E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndeti, Berisha në zyrë, por anulon vizitën në Mal të Zi

TIRANË- Një dobësi fizike për shkak të një viroze për të cilën po mjekohej ditët e fundit, e ka detyruar mbrëmë kryeministrin Sali Berisha që të ndërpresë festën e përvjetorit të 21-të të krijimit të Partisë Demokratike, ndërsa nuk ka mundur të përfundojë as fjalimin e tij.

Por mësohet se sot në mesditë kryeministri Berisha i është kthyer aktivitetit normal, duke shkuar në zyrën e tij. Kreu i qeverisë ka mbërritur në zyrë rreth orës 11:40, në gjendje më të mirë shëndetësore.

Të interesuar për shëndetin e tij, kanë qenë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha si edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, të cilët kanë shkuar ta vizitojnë në kryeministri.

Më herët, në një prononcim për të përditshmen “Gazeta Shqiptare” zyra e shtypit pranë kryeministrit bëri të ditur se Berisha ka anuluar një vizitë zyrtare të planifikuar për ditën e sotme në Malin e Zi.

Po sipas burimeve të kësaj gazete, mjekët që vizituan Berishën konstatuan se “kryeministri kaloi një gjendje lipotimie (debulese), e lidhur me një virozë për të cilën është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”.

(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera 21 vjet PD, Berisha ndjehet keq gjatë fjalimit Kryeministri i Kosovës i uron shëndet Berishës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›