Reagon Meta: Shtyrja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve po dëmton imazhin e vendit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri thirrje sot forcave politike të mos shtyjnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Në një konference për shtyp në selinë e LSI-së, Meta tha se “shtyrja e vazhdueshme e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nuk e ndihmon imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe aq më tepër proçesin e integrimit europian”. Sipas tij, "janë absurde pretendimet që ngrihen në vazhdimësi për mosnjohje të zgjedhjeve apo qoftë dhe për përsëritje të tyre, pasi kjo është një fyerje që u bëhet qytetarëve shqiptarë”. Meta iu bëri thirrje hartuesve të Kodit dhe bashkëadministruesve të proçesit zgjedhor dhe të numërimit të votave "të ngrihen mbi interesat e tyre partiake, të lexojnë me përgjegjësi rezultatin përfundimtar dhe të nxjerrin përgjegjësitë e tyre politike para gjithë qytetarëve”. Lideri i LSI-së, Ilir Meta, u ndal edhe tek proçesi i liberalizimit të vizave, duke premtuar se "koalicioni i ri do të realizojë synimin madhor të shqiptarëve, liberalizimin e vizave", duke shtuar se "nuk ka negociata për poste sepse kryefjala e këtij koalicioni është integrimi i Shqipërisë në BE si dhe liberalizimi i vizave në një të ardhme të shpejtë”.
...