Taulant Balla: “Demokracia funksionon nëpërmjet transparencës”
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se demokracia funksionon nëpërmjet transparencës, duke sjellë shembullin e Rumanisë ku ka nisur procesi i hapjes së kutive të votimit dhe i rinumërimit të votave. “Bota demokratike ofroi këto ditë edhe një shembull tjetër të rëndësisë që ka transparenca e proceseve zgjedhore për legjitimitetin e institucioneve që burojnë nga vota e lirë.
Në Rumani filloi dje procesi i rinumërimit dhe rivlerësimit të votave, dhe bëhet fjalë për një vend ku kanë marrë pjesë më shumë se 10 milionë votues dhe ku ka pasur 140 mijë vota të pavlefshme. Pak rëndësi ka nëse nga rinumërimi do të ndryshojë apo nuk do të ndryshojë rezultati përfundimtar. E rëndësishme është që nga ky proces fiton demokracia, fitojnë qytetarët. Ja pra një shembull tjetër dhe konkret që në demokraci hapja e kutive është një element themelor që garanton transparencën dhe legjitimitetin e institucioneve”, - është shprehur Balla. Ai theksoi se kryeministri Berisha bën sikur nuk e kupton se hapja e kutive është një imperativë e demokracisë dhe për asnjë moment nuk mund të bllokohet e drejta për hapjen e kutive. “Shembulli që vjen nga Rumania, një vend anëtar i Bashkimit Europian, konfirmon qartë se kërkesa e Partisë Socialiste dhe e opozitës në tërësi, është një kërkesë legjitime që gjen paralele në shumë demokraci europiane dhe botërore. Shembujt për hapjen e kutive janë të shumtë. Në djepin e demokracisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, kutitë u hapën ndërsa rinumërimin e bënë gazetarët. Në Itali, pak vite më parë, u respektua kërkesa e Berluskonit për hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Edhe në Afganistan, ku ne kontribuojmë me forcat tona të armatosura, u hapën kutitë dhe u rinumëruan votat. Vetëm në Iran dhe në Shqipëri nuk hapen kutitë. Prandaj sot ka vetëm një kusht: Sali Berisha, ose hap kutitë, ose largohu!” - është shprehur Balla.
14 Dhjetor 2009