E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuotat bosh, MASH shtyn aplikimet e formularit A3

Ministria e Arsimit shtyn fazën e tretë të pranimit në universitete. Drejtori i APRIAL, Frederik Shalësi: Regjistrimet nuk nisin të hënën. 

TIRANE- Ngec procesi i aplikimit për formularin A3. Kandidatët për studentë nuk do të mund të aplikojnë javën e ardhshme për vendet e mbetura bosh në të gjitha universitetet. Formulari A3, i cili u premtua se do të shpërndahej në të gjitha shkollat e vendit, është shtyrë për një moment tjetër. Drejtori i APRIAL,Frederik Shalësi ka thënë për "Gazeta Shqiptare" se “Nuk ka deri tani asnjë datë të saktë se kur do të bëhet shpërndarja e formularit A3 nëpër Drejtoritë Arsimore. Kjo procedurë është shtyrë për më vonë dhe afatet do të bëhen publike nga Ministria e Arsimit”.

 Nuk dihen ende arsyet e shtyrjes së afatit, ndërkohë që pritej shpërndarja e formularit nëpër shkolla ditën e hënë. Ndërkaq, universitet kanë depozituar në Ministrinë e Arsimit vendet e mbetura bosh pas fazës së dytë të regjistrimeve, ku do të kryhet rishpërndarja e kuotave sipas preferencave të kandidatëve nëpër fakultete.

Pas mbylljes së fazës së dytë të regjistrimeve, Universiteti i Tiranës ka bërë publike listën e vendeve të mbetura bosh. Në të gjitha fakultetet, regjistrohen 264 kuota të lira, të cilat sipas procedurave të APRIAL, duhet të plotësohen pas aplikimeve të kandidatëve nëpërmjet formularit A3. Në listën e fakulteteve që kanë ende vende të lira janë Juridiku dhe Mjekësia, me një numër të vogël kuotash, e ndjekur nga Ekonomiku me 10, Shkencat Sociale 14 dhe Historia-Filologjia plot 17 vende bosh. Fakultetet më pak të zgjedhura nga maturantët janë Shkencat Natyrore dhe Gjuhët e Huaja, me përkatësisht 101 dhe 88 kuota të paplotësuara.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›