E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Do të ankimojmë në Kushtetuese njësinë speciale të Policisë Ndërtimore”



Partia Socialiste do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për ngritjen e një njësie speciale pranë Inspektoratit të Policisë Ndërtimore. Sipas deputetit Erion Braçe, me këtë vendim qeveria ka vendosur t’i japë Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit kompetenca që me ligj dhe me një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese janë të ndaluara. Sipas tij, me këtë vendim kryeministri synon të mbulojë ato që ai i quajti veprime abuzive ndaj pronës së të tjerëve. “Ne do të atakojmë këtë projektligj bashkë me ndryshimet e tij në Gjykatën Kushtetuese, në rastin më të parë që merr formën e plotë. Individët e rekrutuar deri tani nga Inspektorati janë marrë nga arkivat e 14 shtatorit, janë shtuar me gangsterë të rinj. Që të gjithë do të kundërshtohen prej nesh me forcën e ligjit”, - është shprehur deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe. Një tjetër pikë të cilën deputeti socialist e sulmoi fort ishte edhe vendimi për shtyrjen edhe për tre vjet të tjerë të moratoriumit të skafeve. Sipas tij, ky ligj diskriminon qytetarët shqiptarë duke u hequr mundësinë e lundrimit, gjë që nuk e bën me të huajt. Për të mbështetur pohimet e tij zoti Braçe iu referua një aksioni të disa ditëve më parë të Policisë së Shtetit, ku një mjet lundrues i drejtuar nga një i huaj u dyshua për trafik lëndësh narkotike. Një alarm që, sipas Braçes, rezultoi i rremë, por që mjafton për të kuptuar se trafiku mund të bëhet edhe nga shtetasit joshqiptarë. Deputeti i Partisë Socialiste theksoi se ky vendim mund të jetë një tjetër skemë që lidhet me skandalin e shitjes së detit në favor të shtetit grek dhe që shërben si një tjetër justifikim për të mbuluar këtë moment.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›