E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuotat e reja për të gjitha universitetet e vendit për sistemin me kohë të pjesshme



Jonida Tashi

Zbardhen kuotat e reja të pranimeve, të miratuara nga Ministria e Arsimit, për studimet me kohë të pjesshme (part-time). Megjithëse universitetet publike të vendit kanë kërkuar më shumë kuota pranimi për studimet e pjesshme, në total Ministria e Arsimit ka miratuar 756 të tilla, të shpërndara sipas universiteteve. Sipas rishpërndarjes së kuotave të bërë nga MASH-i, Universitetit të Tiranës i janë akorduar më shumë kuota shtesë për studimet e pjesshme karshi universiteteve të tjera të vendit. Konkretisht, për këtë universitet janë miratuar 273 kuota shtesë, nga të cilat 230 do të jenë për ndjekjen e një programi të dytë studimi, kurse 43 për program të parë studimi. Sakaq, nga tabela e rishpërndarjes së kuotave vihet re se më shumë kuota për studimet e pjesshme janë vënë në dispozicion për programet e dyta të studimit. Sipas udhëzimit të publikuar nga MASH-i, për rishpërndarjen e kuotave të parealizuara dhe regjistrimin për plotësimin e këtyre kuotave në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme, kandidatët që do të pranohen në studimet me kohë të pjesshme do të përzgjidhen nga universitetet vetëm sipas kritereve akademike të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht dhe kuotave të përcaktuara. Për këtë universitetet kanë shpallur rihapjen e procedurës së pranimit të kërkesave për kandidatët që dëshirojnë të vijojnë programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme.
Aplikimi
Aplikimi për regjistrim në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme do të bëhet pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore dhe duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: Dëftesë Pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë). Në dosje duhet të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës; dy fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh; deklaratë individuale e kandidatit, sipas modelit të tërhequr pranë sekretarive të fakulteteve.
Kandidatët që kanë depozituar më parë dosjet e tyre në sekretaritë mësimore të universiteteve përkatëse duhet t’i plotësojnë ato me dokumentet e mësipërme. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, siç përcaktohet më sipër, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale/zyrën arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kurse kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një institucion i arsimit të lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar), ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme ku janë shpallur fitues do të kryhet në datat 10, 11, 12 dhe 13 janar 2009, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve.

6 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›