E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet mënyra për të hetuar mbi pasuritë e fajdeve që janë jashtë shtetit



Laureta Rryçi

Qeveria shqiptare duket se e ka gjetur mënyrën për të hetuar mbi pasuritë e fajdeve që pretendohet se u investuan jashtë shtetit. Por, jo vetëm, miratimi i projektligjit “Për marrjen e provave jashtë shtetit në çështjet civile ose tregtare” duket se u hap dritën jeshile dhe shumë çështjeve të tjera civile dhe tregtare që prekin jo pak interesa. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurën e plotë që do të ndiqet me anë të letër-kërkesave për të marrë prova dhe të dhëna të ligjshme mbi pasuri apo llogari bankare që janë në një shtet tjetër. Sakaq hapet drita jeshile edhe për shumë shtete të tjera, të cilat pretendojnë se ka pasur shumë investime të dyshimta në vendin tonë. Me nënshkrimin e kësaj Konvente, bashkëpunimi do të jetë i detyrueshëm.
Letër-kërkesat
I gjithë procesi do të funksionojë me anë të letër-kërkesave. Në çështjet civile ose tregtare, një autoritet gjyqësor i një shteti kontraktues, në përputhje me dispozitat e ligjit të atij shteti, mund t’i kërkojë autoritetit kompetent të një shteti tjetër kontraktues, me anë të një letër-kërkese, të marrë prova ose të kryejë ndonjë veprim tjetër gjyqësor. Një letër nuk do të përdoret për të marrë prova, të cilat nuk synohen të përdoren në procedime gjyqësore, të filluara ose të parashikuara. Shprehja “veprim tjetër gjyqësor” nuk mbulon dërgimin e dokumenteve gjyqësore ose fillimin e një procesi me anë të të cilit janë ekzekutuar ose zbatuar vendimet ose urdhrat, ose urdhra për masa të përkohshme ose mbrojtëse. Një shtet kontraktues do të caktojë një autoritet qendror që do të pranojë të marrë letër-kërkesa që vijnë nga një autoritet gjyqësor i një shteti tjetër kontraktues dhe t’ia transmetojë ato për ekzekutim autoritetit kompetent. Çdo shtet do të organizojë Autoritetin Qendror në përputhje me ligjin e vet. Letrat do t’i dërgohen Autoritetit Qendror të shtetit të ekzekutimit pa u transmetuar përmes ndonjë autoriteti tjetër të atij shteti. Sipas Konventës, letër-kërkesa duhet të përcaktojë: autoritetin që kërkon ekzekutimin dhe autoritetin, i cili kërkohet për ta ekzekutuar atë, nëse është i njohur për autoritetin kërkues; emrat dhe adresat e palëve në procedime dhe përfaqësuesve të tyre, nëse ka; natyrën e procedimeve për të cilat kërkohen prova duke dhënë të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me to; provat që duhet të merren ose ndonjë akt tjetër gjyqësor që duhet të kryhet. Nëse çmohet e nevojshme, letër-kërkesa do të përcaktojë, ndër të tjera, edhe: emrat dhe adresat e personave që do të merren në pyetje; pyetjet që duhet t’u drejtohen personave që duhet të merren në pyetje ose një deklaratë mbi subjektin rreth të cilit ata duhet të merren në pyetje; dokumentet ose ndonjë pronë tjetër, e patundshme ose personale, që duhet të inspektohen; çdo kërkesë që provat duhet të jepen nën betim ose pohim dhe çdo formë e veçantë që duhet të përdoret. Nuk mund të kërkohet asnjë legalizim ose formalitet tjetër.
Ligjshmëria
Që një letër-kërkesë të jetë e ligjshme ajo duhet të jetë në gjuhën e autoritetit, i cili kërkohet për ta ekzekutuar atë ose të shoqërohet me një përkthim në atë gjuhë. Megjithatë, një shtet kontraktues do të pranojë një letër ose në gjuhën angleze, ose frënge, ose nga një përkthim në një prej këtyre gjuhëve. Një shtet kontraktues, me anë të një deklarate, mund të përcaktojë gjuhën ose gjuhët e ndryshme nga ato të përmendura në paragrafët pararendës në të cilët një letër mund t’i dërgohet Autoritetit të tij Qendror. Çdo përkthim që shoqëron një letër do të vërtetohet si i saktë ose nga një punonjës diplomatik, ose agjent konsullor, ose nga një përkthyes i betuar, ose nga çdo person tjetër i autorizuar në këtë mënyrë në secilin shtet. Nëse Autoriteti Qendror çmon se kërkesa nuk përputhet me dispozitat e kësaj Konvente, ai do të informojë menjëherë autoritetin e shtetit të origjinës që transmetoi letër-kërkesën, e cila përcakton kundërshtimet ndaj letrës. Nëse autoriteti, të cilit i është transmetuar letër-kërkesa nuk është kompetent për ta ekzekutuar atë, letra do t’i dërgohet menjëherë autoritetit në po atë shtet, i cili është kompetent për ta ekzekutuar atë në përputhje me dispozitat e ligjit të tij. Nëse e dëshiron, autoriteti kërkues do të informohet për kohën dhe vendin ku do të zhvillohen procedimet, me qëllim që palët e interesuara dhe përfaqësuesit e tyre, nëse ka, të mund të jenë të pranishëm. Një shtet kontraktues mund të deklarojë se anëtarët e personelit gjyqësor të autoritetit kërkues të një shteti tjetër kontraktues mund të jenë të pranishëm në ekzekutimin e një letër-kërkese. Mund të kërkohet autorizim paraprak nga autoriteti kompetent i caktuar nga shteti deklarues. Autoriteti gjyqësor që ekzekuton një letër-kërkesë do të zbatojë ligjin e tij në lidhje me metodat dhe procedurat që duhet të ndiqen. Megjithatë, ai do të zbatojë një kërkesë të autoritetit kërkues që një metodë ose procedurë e veçantë duhet të ndiqet, nëse pajtohet me ligjin e brendshëm të shtetit të ekzekutimit ose është e pamundur të kryhet për shkak të praktikës dhe procedurës së tij të brendshme ose vështirësive praktike.
Refuzimi
Në ekzekutimin e një letër-kërkese, personi i interesuar mund të refuzojë të japë prova për sa kohë që ai ka privilegjin ose detyrën për të refuzuar dhënien e provave sipas ligjit të shtetit të ekzekutimit, ose sipas ligjit të shtetit të origjinës. Gjithashtu, një shtet kontraktues mund të deklarojë se do të respektojë privilegjet dhe detyrat ekzistuese sipas ligjit të shteteve të ndryshme nga shteti i origjinës dhe shteti i ekzekutimit, në shkallën e përcaktuar në atë deklaratë. Ekzekutimi i letër-kërkesës mund të refuzohet vetëm në shkallën që në shtetin e ekzekutimit, ekzekutimi i letrës nuk hyn në funksionet e gjyqësorit ose shteti të cilit i drejtohet çmon se sovraniteti ose siguria e tij do të cenoheshin në këtë mënyrë. Ekzekutimi mund të mos refuzohet vetëm për arsye se sipas ligjit të tij të brendshëm, shteti i ekzekutimit kërkon juridiksion ekskluziv mbi subjektin e veprimit ose që ligji i tij i brendshëm nuk do të pranonin një të drejtë veprimi mbi të.

