E Diel, 1 Nëntor 2026

"E drejta e autorit" Moszbatimi i ligjit sjell piraterinë televizive

Menaxhimi i të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të në epokën dixhitale, në qendër të seminarit kombëtar
Prezantim dhe njohje mbi zhvillimet më të fundit në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar për sa i takon mbrojtjes dhe menaxhimit të të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të në epokën e dixhitalizimit ishin në qendër të diskutimeve në seminarin kombëtar mbi Menaxhimin e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të tjera të lidhura me të në Epokën Dixhitale , organizuar dhe mbështetur financiarisht nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO) në bashkëpunim me Zyrën Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA). Specialistja e sektorit të gjykimit dhe ankimimeve në ZSHDA Merita Cenaj vlerësoi rëndësinë e këtij seminari, duke u shprehur se ky seminar është shumë i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me të drejtën e autorit në mjedisin dixhital, që do të thotë në epokën e re, ku përhapja e mjeteve me të cilat mund të transmetohet dhe mund të komunikohet tek publiku vepra të ndryshme artistike, letrare por dhe shkencore është goxha e gjerë. Këtu përfshijmë internetin i cili përbën një realitet të prekshëm në shoqërinë shqiptare, duke qenë se linja e tij gjendet pothuajse në çdo familje, shkollë, zyre etj. Kjo do të thotë që ne duke kërkuar në faqe të internetit kemi mundësi të gjejmë pafundësisht kategori veprash, të cilat përfshihen në objektin e mbrojtjes së legjislacionit të së drejtës së autorit. Këtu ndeshet dhe problemi i veprave artistike muzikore, të cilat ne mund ti gjejmë në faqe të ndryshme. Në momentin që ne i shkarkojmë për përdorimin tonë familjar do të thotë që ne nuk kemi të bëjë me cenim të së drejtës së autorit pra nuk duhet autorizimi i së drejtës së autorit. Në momentin që ne i shkarkojmë këtë vepër muzikore e riprodhojmë CD dhe e nxjerrim në shitje duke i shfrytëzuar për qëllim komercial tregtar në këtë moment ne kemi të bëjmë me cenim  të së drejtës së autorit, tregon specialistja Cenaj. Më tej duke folur mbi të drejtën e autorit specialistja tregon se sot një tjetër problem shqetësues ka të bëjë dhe me piraterinë televizive, e cila tashmë më shumë ndeshet në mediat lokale. Ky është një problem që është ngritur herë pas here. Një vepër kinematografike apo audiovizuale, që mund të jetë një spektakël apo emision i cili transmetohet apo ritransmetohet në televizionet tona duhet të jetë i shoqëruar me marrjen e disa të drejtave nga televizionet. Ai duhet të ketë të drejtën e ritransmetimit nëse ai është transmetuar nga dikush, por duhet të ketë dhe kontratë me autorët, të cilët mbrojnë komponentë të tjerë të filmit. Në vendin tonë ende nuk kemi një agjenci të huaj që të mbrojë veprat kinematografike të huaja, përveçse atyre shqiptare. Televizioni duhet të ketë kontratë, sepse askush nuk i mohon të drejtën televizioneve ose administratës që të kontaktojë direkt me agjencinë ku vepra është realizuar për të lidhur një kontratë. Në të gjithë vendet e botës përfaqësimi i autorëve bëhet me anë të agjencive të administrimit kolektiv, sepse asnjëherë autorët nuk mund ta ndjekin personalisht. Pirateria televizive sidomos  në televizionet lokale është shumë e prekshme, sepse edhe ndaj thirrjeve të ZHSDA për tu paraqitur në seanca dëgjimore të nisura ose që kanë qenë pjesë e procesit administrativ ata nuk denjojnë të paraqiten në zyrë për të marrë njohuri mbi ligjin megjithëse ne i kemi bërë herë pas here shkresa sensibiluzese të gjitha subjekteve tregtare, vijon më tej specialistja. Duke folur mbi funksionin e ZSHDA dhe masat që merren ajo shpjegon se bashkëpunime me institucionet e tjera duhet të jetë më i ngushtë, pasi mund të sjellë dhe më shumë rezultat.Në bazë ligjit mbi të drejtën e autorit ZSHDA vihet në lëvizje për të shqyrtuar raste të cenimit të pretenduar lidhur me vepra të ndryshme si shfaqja e një filmi në televizion etj, vetëm mbi bazën e ankesave të bëra nga titullarët e së drejtës apo nga autori, pasi ZSHDA nuk e ka këtë tager, por një pjesë e zyrës tonë përbëhet nga sektori i inspektimit, sepse organizon herë pas here fushata sensibilizime, por më pas vjen dhe aplikimi i gjobave në bashkëpunim me Inspektoratin e Drejtorisë së Tatimeve. Unë mendoj se duhet të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me ata, megjithëse nuk është se ne na ka munguar deri tani, shpjegon specialistja Cenaj. Në këtë seminar Carolle Croella, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, e cila e përshëndeti këtë aktivitet në emër dhe të Drejtorit të Përgjithshëm të saj z. Fransis Gurry u shpreh se Shqipëria ka qenë gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe do të vazhdojë të jetë në fokus të asistencës dhe përkrahjes së Organizatës Botërore të Pronësise Intelektuale, duke forcuar dhe konsoliduar në këtë mënyrë marrëdhënie bashkëpunimi mes partneresh. Pjesëmarrës në këtë seminar kombëtar dy ditor ishin përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme të administratës shtetërore, si KKRT, Tatime, Dogana, Drejtoria e Markave dhe Patentave, Gjykatës, Përfaqësues të agjencive të administrimit kolektiv të të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, kabllorë, botues, prodhues, përfaqësues të televizioneve etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›