se po shkon më majtas se vetë PS-ja, sa e ka dëmtuar kjo të djathtën?
Këto janë akuza pa sens. Një pjesë e madhe vijnë me dëshirën jo të mirë për ta përshkruar skenën politike shqiptare si një mish-mash. Pra ka një element përbuzjeje përgjithësisht ndaj vendit, ndaj vlerave që prodhon vendi. Së dyti, bëhet me një qëllim të qartë nga disa grupime politike për të denigruar platformën qeverisëse aktuale. Së treti, shpesh bëhet edhe nga padija. Duhet të kemi parasysh që një ideologji dhe padyshim që PD-ja është e mbështetur në një ideologji, është një set vlerash. Por çështja e qeverisjes nuk është thjesht çështje ideologjike. Edhe unë jam një njeri i cili besoj që kam një formim jo thjesht për t’i kuptuar, por edhe për t’u qëndruar besnik disa ideve themelore siç është ajo e lirisë, po themi në mënyrë origjinare, liberale, por sot është një nga kështjellat themelore të konservatorizmit, kështu që është liberalo-konservatore e liberale e djathtë. Kjo është në thelb të programit tonë dhe këtu ne nuk mund të bëjmë kompromis, por qeverisja nuk mund të jetë një grup fanatikësh ideologjik. Qeverisja është një çështje edhe e zgjidhjeve të çështjeve dhe kjo është një qasje thelbësisht konservatore. Është një përpjekje për të zgjidhur problemet që vendosen përpara shtetit, në mënyrën më të mirë të mundshme, pra në këtë kuptim është pragmatiste. Një qeverisje të cilës i mungon pragmatizmi për të kuptuar rrethanat dhe për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme pa humbur orientimin e saj ideologjik është padyshim një qeverisje më e mirë. Nuk dua të citoj tani, por edhe politologë të mëdhenj kështu e kanë përcaktuar rolin e ideologjisë në një lloj qeverisjeje. Për partitë e djathta konservatore madje, qeverisja është shumë më tepër pragmatiste sesa ideologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›