Roli i punonjësit diplomatik, i agjentëve konsullorë dhe komisionerët
Në një çështje civile ose tregtare, një punonjës diplomatik ose agjent konsullor i një shteti kontraktues, në territorin e një shteti tjetër kontraktues dhe brenda zonës ku ai ushtron funksionet e tij, mund të marrë prova pa detyrim të shtetasve të një shteti që ai përfaqëson në mbështetje të procedimeve të filluara në gjykatat e një shteti që ai përfaqëson. Një shtet kontraktues mund të deklarojë provat që mund të merren nga një punonjës diplomatik ose agjent konsullor, vetëm nëse leja për atë qëllim jepet me aplikimin e bërë prej tij ose saj në emër të autoritetit përkatës të caktuar nga shteti deklarues. Një punonjës diplomatik ose agjent konsullor i një shteti kontraktues, në territorin e një shteti tjetër kontraktues dhe brenda zonës ku ai ushtron funksionet e tij, mund të marrë prova pa detyrim të shtetasve të shtetit në të cilin ai ushtron funksionet e tij ose të një shteti të tretë, në mbështetje të procedimeve të filluara në gjykatat e një shteti që ai përfaqëson, nëse një autoritet kompetent i caktuar nga shteti në të cilin ai ushtron funksionet e tij, ka dhënë leje qoftë në përgjithësi ose në raste të veçanta, dhe nëse ai pajtohet me kushtet që autoriteti kompetent ka përcaktuar në leje. Në një çështje civile ose tregtare, një person i caktuar si komisioner për atë qëllim, pa detyrim, mund të marrë prova në territorin e një shteti kontraktues, në mbështetje të procedimeve të filluara në gjykatat e një shteti tjetër kontraktues, nëse një autoritet kompetent i caktuar nga shteti ku duhet të merren provat, ka dhënë lejen e tij ose në përgjithësi, ose në raste të veçanta; dhe nëse ai pajtohet me kushtet që autoriteti kompetent ka përcaktuar në leje. Një shtet kontraktues mund të deklarojë se një punonjës diplomatik, agjent konsullor ose komisioner i autorizuar për të marrë prova sipas mënyrave të lartpërmendura, mund të aplikojë pranë autoritetit kompetent të caktuar nga shteti deklarues për asistencën e nevojshme për marrjen e provave me detyrim. Deklarata mund të përmbajë kushte të tilla që Shteti deklarues mund t’i çmojë të përshtatshme për t’i vendosur.

14 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›