E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Rama kur humb nuk jep dorëheqjen si Fatos Nano?

05-06-2011 / Redaksionale

Konferenca e djeshme për shtyp e kreu të Partisë Socialiste ishte një hartim i bukur publicistik, por jo edhe aq politik. Reagim i parë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën anti-ligjore të PS-së duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, ishte me të vërtetë poshtë parashikimeve të zakonshme. Me thënë të drejtën ishim mësuar keq nga gjuha revolucionare e opozitës, me thirrje për protesta, demonstrata dhe revolta popullore. Por kur Edi Rama flet sikur të ishte një çun i mirë për drejtësi të munguar e të përdhosur, e përpos kësaj, ai do ta dërgojë sërish një padi në Kolegjin Zgjedhor sesi na duket neve që jemi mësuar me ultimatume, kërcënime dhe/apo përbetime të kobshme. Jemi shumë të zhgënjyer, prisnim më shumë. 
Ngelet e hidhur kontradikta morale dhe logjike e thënies se Kolegji bëri Padrejtësi me vendimin e 3 qershorit dhe më pas të shkosh sërish në Kolegj për Drejtësi. Mirëpo kundërthënia është kurdoherë e pranishme në sipërmarrjen politike të Ramës, ç’ka të thotë se ai ka vështirësi psikologjike të pranojë qoftë edhe një humbje.
Megjithatë edhe si publicist kreu i PS-së, me gjuhën e provokimeve metaforike dhe etiketimeve butaforike është brenda traditës. Veçse e traditës nuk ishte përmendja indirekte e Fatos Nanos: “Ky është vendi ku nga sallat e gjyqeve ka dalë në pranga kryetari i opozitës! Aq i  pashpresë është sa po përdor edhe emrin e Nanos të cilin nuk e pranon as tek dera e PS-së. Ai foli për detin, për guackat, për dallgët dhe në fund të fjalisë i vuri një pikë. Pastaj e nisi fjalinë tjetër “Odiseja”. Ndalojmë këtu sepse kjo është letërsi e pastër. Telemaku i PS-së pret Odisenë, domethënë Fatos Nanon ta ndihmojë të bëjë drejtësi.
Sakaq kërkesa e tij për ekspertizë ndërkombëtare të zgjedhjeve është një kurth i hapur për të përfshirë të gjithë në zbehjen e humbjes së tij. Në mendjen e tij, Rama kërkon autopsi ndërkombëtare të zgjedhjeve, sepse ai e ka deklaruar “kanibalizmin elektoral” të Saliut. Megjithatë Edi Rama duhet të këtë parasysh se fajin nuk e ka Saliu, se fajin nuk e kanë qytetarët e Tiranës, se fajin nuk e ka KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor, se fajin më parë duhet ta kërkojë tek vetja. Koka bën, dhe koka pëson.
Ndërkaq në Partinë Socialiste janë gjithmonë e më të paktë ata që mendojnë se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen se humbi besimin e kryeqytetit, që është njësia më e madhe elektorale e vendin. Fatos Nanos ia kërkuan me shpejtësinë e dritës dorëheqjen dhe Nano i lodhur pranoi. Kurse sot është e vështirë që dikush Brenda strukturave të PS-së të hedhë dyshimin për kryetarin. Arsyeja është e thjeshtë. Janë të gjithë të kooptuar në Parti nga Edi Rama. Edhe ata që kanë arsye dhe mendojnë nuk thonë publikisht se kreu i PS-së Edi Rama humbi Tiranën, si betejë kryesore politike, apo referendum për qeverinë që e kërkoi në rang kombëtar, por e humbi me rezultat plebishitar.
Sidoqoftë justifikime dhe alibi sa herë humbet zgjedhjet, se Saliu futi duart për të vjedhë votat është sa absurd, aq edhe qesharak. Rama në Tiranë humbi Këshillin Bashkiak, ai humbi 7 nga 11 Minibashki dhe është e pamundur të jetë ndryshe vullneti i qytetarëve. Transparenca e këtyre zgjedhjeve ishte maksimale, madje kapi maja patetike në numërimin të drejtpërdrejtë në edicione të posaçme lajmesh. Lulzim Basha është kryetari i ri i Bashkisë Tiranë. Për të këtë verë nuk do të ketë pushime. Ka shumë premtime dhe shumë shpresa për të ushqyer me punë dhe djersë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›